Gjykatave – Nga dënimi për 5 Euro deri tek injorimi për rastin e vizave

0
463
Gjykatave – Nga dënimi për 5 Euro deri tek injorimi për rastin e vizave

Vendime dhe raste të çuditshme janë trajtuar nga gjykatat vendore muajt e fundit. Gjykata ka marrë vendim edhe ndaj një personi që kishte blerë një bateri për veturë në shumën prej 5 eurove, pavarësisht se e kishte ditur se ai kishte qenë i vjedhur.

Por gjykatat vendore nuk kanë arritur që të merren ende me njërin ndër rastin më të madh të mashtrimit me viza dhe trafikimit me armë e me drogë.  Rasti ndaj Ukë Rugovës djalit të presidentit historikë të Kosovës, Ibrahim Rugovës ende nuk ka marrë një epilog,raporton Insajderi.com

Madje kjo lëndë ishte bartur nga Eulex-i, tek gjykata vendore. Që nga atëherë nuk është mbajtur asnjë seancë.

Raste nga më të çuditshme ka edhe të tjera nga gjykata vendore. Hilmi Zena që kishte qenë shkaktar për vdekjen e bashkëshortes së tij Antigonës, kishte ‘shpëtuar’ mrekullisht. U dënua me vetëm dy vite burgim.

Ndërkaq dikush tjetër e pësoi më keq. Një 18-vjeçar i komunitetit ashkali u dënua me plotë shtatë vite burgim.

Madje nëna e të dënuarit 18-vjeçar pretendon se djali i saj nuk kreu asnjë vjedhje. Thotë se i biri e ka pranuar fajin, vetëm pasi është detyruar nga Policia. Deklaron se i biri pas arrestimit, ka qenë i gjithi me shenja të dhunës në trup.

“Djalin e kanë marrë pa faj, se ai nuk e ka krye atë vepër hiq. Njëherë na thanë që i ka marrë 20 mijë euro, pastaj 7 mijë euro, edhe krejt në fund tha ai pronari që janë grabitë 430 euro. Na jemi kanë në Gjykatë, edhe kur na e patën lëshua videon, djali nuk u përputhke me timin hiq”.

“Secila nënë e njeh djalin e vet, edhe jam çu kam thanë që ky nuk është djali im. As rrobat që i ka pas veshën nuk janë kanë të tijat. Djali e ka pranua fajin prej dhunës se kur jemi shku ka qenë krejt shenja shenja që e kanë rreh”, thotë Velimja.

Por ngjarja edhe më e rëndë kishte shpëtuar më lehtë. Antigona Morina kishte vdekur nga hemorragji të brendshme, një javë pasi ishte martuar.

Familja kishte pretenduar se dhëndri bëri marrëdhënie seksuale me Antigonën, derisa ajo ishte në gjendje të keqe shëndetësore dhe kishte gjakderdhje të vazhdueshme. Babai i Antigonës thotë se ish-dhëndri ia mbyti vajzën.

Gjykata Themelore e Gjakovës vërtetoi pretendimet e babait të Antigonës. Kjo gjykatë e shpalli fajtor Hilmi Zenën, bashkëshortin e Antigonës. Sipas kësaj gjykate ish-bashkëshorti kishte qenë shkaktar për vdekjen e Antigonës, duke vazhduar marrëdhëniet seksuale pavarësisht hemorragjisë së të ndjerës.

Gjykatat në vend kishin gjetur kohën të merreshin edhe me blerjen e një baterie për një veturë. Bateria ishte blerë nga një person që e kishte blerë baterinë për pesë euro, pavarësisht se e kishte ditur se është e vjedhur.

I akuzuari Nasuf Strana ka thënë se e pranon fajësinë për të gjitha pikat e aktakuzës, duke premtuar se në të ardhmen nuk do të kryej vepra tjera penale, shkruan Insajderi.

Por sa janë dënuar për vepra të ngjashme persona të tjerë në gjykatat e Kosovës?

Në janar të këtij viti, Gjykata Themelore në Mitrovicë, Behar Gecin, Labinot Gecin dhe Blerim Shatrin, i dënoi me nga 1 vit e gjashtë muaj burgim për grabitje me armë në një pikë të PTK-së në Skenderaj.

Ata akuzoheshin se si grup i armatosur dhe të maskuar me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme kanë hyrë në objektin e PTK-së, në Skënderaj dhe me kërcenim të armës kanë marrë kasafortën në të cilën ka pasur para të gatshme dhe pulla postare në shumë prej 1.250 euro.

Në Gjakovë, Jetmir Ukëhaxhaj dhe Lorik Beqiraj ishin dënuar me nga 2 vite burgim për vjedhje të rëndë.

Ata u dënuan nën akuzën se duke përdorur forcën kanë hapur dyert e punëtorisë dhe kanë marrë një veturë të tipit “Mercedes A-Klas”, e po ashtu nën kërcënim të armës kanë marrë pasurinë e një punëtori në “Petrol Company”.

E njëjta Gjykatë e kishte dënuar Leotrim Bajramin me dy vite burgim për grabitjen e taksistit.

Bajrami akuzohej se pasi kishte udhëtuar me taksi nga Prishtina në Gjakovë nuk ia kishte paguar shërbimet taksistit dhe nën kërcënimin e armës (armë e rreme) i kishin marrë atij 25 euro.

Në Prishtinë, për grabitje të bankës “Raiffaisen”, Adil Krasniqi ishte dënuar me katër vjet burg, ndërsa Sami Bajrami me tre vite.

Gjykata në Prishtinë, Besnik Tërrnavën e Fitim Rafunën, i kishte dënuar me nga 10 vite e 3 muaj burgim për grabitjen e 17 personave.

E njëjta gjykatë e kishte dënuar Arjan Delijën me 3 vite e 3 muaj burg. Ai akuzohej se kishte hyrë në një shtëpi ku po jetonte një grua e vetmuar dhe pasi që e kishte sulmuar atë duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, të njëjtës ia kishte grabitur një telefon.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu