Gjysma e pagës për rrymë e ujë

0
583

Fatura e KEDS

Jo më shumë se 116 euro është shporta mujore e një qytetari të Kosovës, e cila konsiderohet të jetë e varfër dhe larg standardeve të vendeve të Bashkimit Evropian. Sipas Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare për vitin 2013 rezulton se konsumi për kokë banori gjatë vitit 2013 ishte 1402 euro, që i bie jo më shumë se 116 euro në muaj, ndërsa konsumi për ekonomi familjare është 7625 euro, që në muaj është 635 euro.

Por gjendja ekonomike në vitin 2014 është rënduar edhe më tepër, pasi që janë rritur çmimet e energjisë elektrike, të ujit, të mbeturinave, të gazit dhe të produkteve tjera elementare për jetë. Paga mesatare në Kosovë është 370 euro, kurse afër 200 euro qytetarët janë duke paguar vetëm për këto shërbime. Gjendja po rëndohet kur nga pjesa e mbetur, pasi të shlyhen këto borxhe, shumicës iu shkon për të shlyer kreditë në banka. Në vendin tonë sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, rreth 500.000 mijë familje llogariten të jenë në kredi. Qytetarët janë ata, të cilët shprehin shqetësim për shportën e tyre të konsumit. Ata thonë se kanë vërejtur se çdo muaj apo çdo vit, fuqia blerëse po bie për shkak të rritjes së çmimeve të konsumit.

Muharrem Aliu, banor nga Prishtina, bën një krahasim me dy vjetët e mëparshme. Ai thotë se në vitin e kaluar në sezonin veror kishte paguar 25 euro energji elektrike, kurse për këtë vit thotë se paguan 4 fish më shumë. “Muajin që shkoi fatura e energjisë elektrike më ka ardhur 110 euro, që është një absurd i llojit të vet, ujë kam paguar 15 euro, faturën e mbeturinave e kam paguar 5 euro, ngrohjen e kam me dru që më kanë kushtuar 600 euro, nëse e kalkulojmë më bie 50 euro në muaj”, ka thënë Aliu.

Rëndë këtë situatë ekonomike po e përjetojnë edhe ata që janë të punësuar në sektorin privatë dhe publikë, ku sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është 441 euro. Edhe pjesëtari i Policisë së Kosovës, Fatmir Fejzullahu, i cili jeton në Prishtinë, ka thënë se ngritja e çmimeve të energjisë, të ujit dhe gjërave të tjera elementare ia ka vështirësuar jetën e tij. Ai thotë se merr pagë afër 450 euro, por 200 i ndan për t’i paguar këto shpenzime. “Ujë, rrymë, ngrohje, telefon, mbeturina dhe TV, të gjitha këto fatura në total kur grumbullohen del të paguajë rreth 200 euro, me pjesën tjetër të pagës është shumë vështirë t’ia dalë deri në fund të muajit për blerje të ushqimeve”, ka thënë Fejzullahu.

Kryetari i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, e konsideron jo të mirë situatën ekonomike dhe sociale në Kosovë. “Marketet, për të qenë profitabile, llogarisin që një shportë mesatare e konsumatorit është diku minimalja 12 euro, nëse ne e llogarisim që konsumatorit i duhen së paku 15 shporta të tilla në muaj kjo del se ky konsumator duhet të ketë vetëm për shportën themelore 300 euro në muaj, pa i llogaritur shërbimet publike, rrymën, ujin, pastrimin, veshmbathjen e të tjera”, thotë Kaçaniku.

300 euro për nevoja elementare

Kaçaniku thekson se me 300 euro në muaj një familje vlerësohet se mund t’i përmbushë vetëm nevojat elementare për jetë dhe nuk mund të flitet për ndonjë standard të lartë jetësor. “Për koston e jetesës çmimet në markete ne i kemi të njëjta si në Bashkimin Evropian, disa i kemi edhe më të larta. E në anën tjetër, ne i kemi të ardhurat mesatarisht pesë apo gjashtë herë më të ulëta se në vendet e Bashkimit Evropian”, thekson Kaçaniku.

Sipas anketës së buxhetit të ekonomive familjare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se rreth 50 për qind e ekonomive familjare dy herë, ose më shumë, gjatë vitit nuk kanë qenë në gjendje të paguajnë me kohë pagesat e tyre.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Labinot Hashani, jep shpjegime rreth shportës së konsumatorit në Kosovë. “Unë mendoj se pa 350 euro një familje katër anëtarësh nuk mund të sigurojë minimumin e ekzistencës, do të thotë minimumi ekzistencial duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen, transportin, shpenzimet komunale”. Ai gjithashtu ka thënë se familjet që nuk e kanë këtë shumë, e kanë të vështirë të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm e le më t’i paguajnë të gjitha ato fatura”, tregon Hashani.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu