Gjykata Speciale- si nisi, kënd do ta akuzoj dhe kur e si do të themelohet?!

0
717

UCK-ja

Gjithçka nisi nga një raport i senatorit zviceran Dick Marty, më 2010, i cili ngriti dyshime e akuza ndaj krerëve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kinse ata kishin “kidnapuar, mbajtur në burgje dhe torturuar serbë dhe të tjerë, dhe ua kishin nxjerrë organet për t’i shitur për transplantime”.

Edhe pse ky raport fillimisht nga institucionet kosovare nuk u morë shumë seriozisht, pas një kohe ky raport miratohet edhe nga ana e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, duke e goditur rëndë shtetin më të ri në Evropë, raporton Gazeta Blic.

Me gjithë dyshimet e mëdha që kishin zyrtarët e lartë të BE-së dhe NATO-s për pohimet e Martyt, ky raport rezultoi me krijimin e një Grupi të posaçëm të lartë hetues (Special Investigative Task Force) ndërkombëtarë me detyrë dhe mandat për të hetuar ato pohime dhe për të ndriçuar akuzat e rënda të cilat përmenden aty. Udhëheqja e këtij ekipi special iu besua ish ambasadorit amerikan për çështje të krimeve të luftës, prokurorit John Clint Williamson, i cili vitin e kaluar u largua nga kjo task forcë.

Gjykata Speciale kunder Kosovës

Kur ia dha Kuvendi dritën e gjelbër krijimit të kuaj gjykate?!

Pak muaj para se ish- drejtuesi i Komponentës së Drejtësisë në kohën e UNMIK-ut,  John Clint Williamson të largohet nga drejtimi i kësaj task force, Kuvendi i Kosovës, më 23 prill 2014, kishte miratuar marrëveshjen Kosovë-BE, e cila mundëson themelimin e Gjykatës Speciale të Kosovës dhe vazhdimin e mandatit të ristrukturuar të misionit EULEX deri në qershor të vitit 2016.

Mirëpo, vetëm pak kohë pasi u miratua kjo marrëveshje, Kuvendi i Kosovës do të shpërndahet dhe vendi do të shkoj në zgjedhje të parakohshme. Këto zgjedhje edhe pse u mbajtën më datën 8 qershor, për më shumë se pesë muaj Kosova do të futet në një krizë politike, për faktin se partitë deri atë kohë në opozitë, LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje nuk pranuan në asnjë formë të hynin në koalicion me PDK-në e Hashim Thaçit, e cila doli e para në zgjedhje, raporton Gazeta Blic.
Gjykata Speciale

Opozita e një pjesë e PDK-së kundër, e rrezikojnë

Pasi u formuan institucionet e Kosovës, ku LDK dhe PDK arritën marrëveshje për bashkëqeverisje, partia e Ramush Haradinajt e ndryshoi qëndrimin dhe doli kundër kësaj gjykate, duke bërë që të vihen në dilemë numrat në Kuvend për ta themeluar këtë gjykatë. Lideri i AAK-së, këtë qëndrim kundër themelimit të kësaj gjykate e arsyetoi me faktin se është ndryshuar “misioni” i saj.

Pos AAK-së edhe dy partitë tjera opozitare, Vetëvendosje e Nisma për Kosovën kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë këtë projektligj, i cili do ta themelonte Gjykatën Speciale.

Mirëpo, i tërë problemi qëndron tek deputetët e partive të koalicionit, gjegjësisht tek disa deputetë të PDK-së, të cilët sidomos pas dënimit të grupit Drenica nga ana e EULEX-it, kanë dalë me qëndrim edhe më të prerë kundër kësaj gjykate, duke e bërë ta pamundur 81 vota në Kuvend që të themelohet një Gjykatë e tillë.

Hiq më pak se 11 deputetë nga kjo parti, kanë bërë që seanca e para dy javëve ku do të duhej të votohej kjo gjykatë, të shtyhej për tjetër ditë, në mungesë të numrave.

Kur do të votohet kjo gjykatë?

Gazeta Blic nga burime brenda Kuvendit të Kosovës ka marrë vesh se as këtë javë nuk do të futet në rend dite themelimi i saj. Mirëpo, ky burim ka saktësuar se tashmë ndërkombëtarët e kanë dhënë ultimatumin e tyre dhe deri në fund të muajit qershor duhet të përfundoj kjo punë.

Në anën tjetër, Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi në një deklaratë të shkurtër që e ka dhënë për Gazetën Blic ka thënë se për kohën se kur do të votohet ky projektligj, vendosin grupimet politike.

Vërejtja kryesore e opozitës që ka të bëjë me mënyrën e funksionimit të kësaj gjykate, ashtu siç është paraparë në draftligjin për Gjykatën Speciale, nuk do të ndryshohet as edhe një pikë apo presje.

Një burim ndërkombëtarë ka thënë se përfaqësuesit e BE-së dhe të SHBA-së në Kosovë ia kanë bërë të qartë Hashim Thaçit e Isa Mustafës se as edhe një pikë nuk do të ndryshohet nga ky projektligj dhe kanë kërkuar përgjigje konkrete me PO ose JO për këtë gjykatë.

“Duhet të tregoni nëse do ta votoni apo jo. Pastaj është punë e jona”, me këto fjalë u janë drejtuar përfaqësuesit diplomatik Thaçit e Mustafës para pak ditësh.

Ndërkombëtarët kanë deklaruar në vazhdimësi se nëse këtë gjykatë nuk do ta themeloj Kuvendi i Kosovës, atëherë këtë do ta bëjë OKB-ja.

UCK-ja

Kush do të jenë të akuzuarit?

Kjo është edhe pika më e nxehtë e kësaj gjykate. Në opinion dhe në medie të ndryshme ka pasur raportime nga më të ndryshme.

Gazeta Blic ka raportuar se do të jenë hiq më pak se 11 raste ndaj të cilëve mund të ngritën aktakuza, për gjoja krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë.

Megjithatë, ka raportime se kjo Gjykatë ekskluzivisht do të merret me rastin e Rahovecit, ashtu siç edhe flitet në raportin e Senatorit zviceran, Dick Marty i miratuar më 2010.

Në këtë raport përmenden emrat e udhëheqësve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë këtu edhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi dhe disa ish- udhëheqësve më të lartë të UCK-së dhe bashkëpunëtorë të tij të ngushtë. / Gazeta Blic

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu