Gjuha sindikale ndryshon nga gjuha politike

0
754

Sindikata gjithnjë është në trysni të politikës dhe varësisht nga udhëheqja e saj kemi veprime sindikale. Sikurse pozita që mundohet ta mbaj nën trysni sindikatën për qëllime të veta, që të mos jetë në thumb të kritikës për mos zbatimin e ligjeve, po ashtu edhe opozita mundohet të përvetësojë sindikatën që të vije më shpejtë në pushtet.

Kur kreu i sindikatës anon në njërën anë, më nuk kemi veprim sindikal, por lëvizje politike në emër të lëvizjes sindikale. Këto kanë ndodhur në histori, gjatë revolucioneve socio ekonomike, por ajo më e freskëta është lëvizja sindikale “Solidarnost” në Poloni. Dihet se sindikata i takon të majtës dhe të gjitha veprimet e saj mbështetën në tri shtylla:

  1. 1. Vendi i punës në bazë të aftësive profesionale;
  2. 2. Pagesa sipas rezultateve të punës;

3.3. Sa më shumë të punësuar

Shikuar nga ky këndë, Polonia i takonte të majtës, papunësia ishte tejet e vogël, pagat pak dallonin në hierarki, mirëpo mungonte liria e organizimit dhe veprimit për pakënaqësitë që ishin në shoqërinë polake. Kjo pakënaqësi ishte e shumë anshme, që kalonte edhe caqet e veprimit sindikal, prandaj ajo më tepër ka karakterin politik, nga ku buronte kërkesa për pluralizëm politik, ekonomi tregu, lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve, shprehja e lirë e mendimit politik e fetar dhe pluralizëm i organizimit dhe veprimit sindikal. Shkuar nga ky këndvështrim, prapa “Solidarnostit” fshihej politika, që ndikim më të madh ka feja, sepse Polonia i takonte konfeksionit katolik, që ndryshonte nga organizimi politiko ushtarak në kuadër të paktit të Varshavës. Sindikalistëve të Polonisë nuk iu tha kurrë kjo gjë, por mbeti pa u zbërthyer më gjerë karakteri i asaj lëvizje dhe thjesht u morr si lëvizje sindikale. Ajo që e veçon këtë lëvizje në Poloni, është gjuha e komunikimit me klasën punëtore, që ishte më e stërholluar për të joshur punëtorët në një revolucion sindikal.

Edhe në shkrimet tjera të kësaj natyre kam thënë se, në Kosovë nuk ka lëvizje sindikale. Kjo po shihet për çdo vit, se nuk ka kush të bëjë thirrje për protestë në ditën ndërkombëtare të tyre, pra me 1 Maj. Kjo po ndodh për tri arsye:

1. Kreu i sindikatës nuk do për t’i prish punët me Qeverinë, jo vetëm të sotmes, por me të gjitha qeveritë e pas lufte;

2. Kreu i sindikatës nuk e ka autoritetin për të tubuar sindikalistët në një protestë të madhe, për t’i mbushur rrugët e Kryeqytetit.

3. Kreu i sindikatës ka frikë, se në këto rrethana në të cilat gjenden sindikalistët dhe qytetarët në përgjithësi, mund të mos e kontrolloj masën, që kam bindjen për momentin, nuk mund ta kontrollojë asnjë subjekt politik, edhe pse i mpreh shumë dhëmbët për të përfituar në flijimin e punëtorëve dhe qytetarëve.

Këto tre fenomene të bëjnë kureshtar për të parë gjuhën e bashkëbisedimit ndër vete dhe me Qeverinë. Gjuha e tyre nuk është gjuhë sindikale, se gjuha sindikale më tepër rrjedh nga veprimet e saja, e jo të bëhen model i të premteve komunikuese për të rejat që ndodhin me sindikalistët.

Ky fenomen shihet edhe nga politikanët, të cilët mundohen të flasin me gjuhën e sindikalistit në të gjitha fushatat elektorale, pa marrë parasysh nivelin zgjedhor, sepse mu përmes punëtorëve mund të mbushen arkat e votimit, për të përcaktuar pushtetin për një mandat të ardhshme katërvjeçar, në njërën anë, ndërsa në anën tjetër, secila e quan vete parti e së djathtës qendrore. E djathta, cila do qoftë ajo, nuk e ka prioritet mbrojtjen sindikale, prandaj edhe bëjnë demagogji me elektoratin. Ka të tilla, që në thelb edhe kanë orientim të majtë, një gjë duhet pasur parasysh, se vetëm e majta në rastin tonë kombëtar, mund të dërgojë kombin drejtë bashkimit, mirëpo këto nuk donë që të personifikohen me majtistët, se ende dominon në kokat e tyre, se po qese dalin hapur si të majtë, personifikohen me enverizmin te ne dhe bota demokratike u bënë me gisht, që të mbyllin gojën.

Me 1 Maj u pa edhe një parullë e tillë në muret e ndërtesës së BSPK, nga një lëvizje studentore, tash çdo subjekt politik ka nga një lëvizje studentore, që kur të vjen çështja konkrete për të drejtat e tyre kemi një veprim shumë të meftë, mos të themi edhe të pa dukshëm. Vetë lexuesja e referatit të “saj” kishte gjuhën politike, që nuk përkon me moshën dhe pozitën e saj (tyre) në këtë manifestim. Ajo (ata) harrojnë të përdorin gjuhën sindikale, në vend të prindërve, nënave, vëllezërve e motrave, të cilët janë duke pësuar përditë në mungesë të veprimit sindikal. Sikur të ishte përdorur gjuha që e theksova më lartë, sindikalistët (punëtorët) do të kishin gjetur një mbështetje, sikurse kishin këtë mbështetje shqiptarët nga lëvizja studentore që nga 1968 e deri në luftën e shenjët të UÇK.

Ky veprim bënë që të humbim në dy plane të mëdha:

a. Në planin kombëtar, sepse studentët duhet të jenë të parët që të ngritin zërin për padrejtësitë kombëtare që po bëhen në Kosovë, të cilat janë të shumta, sa secili subjekt politik që do të marri pushtetin nuk do të arrijë t’i zgjidhi me këtë lojë që bëjnë dhe kështu shuhet një zë i fuqishëm kombëtar dhe po shkapërderdhet gjithë kjo energji në subjekte politike.

b. Në planin vetanak, kur dihet se ka probleme të shumta që e vështirësojnë jetën e studentëve dhe sa herë të ngritët zëri për të drejtat e tyre, kemi një numër simbolik që manifestojnë dhe rezultatet janë zero.

Për fund, u bëjë një thirrje, në emër të madhores studentëve, që të mos përfillin joshjet e liderëve politik në organizimin e tyre, por të jenë prijatare të çështjes kombëtare, ndërsa në subjekte politiken mund të inkuadrohen sipas qejfit, ku e shohin vetëm me programe politike. Subjektet politike t’i lënë rehat studentët në vetorganizim, se për këtë na ka mësuar edhe e kaluara jo shumë e largët, kur kombi varej në litar, siç thoshte Ali Asllani, ndërsa shalle bardhët, pasardhës të nomenklaturës së Agi Zatriqit e Azem Vllasit,  krekoseshin nëpër rrugët e Prishtinës për demokraci në kushtet e robërisë klasike.

 

Prishtinë, 02.05.2012

 

Nga Afrim Morina

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu