Gjykata Speciale: Nuk ka prova të mjaftueshme për ngritje të aktakuzave

0
463

Gjykata Speciale: Nuk ka prova të mjaftueshme për ngritje të aktakuzave

Ndonëse nga avokatët e akredituar nga Gjykata Speciale ishte pritur që aktakuzat e para në këtë gjykatë të dorëzohen në vjeshtën e këtij viti Zyra e Prokurorit Special ende nuk ka arritur të mbledhë prova të mjaftueshme për ngritje të ndonjë aktakuze, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ende nuk ka arritur të mbledhë prova të mjaftueshme për ngritjen e ndonjë aktakuze pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. ZPS-ja nuk e ka marrë me ngut ngritjen e aktakuzave pranë Dhomave të Specializuara me arsyetimin se vendimi për të paditur nuk mund të nxitet dhe duhet të bëhet me një pikëpamje të qartë se si të përmbushen detyrimet ligjore për të kryer një gjykim të drejtë në një kohë të arsyeshme.

Christopher Bennett, nga Zyra e Prokurorisë Speciale, i ka thënë gazetës “Zëri” se kjo prokurori është duke vazhduar hetimet e saj efektive dhe do të vendosë rreth kësaj çështjeje kur dëshmitë dhe faktet e mbledhura lejojnë dhe japin mundësinë që të ketë ndonjë aktakuzë.

“Zyra e Prokurorisë Speciale (ZPS) është e vetëdijshme se ekzistojnë pritshmëri për ngritjen e një akuze me kohë dhe do të vendosë rreth kësaj çështjeje kur dëshmitë dhe faktet e paraqitura lejojnë për ta bërë këtë dhe deri atëherë ZSP-ja do të vazhdojë hetimet e saj efektive. Për të drejtat, privatësinë dhe sigurinë e atyre që mund të preken nga ndonjë aktakuzë, duke përfshirë dëshmitarët, viktimat dhe të akuzuarit, çdo vendim i tillë do të merret pas shqyrtimit të plotë dhe të kujdesshëm të të gjitha provave”, është shprehur Bennett.

Më tutje Bennett pohon se rregullat e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara, të cilat u miratuan pak më shumë se një vit më parë, kanë vendosur standardet më të larta të praktikës penale ndërkombëtare dhe ZPS-ja do t’i përmbushë ato. Sipas tij, për këto arsye vendimi për të paditur nuk mund të nxitet dhe duhet të bëhet me një pikëpamje të qartë se si të përmbushen detyrimet ligjore për të kryer një gjykim të drejtë në një kohë të arsyeshme.

Ai është shprehur se shumë çështje relevante janë përfshirë në raportin e parë të Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorisë Speciale, ndërsa ka shtuar se ZPS-ja nuk komenton kohën e mundshme të akuzave ose të emrave të mundshëm për arsye profesionale, ligjore dhe etike. “Ne vazhdojmë të hetojmë dhe të përmbushim detyrimet tona procedurale. Po ashtu është thelbësore për ata që duhet të flasin për vepra penale brenda mandatit ta bëjnë këtë dhe ZPS-ja ka një formular të posaçëm të kontaktit për të kontaktuar një prokuror. Të gjitha kontaktet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale”, ka thënë Bennett.

Në anën tjetër, avokatët e  akredituar në Gjykatën Speciale, të cilët kanë pritur që aktakuzat e para të bëhen në vjeshtë të këtij viti, pohojnë se nuk kanë informacionin më të vogël rreth akuzave dhe funksionalizimit të plotë të kësaj gjykate.

Recaj: Ende gjithçka është mjegull, ne nuk kemi as informacionin më të vogël
Avokati Tahir Rrecaj pohon se pas konstituimit të të gjitha organeve të Gjykatës Speciale, duke përfshirë Ombudspersonin, avokatët  e licencuar, prokurorin e gjyqtarët, ka pritur që të ngrihen aktakuzat, mirëpo sipas tij Gjykata nuk mund të fillojë funksionimin pa një akuzë të prokurorit. Rrecaj thekson se krejt hetimi kryhet në mënyrë tepër sekrete vetëm nëse aktakuza konfirmohet nga Gjykata, atëherë njoftohen i pandehuri dhe mbrojtësi i tij. Sipas tij, në një fazë të tërë të rëndësishme të procedurës palët janë të përjashtuar nga qasja në shkresa të lëndës dhe nga e drejta që t’i kundërshtojnë provat.

“Ende është gjithçka mjegull, edhe ne nuk kemi as informacionin më të voglin. Fillimisht ne nuk e dimë kur kanë nisur hetimet për secilin rast, sepse janë afatet, këtu edhe ligji është në kundërshtim me parimet e drejtësisë e keni parasysh që derisa të ngrihet e konfirmohet aktakuza i pandehuri dhe i mbrojturi i tij nuk janë të njoftuar”, ka thënë Rrecaj. Ai thotë se nëse për asnjë rast deri tash Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk i ka kompletuar të gjitha provat e mjaftueshme dhe nuk kanë ngritur aktakuzë, kjo ka gjasa të shtyhet më tutje.

“Hermetikisht Prokuroria Speciale është e mbyllur ndaj mbrojtjes dhe opinionit, unë për vete nuk kam asnjë informacion dhe vetëm mund të spekuloj. Realisht ne kemi pritur në fillim të këtij viti ose në vjeshtë të funksionalizohet”, shprehet Rrecaj.

Shala: Do ta krijojmë një organ përfaqësues për të kontaktuar me Dhomat e Specializuara
Ndërsa avokati Nikë Shala, po ashtu i akredituar në Dhomat e Specializuara, thotë se është fakt se Prokuroria e ka për obligim ligjor që të ngrejë aktakuzë pas përfundimit të hetimit ose kur prokurori konsideron se informacionet me të cilat ai disponon paraqesin dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprën penale dhe kryesin e saj. Shala thotë se avokatët e akredituar do ta krijojnë një organ me përfaqësues të pavarur të mbrojtësve të specializuar dhe atyre të viktimave, në mënyrë që të arrijnë të kontaktojnë me Dhomat e Specializuara.

“Por, ajo çfarë mund të ju konfirmoj si avokat i akredituar pranë Gjykatës Speciale është se nga ana e avokatëve të akredituar jemi në përgatitje e sipër për krijimin e një organi përfaqësues të pavarur të mbrojtësve të specializuar dhe mbrojtësve të viktimave me qëllim që të kontaktojmë me Dhomat e Specializuara. Shpresoj që zvarritje të procedurës nuk do të ketë dhe presim ngritjen e aktakuzave të para gjatë këtij viti”, pohon Shala.
Ish-prokurori special David Schwendiman para se të dorëzonte mandatin e tij, më 22 mars 2018, kishte deklaruar se janë mbi 700 mijë faqe dokumentacion, 70 mijë shkresa dhe rreth 6 mijë materiale të tjera të ngjashme, duke përfshirë videofilmime, fotografi, transkripte dhe materiale të tjera të mbledhura deri tash nga prokurori i specializuar për akuzat e mundshme të Gjykatës Speciale. Pas largimit të David Schwediman nga pozita e kryeprokurorit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Kosovë një tjetër amerikan është caktuar të udhëheqë me këtë institucion.
Kryeprokuror i ri i Gjykatës Speciale ishte caktuar prokurori amerikan Jack Smith.

Shkruan: Gita Lushi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu