“Gjenerali Shaban Shala është frymëzim për ne”

0
754

Me rastin e njëvjetorit të vdekjes së gjeneralit Shaban Shala është përkujtuar vepra e tij nga bashkëluftëtarët dhe zyrtarët më të lartë të institucioneve të vendit. Gjeneral Shaban Shala me të drejtë u cilësua si “veprimtari i tri epokave të historisë së Kosovës: Shabani i organizimit të fshehtë atdhetar, Shaban i luftës së UÇK-së dhe Shaban i lirisë së Kosovës”.

Në një akademi të mbajtur me rastin e njëvjetorit të vdekjes së tij nën patronatin e kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi kanë marrë personalitete dhe bashkëluftëtarë të të ndjerit Shala. Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka thënë se sot kujtohet njeriu i gjashtë zhvillimeve të mëdha të Kosovës, të gjashtë periudhave që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit tonë. Ahmeti ka shtuar se Shabani i takon asaj plejade që ngriti, zhvilloi celulat e para, grupet e para bashkë me shumë shok të tjerë duke marr përsipër detyra dhe angazhime të rëndësishme.

“Shabani gjurmë la edhe në zhvillimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk mund këtu të mos përmendim Bedri Shalën vëllain e Shabanit, ai ishte brumi, që e gatujti Shabani e që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shabani është edhe aktori, njeriu që punoj në ngritjen e institucioneve të shtetit të Kosovës duke filluar që nga TMK-ja e deri tek ngritja e Forcave të Sigurisë së Kosovës, të ushtrisë së Kosovës”, ka theksuar Ahmeti.

Për më tepër, ai ka shtuar se Shabani është njeriu që la gjumë dhe njeriu që kontribuoj në epokat për ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Ndërkaq zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi në emër të shefit të tij ka thënë se muaji janar i kalendarit të historisë së re të Kosovës ju shtua edhe një datë e cila do të përkujtoj humbjen e parakohshme të veprimtarit, luftëtarit tonë të dalluar, Shaban Shala.

Sipas tij, biografia e tij identifikohet me biografinë e Kosovës, biografia dhe familjes së tij janë përkushtimi rrënjësor gjithëpërfshirës, ku mbi të gjitha dominonte interesi i atdheut.

“Gjeneral Shaban Shala me të drejtë e quajtën veprimtari i tri epokave të historisë së Kosovës. Shaban Shala i organizimit të fshehtë atdhetar, Shaban Shala i luftës së UÇK-së dhe Shaban Shala i lirisë së Kosovës. E them me mburrje të plotë dhe krenari se brezi i tij përpos nga thellësia e historia e popullit tonë për lirinë dhe çlirim po frymëzohet konkretisht dhe substancialisht nga njerëzit e mëdhenj siç ishte Adem Jashari. Nuk ishte aspak frymëzim i gabuar për të gjithë ne të cilët jetojmë sot, përkundrazi ishte nder dhe krenari që jetuam në kohën e tij”, ka deklaruar Kuçi.

Nga ana tjetër, djali i Shabanit, Xheladini, ka thënë se familjes i mbetet pak fjalë, pasi që familjari i tyre gjithnjë ka qenë në shërbim të atdheut dhe shokëve të tij.

“Meqë Shaban Shala më shumë se i familjes ishte i juaji, i atdheut i dëshmorëve, i familjarëve të tyre, i invalidëve të tyre, i veteranëve, i popullit dhe i përkushtimit për të, neve na mbetet pak të flasim për familjarin tonë, sepse siç u tha këtu ai ishte më shumë i juaji se sa i joni. Faleminderit shumë shumë ne na mbetet me modesti të ruajmë figurën e Shabanit dhe vëllait të tij Bedri Shala”, ka theksuar Shala.

Gjeneralin Shala e ka përkujtuar me një fjalë rasti edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Lladrovci ne emër të disa deputetëve.

Ndryshe në pesëvjetorin e shpalljes së pavarësisë, Gjeneralin Shaban Shala, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga konform kërkesës së një grupi të deputetëve të Kosovës do ta dekretoj për meritat e tij, për punën dhe sakrificën sublime në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Gjithashtu në dyvjetorin e ndarjes së tij do të botohet një monografi e plotë në kujtim të figurës së tij atdhetare për kontributin kyç të cilën do të japë veprimtari i hershëm dhe miku dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Bedri Islami.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu