Gjykata Speciale i siguron votat

0
915

Gjykata

Partnerët e koalicionit qeverisës kanë arritur t’i bindin shumicën e deputetëve për ta votuar Gjykatën Speciale në fund të këtij muaji, përfshirë këtu edhe disa ligjvënës që fillimisht ishin deklaruar kundër kësaj të fundit.

Burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se nuk janë më shumë se 3-4 deputetë të partisë së zëvendëskryeministrit Thaçi (PDK-së) që s’po i binden kërkesës për ta votuar Specialen, përderisa të tjerët tashmë e kanë deklaruar votën e tyre pro. Një zyrtar i lartë i PDK-së i ka deklaruar gazetës “Zëri” se tashmë nuk ka asnjë rrezik që të dështojë votimi i Gjykatës në Kuvend. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, tha ai, janë të vetëdijshëm se ky është një obligim ndërkombëtar që duhet përmbushur, prandaj, sipas tij, në këtë drejtim nuk ka dilema. “Kemi deputetin Nait Hasanin, Fadil Demakun dhe Ganimete Musliun që janë deklaruar se do të votojnë kundër. Por, besoj se gjithë deputetët tjerë të Kuvendit pozitë e opozitë do të reflektojnë dhe do të votojnë në favor të krijimit të Gjykatës Speciale”, ka thënë ky zyrtar i lartë. Në anën tjetër kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili ka dhënë sinjale se javën e ardhshme mund të jenë në rend dite amendamentet për ndryshime kushtetuese, të cilat i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale, ka përjashtuar mundësinë që të ketë presione për themelimin e Gjykatës. Gazeta “Zëri” ka mësuar nga burimet e saj brenda Kuvendit se menjëherë pas shqyrtimit të amendamenteve kushtetuese, Kuvendi i Kosovës pritet javën e fundit të këtij muaji, respektivisht më 28 maj, ta ketë para vetes votimin për Gjykatën Speciale. Në anën tjetër, partia e Isa Mustafës ndjehet më e relaksuar sesa partneri i koalicionit, PDK-ja, kur bëhet fjalë rreth votimit për Gjykatën Speciale. Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se do të votojë pro Gjykatës, derisa, sipas tij, nuk ka asnjë ndasi brenda LDK-së rreth kësaj çështjeje. “Jo, jo nuk besoj se ka ndasi ”, tha shkurt ai, derisa tha se vota e tij do të jetë për. Por, derisa nuk ka dallime brenda LDK-së, situatë më e vështirë është në PDK-në e Thaçit. Deputeti i kësaj partie, Fadil Demaku, ka bërë të ditur për “Zërin” se vota e tij do të jetë kundër kësaj Gjykate. Edhe pse kanë mbetur gati tri javë nga koha kur Kuvendi i Kosovës do ta ketë “finalen” për Gjykatën, ai tha se nuk ka pasur asnjë lloj presioni, as nga lideri dhe nga askush tjetër që të votojë pro Gjykatës. “Pozicioni im është shumë i qartë dhe i prerë, se do të votojë kundër. Megjithatë, as nuk kam pasur asnjë lloj presioni nga askush”, ka thënë ai. Edhe deputetët nga tabori opozitar janë barrikaduar kundër Gjykatës. Glauk Konjufca, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, shfaqi shpresën se blloku opozitar do të marrë një mbështetje të madhe nga deputetët e mazhorancës për të dështuar miratimi i Gjykatës. Sipas tij, deputetët e partive në pushtet që janë deklaruar kundër Gjykatës ia vështirësojnë punën Qeverisë për t’i siguruar votat e nevojshme. Por, analistët politikë thonë se deputetët e Kuvendit nuk kanë “shpëtim” dhe do të votojnë pro Gjykatës Speciale. Dren Doli, nga Grupi për Studime Juridike, tha për “Zërin” se ligjvënësit duhet ta kenë të qartë se ky është një obligim ndërkombëtar, të cilin e ka marrë Kosova vitin e kaluar dhe i cili duhet të përmbushet, derisa e quajti normale rritjen e presionit mbi deputetët kundërshtues gjatë ditëve në vijim.

Lumturie Blakaj, Prishtinë

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu