Grekët, të tmerruar me konfliktin shqiptaro-sovjetik

0
855

Konflikt interesash: Greqia, Italia dhe Jugosllavia Çarja sovjeto-shqiptare e viteve 1960-1961 krijoi situatë të re për fqinjët e Shqipërisë, të njohur për pretendimet e tyre ndaj vendit tonë. Shqipëria në të shkuarën ishte bërë një mollë sherri për fqinjët e saj, politikat e të cilëve kishin kompromentuar e komplikuar në disa raste edhe marrëdhëniet ndërmjet tyre. Tradicionalisht ato e kishin pasur të vështirë të merreshin vesh ndër veti, për të realizuar pretendimet ndaj Shqipërisë dhe kriza e fundit do të provonte sërish të njëjtën gjë, ndonëse situata e viteve ’60, i gjente ato në kushte dhe rrethana të tjera. Italia dhe Greqia ishin anëtare të NATO-s, ndërsa Jugosllavia ndonëse nuk bënte pjesë as në NATO dhe as në Traktatin e Varshavës, ishte vend anëtar i Paktit Ballkanik, objektivat e të cilit ishin zbehur mjaft në këtë kohë. Jugosllavia kishte marrëdhënie të mira me SHBA dhe me vendet perëndimore në përgjithësi, por që në të njëjtën kohë ajo ruante marrëdhënie të mira edhe me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera të Bllokut Komunist.
Kriza shqiptaro-sovjetike e shtoi më tej nervozizmin ndërmjet fqinjëve të Shqipërisë. Më 15 dhjetor 1961, Beogradi ngriti sërish pas shumë vitesh problemin e pakicës sllave në Maqedoninë greke, duke shtuar tensionin në marrëdhëniet e tij me Greqinë1 . Të tre shtetet fqinje të Shqipërisë e dëshironin rrëzimin e regjimit komunist të Shqipërisë, por ai do të provokonte situata mosmarrëveshjesh ndërmjet tyre, për shkak të mospërputhjeve të interesave. Asnjëra prej tyre nuk e donte dominimin e tjetrës. Duke e konsideruar Jugosllavinë si rrezikun më të madh për ndryshimin e qeverisë shqiptare, dy fqinjët e tjerë preferonin më mirë të ruanin gjendjen ekzistuese, sesa të krijohej një qeveri tjetër mike me atë të Jugosllavisë. Si për Italinë ashtu edhe për Greqinë do të ishte e papranueshme që në Shqipëri të vendosej një qeveri pro jugosllave, apo një qeveri pro sovjetike, e cila mund ta kthente vendin, sërish në gjirin e Traktatit të Varshavës.
Italia dhe Greqia, si dy vende anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut do t’i ndërtonin marrëdhëniet me Shqipërinë, duke u bazuar në dy pista kryesore: duke respektuar interesat e tyre kombëtare, dhe duke i harmonizuar ato me vendimet dhe interesat e NATO-s. Politika e jashtme e vendeve fqinje të Shqipërisë ishte mjaft e vëmendshme ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe raporteve politike të Shqipërisë me BS-në dhe vendet e tjera të Bllokut Komunist.
Greqia
Në verën e vitit 1960 marrëdhëniet greko-italiane patën një periudhë të ashpër acarimi, për shkak të incidentit të shkaktuar nga raporti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Italiane mbi Shqipërinë, të paraqitur në takimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Paris, më 2 maj 19602. Raporti, që sipas pretendimeve të italianëve nuk ishte gjë tjetër përveç se një studim etnologjik për Epirin e Jugut, shkaktoi një reagim të fortë në Greqi dhe u bë objekt diskutimesh në rrethet diplomatike të Perëndimit. Raporti, sipas komenteve të ambasadorit britanik në Athinë, ngatërronte Epirin me Shqipërinë, duke i konsideruar mjaft qytete të këtij rajoni, si Prevezën, Janinën etj., si qytete shqiptare. Në materialin e paraqitur në NATO përmendej se, dy të tretat e popullsisë së Epirit ishin shqiptarë autoktonë, të cilët përbënin elementin më të mirë vendas; se vllaho-romanët ose kuco-vllahët e zonës së Pindit ruanin karakteristika të qarta amtare, pra ishin një popullsi me identitet të veçantë dhe jo grek; se suljotët ishin në thelb shqiptarë; se kisha dhe priftërinjtë grekë u kishin mohuar elementëve shqiptarë nacionalitetin e tyre kudo ku ata banonin në Greqi; se pretendimet greke për Epirin e Veriut, ishin në fakt pretendime territoriale për Shqipërinë e Jugut; se qeveria greke për shkak të pretendimeve të saj ndaj Epirit të Veriut, i kishte refuzuar të gjitha ftesat e Kombeve të Bashkuara për të organizuar një Konferencë Ballkanike etj3.
Raporti italian u bë objekt i një fushate të gjerë zyrtare dhe jo zyrtare brenda dhe jashtë Greqisë. Të parat që informuan publikun, mbi raportin italian të lartpërmendur ishin disa gazeta në gjuhën angleze dhe pas tyre, shtypi i brendshëm grek. Në artikujt e botuar kërkohej që qeveria italiane të kërkonte falje publike dhe të dënonte autorin e raportit. Artikulli i parë u botua në anglisht në gazetën “Athens Daily Post – Sunday,” më 29 maj 1960 nga Elias P. Demetracopoulos4, ndërsa më 30 maj një tjetër artikull u publikua në “The Times”5 . Shkrime të mbushura me zemërim kundër politikës italiane dhe të shoqëruara me thirrje të forta patriotike, do të botoheshin në disa gazeta brenda Greqisë, si e pavarura konservatore “Kathimerini”, “Vima” etj. Në disa qytete të Greqisë veriperëndimore, si Janina u organizuan demonstrata masive të banorëve, ndërsa në të gjithë vendin u organizuan protesta “për të provuar unitetin grek, kur integriteti i atdheut sfidohet”6 . Indinjata greke ndaj raportit u reflektua gjithashtu me bojkotin e zyrtarëve dhe gazetarëve grekë, në pritjen e dhënë nga ambasada italiane në Athinë, në ditën e festës kombëtare të Italisë, më 2 qershor 1960. Bojkotin e tanishëm ambasadori britanik në Athinë do ta krahasonte me mungesën e zyrtarëve grekë, kohë më parë në ambasadën britanike në Athinë, “në ditën më të keqe të konfliktit të Qipros”7.
Raporti italian u bë gjithashtu objekt i një debati të nxehtë dhe patetik, në një seancë të veçantë të Parlamentit grek, më 31 maj 1960, pas kërkesës së firmosur nga 12 deputetë grekë nga rajoni i Epirit8. Në seancë ishin të pranishëm edhe zëvendës kryeministri i vendit M. Kanelopulos dhe ministri i jashtëm i Greqisë, Averoff. Në debat u përfshinë të gjitha kahjet e politikës greke, të cilët të gjithë dënuan italianët. Përfaqësuesi i ekstremit të majtë të E.D.A. z. Iliu (Iliou) do ta cilësonte raportin si “manifestim të freskët të imperializmit italian” dhe do të kritikonte qeverinë greke për “fshehje të veprimeve të dëmshme kundër Greqisë me qëllim që të ruanin unitetin e Aleancës Perëndimore”9 . M. Kanellopulos do të përgjigjej se, dokumenti nuk mund të bëhej publik, për shkak se ai konsiderohej sekret ushtarak, por shtonte se qeveria greke ishte shprehur kundër tij, duke shfrytëzuar kanalet diplomatike. Lideri liberal demokrat Papandreu, do ta cilësonte NATO-n si një “dyqan antik” ku gjithçka është flakur në mënyrë të çrregullt dhe ku minimi reciprok është tashmë rregulli i ditës10 .
Ministri i jashtëm i Greqisë M. Averoff, i drejtoi një protestë të fortë ambasadorit italian në Athinë, duke i kërkuar atij shpjegime për raportin e paraqitur nga përfaqësuesit ushtarakë të Italisë në NATO11 . Averoff do t’i dëshmonte ambasadorit britanik në Athinë se raporti italian kishte prekur edhe ndjenjat e tij personale, si një “kucovllah”, të cilët sipas tij “ishin mjaftë të helenizuar” dhe se ai vetë ishte “trashëgimtar i Jorgos Averoff, i cili kishte bërë vepra të mëdha bamirësie për shtetin grek”12 . Ankesa u paraqitën edhe pranë ambasadave amerikane e britanike në Athinë. Për të zbutur qëndrimin grek dhe për të qartësuar pozicionin italian ndaj raportit të përmendur, më 1 qershor 1960 u organizua një takim i veçantë i Këshillit të Atlantikut të Veriut13. Përfaqësuesi italian M. Alessandrini u shpreh se raporti përmbante “pasaktësi të paqëllimshme” dhe se ai nuk përfaqësonte pikëpamjet zyrtare të Italisë. Pas diskutimeve të përfaqësuesit grek M. Melas dhe të drejtuesit M. Spaak, tensioni filloi të bjerë. Por duket se “stuhia” u fashit pas takimit të ministrit të jashtëm të Italisë z. Segni me ambasadorin grek në Romë më 3 qershor 1960 dhe faljes së shprehur prej tij për incidentin e ndodhur14 . Ministri italian do t’i shprehej ambasadorit grek se “qeveria italiane nuk kishte pasur kurrë asnjë qëllim që të lëndonte popullin grek dhe qeverinë greke, me të cilët Italia mbante dhe kishte si qëllim të mbante marrëdhënie shumë të ngrohta miqësie dhe aleance”15.
Pas kësaj ngjarjeje përfaqësuesi britanik në Athinë do të komentonte: “Averoff, i cili është një dashnor i zjarrtë i Italisë”16 do të shprehte keqardhjen e vet personale dhe do ta deklaronte incidentin të mbyllur. Por diplomati britanik mendonte se incidenti nuk mund të mbyllej kaq lehtë, sepse raporti i italianëve jo vetëm që largonte vëmendjen nga pretendimet e grekëve për Epirin e Veriut, por përsëriste të ashtuquajturit “fakte”, mbi të cilat bazoheshin pretendimet italiane për Epirin e Jugut. Duke shqyrtuar gjendjen e krijuar, ai do të komentonte: “Grekët priren të humbasin komplet kuptimin e përmasave kur janë të eksituar, dhe ky dokument ishte gjëja më e mirë për t’i eksituar ata”. Shpjegimet e dhëna nga ndonjë përfaqësues diplomatik italian, se raporti ishte produkt i disa oficerëve italianë, të cilët kishin shfrytëzuar disa dosje të paraluftës pa u konsultuar me Ministrinë e Jashtme të Italisë, nuk i bindi diplomatët perëndimorë17 . Sidoqoftë, nga vendet e Bllokut Komunist nuk pati asnjë koment publik dhe ngjarja u injorua plotësisht prej tyre.
Ndaj raportit italian pati reagime të forta nga Federata Pan-Epirote e Amerikës18 , Shoqata e Epirit të Veriut në Francë dhe Evropën Perëndimore, shoqata të ndryshme brenda Greqisë, kisha greke dhe qytetarë të zakonshëm me origjinë greke. Protestat e tyre iu adresuan sidomos Presidentit dhe Zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara, Sekretarit Amerikan të Shtetit, Departamentit të Shtetit, etj. Krahas protestave kundër raportit italian, në kërkesat e tyre u përfshinë edhe çështje të tilla si: përmirësimi i standardeve dhe të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri dhe zgjidhja e problemit të Epirit të Veriut përmes bashkimit të tij me Greqinë19 . Në përgjigje të kërkesave të mësipërme, DSH u përpoq të qartësonte pozitën e shtetit amerikan, duke u shprehur se, sipas pikëpamjes së tij, për zgjidhjen e çështjes (së Epirit të Veriut, H.K.), duhej pritur dhe duheshin peshuar plotësisht opinionet e të dy palëve. Për këtë arsye, theksohej në përgjigjen e DSH, Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë ndonjë marrëveshje apo ujdi me ndonjë komb tjetër të rajonit20. Ndërsa në lidhje me të drejtat e njeriut në Epirin e Veriut, amerikanët do të deklaronin se, ishte e pamundur për ta, që të ndikonin në vendet e Evropës Lindore dhe veçanërisht në Shqipëri, vend me të cilin Shtetet e Bashkuara nuk kishin marrëdhënie diplomatike, që nga viti 1939. Më 5 prill 1962, nënsekretari amerikan i shtetit përmes një memorandumi të posaçëm, do t’u bënte të ditur rretheve irredentiste Vorio Epirote qëndrimin zyrtar të qeverisë amerikane: “Shtetet e Bashkuara nuk i mbështetnin pretendimet territoriale greke kundër Shqipërisë dhe nuk aprovojnë operacionet paraushtarake kundër Shqipërisë, të sponsorizuara nga Komiteti i Epirit të Veriut në Greqi,…aktivitetet e Komitetit Grek nuk janë në të njëjtën linjë me politikën ekzistuese amerikane” 21.
Përkeqësimi i marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike e shtoi më tej shqetësimin e qeveritarëve grekë. Më 31 tetor 1961, Palamas-drejtor i përgjithshëm në ministrinë e jashtme të Greqisë, do t’i bënte të qartë konsullit amerikan në Athinë pikëpamjet e qeverisë së tij në lidhje me zhvillimet në Shqipëri 22. Sipas konkluzioneve të qeverisë greke, amerikanët po mbanin ndaj Shqipërisë qëndrim indiferent, dhe se ata nuk po tregonin ndonjë interes për regjimin e Hoxhës. Për opinionin e tij, qëndrimi grek dhe amerikan ndaj Shqipërisë nuk përputheshin plotësisht. Palamas do t’i shprehej diplomatit amerikan se qeveria e vendit të tij nuk kishte ndonjë dashuri ndaj Hoxhës, por ajo e vlerësonte dhe kërkonte ta shfrytëzonte kundërshtimin e tij ndaj Moskës. Në këndvështrimin e tij, qëndrimi shqiptar ndaj Moskës kishte shumë ideologji, por sidoqoftë arsyet personale të Hoxhës ishin më të forta se arsyet ideologjike. Për Palamas, Hoxha ishte një komunist dhe Shqipëria drejtohej prej tij në mënyrë fisnore, me atë dhe të afërmit e tij në krye. SHBA duhej të interesoheshin për situatën e krijuar dhe të mbështesnin rolin e saj përçarës. Nëse Hoxha do të rrëzohej dhe do të zëvendësohej me një “lolo sovjetik”, këta të fundit do të riktheheshin në Shqipëri dhe ndofta do të rihapnin bazën e tyre ushtarake të nëndetëseve në detin Adriatik. Palamas do t’i fliste konsullit amerikan edhe për interesat e italianëve në Shqipëri, duke vënë në dukje se, nëse italianët do të arrinin sukses në përmbysjen e Hoxhës, Shqipëria mund të kthehej sërish drejt Moskës. Në këtë rast Greqia do të preferonte Hoxhën23 . Sipas tij, italianët nuk kishin ndonjë mirëkuptim “të veçantë psikologjik” për situatën në Shqipëri. Për Palamas, francezët ndofta mund të ishin më të mirë. Ai shprehu më tej keqardhjen e tij për britanikët, të cilët nuk kishin përfaqësinë e tyre diplomatike në Tiranë. Sipas tij, britanikët do të dinin si të vepronin në një situatë të tillë. Në fund të takimit Palamas u bëri apel Shteteve të Bashkuara që ti kushtonin më shumë vëmendje Shqipërisë24 .
Pikëpamjet zyrtare të qeverisë greke mbi Shqipërinë u bënë të njohura në dhjetor 1961, nëpërmjet memorandumit special që ju dërgua ambasadës amerikane në Athinë25. Kryeministri grek, Karamanlis e vlerësonte plasaritjen e Shqipërisë me Moskën në këndvështrimin e sigurisë kombëtare të Greqisë, por edhe si një vend anëtar i NATO-s. Kjo frymë shprehej qartë në memorandum ku: Së pari, qeveria greke dëshironte të vazhdonte të konsultohej me Shtetet e Bashkuara për planet e saj të ardhshme mbi Shqipërinë. Së dyti, Greqia favorizonte ekzistencën e shtetit të pavarur shqiptar dhe preferonte një regjim demokratik në Shqipëri, por në rrethanat aktuale “Greqia ishte e gatshme të pranonte në fakt sundimin e Hoxhës”. Greqia e konsideronte “një çështje teorike” gjendjen e luftës ndërmjet dy vendeve, dhe shprehej e gatshme të ndërmerrte hapa për normalizimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, por shpallte se nuk do ta ndërmerrte ajo e para iniciativën. Së treti, Greqia do të kërkonte autonominë për grekët e Epirit të Veriut. Së katërti, Greqia do të favorizonte një farë ndihme ekonomike dhe politike për regjimin shqiptar.., por ajo nuk dëshironte të shihte kthimin e Italisë në Ballkan. Së pesti, Qeveria greke dhe kryeministri i saj Karamanlis favorizonin politikën “larg duart” nga Shqipëria. Së fundi, Greqia nuk dëshironte të diskutonte mbi qëndrimin e saj ndaj situatës në Shqipëri me Jugosllavinë, sepse interesat e kësaj të fundit ndryshonin nga ato të Greqisë dhe të botës së lirë. Si konkluzion mund të thuhet se qeveria greke kishte rezerva të forta ndaj politikës së dy shteteve fqinje të Shqipërisë, Italisë dhe Jugosllavisë; se në ndryshim nga organizatat jo qeveritare brenda dhe jashtë Greqisë ajo nuk kërkonte zyrtarisht bashkimin e Epirit të Veriut me Greqinë, por autonominë e tij; se Greqia e kundërshtonte çdo plan që do të çonte në përmbysjen e qeverisë së Hoxhës nga Jugosllavia dhe zëvendësimin e tij me një regjim të pranueshëm për Titon.

* INSTITUTI I HISTORISË, TIRANË. Titulli origjinal është KONFLIKTI SHQIPTARO-SOVJETIK I VITEVE 60 NË OPTIKËN E FQINJËVE TË SHQIPËRISË

Vijon numrin e ardhshëm

Referencat
1- Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë (më tej: AMPJ), viti 1962, dos. 477, fl. 1-2; C.U. Sulzberger, “Neë York Times”, January 3, 1962.
2- Natoinal Archives and Record Administation of USA (NARA), File 767, American Embassy in Athens to D.C., Italian Military Report to NATO on Albania, June 1, 1960; British National Archives (BNA), File 152817, British Embassy in Athens to F.O., June 1, 1960.
3- BNA, File 152817, British Embassy in Athens to F.O., No. 55, June 10, 1960.
4- Elias P. Demetracopoulos, Italian Govt’s Report on Albania to shape completely inaccurate and damaging to Greece, “Athens Daily Post – Sunday”, May 29, 1960.
5- The Times, May 30, 1960, “Greek anger at Italian report on Albania”.
6- BNA, File 152817, British Embassy in Athens to F.O., June 3, 1960.
7- Po aty.
8- NARA, File 767, American Embassy in Athens to D.C., Italian Military Report on Albania, June 1, 1960.
9- BNA, File 152817, British Embassy in Athens to F.O., June 3, 1960.
10- NARA, File 767, American Embassy in Athens to D.C., Italian Military Report to NATO on Albania, June 1, 1960.
11- BNA, File 152817, British Embassy in Athens to F.O., June 1, 1960
12- Po aty.
13- Po aty, United Kingdom Permanent Delegation to NATO-Paris to Foreign Office, June 1, 1960.
14- Po aty, British Embassy in Athens to F.O., June 10, 1960.
15- Po aty.
16- Po aty, p. 5.
17- BNA, File 152818, June 1 1960.
18- Record of the U.S. Department of State Relating to Internal Affairs of Albania, 1960-1963, Roll 1, Protest of Pan-Epirotic Federation of America to the President, June 7, 1960.
19- Po aty, Chris P. Leventis and Associates to State Department, September 29, 1960.
20- NARA, File 767, John S. Hoghland – Acting Assistant Secretary for Congressional Relations to Philip J. Philbin, House of Representative, October 31, 1961.
21- Record of the Department of State relating to Internal Affairs of Albania, 1960-1963, Memorandum of the United States Government, April 5, 1962.
22- Record of the Department of State relating to Internal Affairs of Albania, 1960-1963, Roll 1, Memorandum of Conversation, Participants: H.E. Christian Xanthopo ulos-Palamas, Director General, Royal Ministry of Foreign Affairs , Ë. Tapley Bennetr, Jr. , Minister -Counselor, October 31, 1961.
23- Po aty.
24- Po aty.
25- NARA, F. 767, Brigs,( form Athens) to Secretary of State,nr. 737, December 14, 1961; Philips Talbot to Mr. McGhee, The Greek Aide Memoire on Albania, December 21, 1961.

 

Nga PROF. DR. HAMIT KABA*

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu