Gjyqi me 91 dëshmitarë: Kështu ndodhi më 21 janar

0
680

Të pandehurit Ndrea Prendi, Agim Llupo dhe Margarit Kume, do të përballen para Gjykatës së Tiranës me 91 dëshmitarët e prokurorisë. Mes tyre do të jenë edhe 4 të plagosurit e kësaj ngjarjeje, njëri prej të cilëve, Fatos Mahmutaj do të merret në video-konferencë nga Brukseli. Po kështu, do të dëshmojnë tre deputetët e Partisë Socialiste, drejtuesit aktualë të Gardës e shefat e njësive, pjesëtarët me emrin e koduar “grupi i zjarrit” dhe disa nga demonstruesit.

Kësaj liste të dëshmitarëve, do t’i shtohen edhe ekspertët e Byrosë Federale të Hetimit (FBI-së), si dhe ekspertët e Policisë Shkencore pranë Ministrisë së Brendshme, të cilët kanë kryer ekspertime të ndryshme të armëve, predhave dhe gëzhojave të dala nga tytat e armëve të të pandehurve. Të gjithë këta dëshmitarë, sipas kërkesës për gjykim, do të provojnë para togave të zeza, se të pandehurit Prendi dhe Llupo kanë kryer akuzën e “vrasjes” me pasojë vdekjen e demonstruesve Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Ziver Veizi. Përveç këtyre vrasjeve, dëshmitarët do të provojnë edhe faktin që i pandehuri Llupo ka kryer vrasjet e mbetura në tentativë ndaj 4 të plagosurve, gazetarit Fatos Mahmutaj e demonstruesve Sokrat Gode, Erald Disha dhe Artes Dybeli.

Dëshmia e katër dëshmitarëve të plagosur përforcohet edhe nga disa demonstrues të tjerë, mes të cilëve edhe shtetasi Hysni Peposhi. Ai ishte në krah të viktimës Hekuran Deda, në momentin që ky i fundit u qëllua me një plumb në kokë. Gjithashtu, mësohet se në listën e dëshmitarëve, ndodhen edhe emrat e 3 deputetëve të PS-së, Tom Doshi, Paulin Sterkaj dhe Besnik Bare. Këta dëshmitarë, në fazën hetimore kanë drejtuar gishtin drejt oborrit të kryeministrisë, si vendin nga qëllohej me armë zjarri drejt turmës së demonstruesve. Prokuroria, gjatë fazës së gjykimit, do të thërrasë edhe drejtuesit aktualë të Gardës dhe shefat e njësive, të cilët do të përballen me ish-shefin e tyre Prendi, për të treguar masat e marra për menaxhimin e situatës para, gjatë dhe pas demonstratës së 21 janarit.

Përveç këtyre, para Gjykatës do të thirren për të dëshmuar të gjithë efektivët e Gardës që ditën e demonstratës ndodheshin në oborrin e kryeministrisë së bashku me “grupin e zjarrit”, shtetasit Mark Nikolli, Gazmend Ahmetaj, Sadik Çela dhe Ilir Duraku. Këta të fundit, do të shpjegojnë se kush ishte personi që u kishte dhënë atyre urdhër për të qëlluar me armë zjarri. “Grupi i zjarrit”, mendohet se ka shkrepur armët pa një urdhër verbal apo me shkrim. Ata kanë qëlluar sapo e kanë parë shefin e tyre, komandantin Prendi duke qëlluar drejt turmës me armën e tij personale. Asnjë epror që ndodhej aty nuk ka pasur guximin të urdhërojë ndaljen e zjarrit”, – thuhet nga prokuroria, bazuar në materialet e dërguara në gjyq.

 

Dybeli: Më qëlluan nga oborri i kryeministrisë

Vetëm pak ditë para mbylljes së fazës hetimore, prokurorët që po hetonin pasojat e demonstratës së 21 janarit, kanë administruar në dosje dëshminë e të plagosurit Artes Dybeli. Atë pasdite, më 21 janar, Dybeli u qëllua nga Garda me dy plumba në trup. Pyetja e Dybelit me cilësinë e viktimës, është bërë vetëm pak kohë pasi “Shekulli” publikoi intervistën e tij, më datë 29 janar 2012, ku 24-vjeçari rrëfeu për herë të parë momentet e plagosjes dhe tregoi se nuk ishte pyetur asnjëherë nga prokuroria apo policia.

Pas kësaj interviste, çuditërisht prokuroria ia gjeti adresën 24-vjeçarit dhe e administroi dëshminë e tij në dosjen që tashmë është dorëzuar në Gjykatë. Përveç dëshmisë, mësohet se prokuroria ka siguruar edhe raportin e Mjekësisë Ligjore, ku ekspertët kanë konstatuar se plagët që 24-vjeçari Dybeli kishte në trup, kanë ardhur nga armët e zjarrit. I plagosuri Dybeli, mësohet se është në listën e dëshmitarëve kryesorë të çështjes, pasi ka shpjeguar se plumbat, që i shkaktuan plagë të ndryshme në trup, kanë ardhur nga oborri i kryeministrisë. Pas plagosjes, mësohet se Dybeli është larguar në drejtim të Gjermanisë, ku edhe ka marrë mjekimet e nevojshme për plagët.

 

Nga Flamur Vezaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu