Gjuraj – Cërnojeviqët, vijimësia e pranisë shqiptare në Malin e Zi

0
1160

Mali i Zi

Shtrirja e shtetit serb të Stefan Nemanjës në territoret që sot përbëjnë Malin e Zi, në çerekun e fundit të shek. XII, solli aty elementë sllavë, që erdhën dhe iu shtuan grupeve të tjera sllave të kohëve të kolonizimit të parë të shekujve VI-VII. Në Diokle, krahas popullsive shqiptare edhe atyre sllave, në disa nga qytetet e bregdetit mbijetuan dhe grupe të vogla të banorëve të romanizuar, të përmendur edhe nga historiani – perandor Konstandin Porfirogjeneti në shekullin X. Për rrjedhojë, në shekullin XIV Dioklea-Genta (Zeta), veçanërisht ana e sipërme e saj, u shfaqej të huajve si një vend “me popuj e fe të ndryshme”.

Gjithsesi, gjatë gjithë Mesjetës krahina e bashkësi të tëra, si Kuçi, Markajt (Markoviqët), Pastroviqët, Piprët, Gjurashët (Cërnojeviqët), etj., njihen si shqiptarë. Sipas Edit Durham: “E thëna e përsëritur shpesh sikur Mali i Zi është themeluar prej refugjatëve serbë të Kosovës, është me të vërtetë një mit, mbasi beteja e Kosovës u bë një shekull më parë dhe pikërisht më 1389. Si përfundim, malazezët janë më tepër boshnjakë, hercegovinas, shqiptarë sesa serbë prej Serbie. Gjatë periudhës së sundimit serb të Zetës ndodhi procesi i sllavizimit fetar onomastik të popullsisë shqiptare të besimit katolik dhe atij ortodoks bizantin të viseve veriore dhe verilindore, atje ku presioni i shtetit serb ishte më i fortë. Një pjesë e popullsisë shqiptare të këtyre trevave, nën presionin e dhunshëm të pushtuesve serbë, gjendej në një fazë kalimtare të asimilimit kulturor dhe fetar.

Në mjaft treva, ky proces asimilimi u ndërpre në kushtet e reja që u krijuan me shkatërrimin e shtetit serb e mbërritjen e turqëve osmanë…Megjithatë, në një pjesë të territoreve në fjalë, sidomos në zona të veçanta të Gentës (Zetës), procesi i sllavizimit vazhdoi edhe më vonë, duke çuar gradualisht në asimilimin kulturor dhe etnik të bashkësive të tëra shqiptare. Në librin ” Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve”, Edit Durham shkruan: “ Palabardhët (Bjelopavliçët), Piperët, Kuçët, Vasojeviqët e tjerë, ku të gjithë këta popuj e troje ishin safi shqiptarë, si dhe të besimit katolik, dalëngadalë, për të shpëtuar fenë e krishterë, kishin pranuar të kthehen në ortodoksë”. Dhe diku tjetër thotë: “Rusia dhe Austria arritën njërën nga “marrëveshjet” e tyre të shumta dhe së bashku i shpallën luftë Turqisë me 1788, duke deklaruar se qëllimi i tyre ishte ti jepnin fund sundimit të Sulltanit.

Së toku ata nxitën malazezët të krijonin incidente kufitare me Turqinë. Mirëpo, me që nuk u besonte malazezëve i dërguari austriak shkruante: “Ne mund të mbështetemi shumë më fort te besa dhe guximi i shqiptarëve katolikë të Bërdes, tek ata që janë të shumtë në numër, si Bjelopavliçët, Piperët, Kuçët, Vasojeviqët, si dhe te malësorët e Kelmendit, Hotit e tjerë, që mund të nxjerrin një forcë prej 20 mijë luftëtarë të fortë e shumë më trima se sa malazezët”. Edhe Nicola Jorga i përmend këto fise si shqiptare. Sipas tij “në shekullin XIV-XV në Zetën e Sipërme dhe atë të Poshtme ekzistonin disa fise të fuqishme, siç ishin Gjurash – Cernojeviqët, Hotët, Piprët, Tuzët, Shestanët, Kuçët, Grudët, Biellopavliqët, Kastratët, Bitidosët, Krajinët, Pastroviqët, etj, të cilët konsideroheshin në mënyrë eksplicite si fise shqiptare”. Të njëjtin mendim ka dhe historiani ynë Pëllumb Xhufi.

Një pjesë e konsiderueshme e malazezëve të sotëm kundërshtojnë idenë se janë serbë dhe në vend të kësaj pretendojnë se janë një grup etnik i ndarë me origjinë të përzierë sllavo-shqiptaro-vllahe, duke theksuar rëndësinë e historisë divergjente të Malit të Zi. Kundërshtarët më të ashpër shkojnë dhe më tej, duke thënë se “malazeztë nuk janë sllavë, por pasardhës të ilirëve të vjetër”, duke e parë origjinën e tyre larg në të kaluarën.

Gjuraj – Cernojeviqët ishin një fis dhe si i tillë, patën shumë familje e gjini që jetuan në mjedise të ndryshme historike dhe fetare, çfarë solli që një pjesë e tyre të mbeteshin ortodoksë, siç kishin qenë në origjinë dhe pjesa tjetër u konvertuan në katolikë. Por, meqenëse ortodoksia në trevat veriore dhe verilindore shqiptare u monopolizua nga kisha serbe që u ngrit deri në rangun e Patriarkatit, ortodoksët shqiptarë në veri nën presionin e kishës serbe dhe të sundimtarëve serbë u sllavizuan, shpëtuan vetëm ata që u konvertuan në katolikë. Kjo është arsyea që sot Gjurajt i kemi “sllavë” dhe shqiptarë. Burimet veneciane sugjerojne se emri Cërnojeviq është përkthimi sllavisht i emrit shqiptar Gjuraj dhe shpesh u referohen me këtë emër. Këtë praktikë e kanë ndjekur dhe disa studiues malazezë.

Njëri prej tyre thekson se “Jurasheviq nuk dëshironte t’i dorezohej Despotit serb dhe as venedikasve. (Glasnik 14, Miklosic, f.52). Po kështu, duke folur për Arqipeshkëvinë e Tivarit, ndër të tjera, autori Gjokë Dabaj citon një burim nga “Историја Цернагорa 2“, sipas të cilit “një i deleguar i Kotorrit i quan Cërnojeviqët arbërorë, për t’i dalluar prej serbëve të Bosnjës dhe prej turqëve”. Gjuraj – Cërnojeviqët i kishin zotërimet fillestare në rrethinat e grykës së Kotorrit dhe më pas i shtrinë edhe në Gentë. Ata u angazhuan në një luftë shumëvjeçare kundër përpjekjeve të Despotatit të Rashës për pushtimin e viseve bregdetare shqiptare, që shtriheshin në veri të lumit Buna. Gjatë viteve 1451-1465, principata e Cërnojeviqëve përjetoi kulmin e lulëzimit dhe të zgjerimit të saj drejt Lindjes. Qendër politike dhe administrative e saj u bë Zhabjaku, buzë liqenit të Shkodrës. Gjuraj – Cernojeviqët mbajtën anën e venedikasve dhe në vitin 1455 u bënë vasalë të Venedikut dhe sundues të plotfuqishëm të vendit.

Në pamundësi t’u rezistonin forcave të shumta osmane, Cërnojeviqët braktisën luginën pjellore të Zetës dhe u tërhoqën në mes të fshatrave në brendësi të maleve mbi Gjirin e Kotorrit. Këtu në një rrafshnaltë rrethuar me kodra vetëm prej guri, ndërtuan një manastir dhe themeluan Cetinën, qendrën e ardhëshme të Mbretërisë. Prej Cetine, ata organizuan rezistencën kundër otomanëve, por përballë ushtrive të mëdha turke u detyruan të kalonin në Venedik. Me largimin e tyre, rajoni rreth Cetinës, i njohur në mbarë Ballkanin, më në fund ranë nën sundimon osman.

Parë në retrospektivë, ngjarjet kryesore të periudhës së Cërnojeviqëve: betejat kundër osmanëve, largimi prej ultësirës pjellore për në malet e egra, themelimi i një kryeqyteti të ri me metropolinë e vet ortodokse. etj, japin material të mjaftueshëm për ndërtimin e historisë së Malit të Zi. Ka pak rëndësi që Gjuraj – Cërnojeviqët në atë periudhë ishin fisnikë lokalë dhe veçoria kryesore identitare e tyre ngjan të ketë qenë në radhë të parë ortodokse. Banorët që populluan Malet e Zeza, pavarësisht etnisë së tyre, i ndoqën nga pas dhe i njohën si princa të tyre. Vendet në të cilat u tërhoqën zetanët ishin domosdoshmërisht të pakapëshme me shkëmbinj dhe të dominuara gjërësisht nga eponomi Mali i Zi. Për katër shekuj, në vijimësi, karakteri fizik i atij mjedisi ndikoi në mënyrën e jetesës së banorëve dhe historinë politike të vendit.

Mbështetur në burime serioze historike, historiografia shqiptare i ka trajtuar Gjuraj – Cërnojeviqët si shqiptarë dhe ka pasqyruar hollësisht veprimtarinë e tyre. Kështu, kur flitet për mosmarrëveshjet midis Balshajve dhe venedikasve, në librin “Historia e Popullit Shqiptar”, botim i Akademisë së Shkencave shkruhet: ”Republika e Shën Markut vazhdonte të ndiqte me mosbesim fuqizimin e zotërve shqiptarë të Gentës dhe u mundua të krijonte fshehurazi një grupim kundërshtar të Balshajve me krerët shqiptarë nga familjet Gjurashi (Cërnojeviqi), Dukagjini, Zaharia, Dushmani, Shestani, të cilët Balshajt i kishin privuar nga pushteti dhe nga privilegjet e dikurshme. (Skënder Anamali, etj. Historia e Popullit Shqiptar, vëllimi i parë, botim i Akademisë së Shkencave, shtëpia botuese “Toena”, Tiranë 2002, f.301).

Po kështu, duke folur për luftën e dyerve të mëdha shqiptare kundër sundimit serb, po në këtë libër shkruhet: “Përballë fuqisë së papërballueshme osmane, një pjesë e fisnikëve shqiptarë ngurruan në fillim t’i rrëmbenin armët, kurse kundër pushtuesve serbë ata u ngritën të gjithë, Gjurashët në radhë të parë, zotërimet e të cilëve shtriheshin në rrethinat e Grykës së Kotorrit dhe në të gjithë Gentën, Zahariajt, Dukagjinët, Kastriotët, etj”. (Skënder Anamali, etj. Historia e Popullit Shqiptar, vëllimi i parë, botim i Akademisë së Shkencave, shtëpia botuese “Toena”, Tiranë 2002, f.313).

Gjuraj – Cernojeviqët dalin si familje sunduese në periudhën e Mbretërisë Serbe prej vitit 1326 deri në vitin 1362 dhe pastaj prej vitit 1403 deri në vitin 1515. Me kohë kjo familje u sllavizua. Principata e tyre në shekujt XIV-XV u shtri në malsinë midis Grykës së Kotorrit dhe qytetit bregdetar të Budvës. Personaliteti më i shquar i saj konsiderohet Stefani, i cili në vitin 1444, së bashku me djemtë Gjergjin dhe Gjonin (Ivani) morën pjesë në Lidhjen e Lezhës. Gjuraj-Cërnojeviqët kanë bërë disa lidhje martesore me familje princërore shqiptare. Stefani u martua me Marën, vajzën e Gjon Kastriotit; Gojçini u martua me vajzën e Koja Zaharisë; Gjuragj me Nora Komnenën; Ivani me Gojslavën, motrën e Gjergj Arianitit; Gjon Cërnojeviqi u martua me Vojsavën, vajzën e Skënderbeut. Marrëdhëniet e Gjuraj – Cërnojeviqëve me princat e tjerë shqiptarë duhen parë si lidhje të natyrëshme që vijnë jo thjeshtë prej afërsisë gjeografike, pasi si faktor me rëndësi i këtyre lidhjeve ishte dhe përkatësia e përbashkët etnike e tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu