Greqia: Shqipëria të na sqarojë për paktin detar

0
520

Nga Athina: Anila Basha:

Athinë Ministri i Jashtëm grek Dimitris Droutsas, ka dashur me domosdo të takojë gazetarët shqiptarë në Athinë. E për këtë arsye, udhëtuam dje në aeroportin e Athinës për të intervistuar dhe për të biseduar me kryediplomatin grek. Sepse ai kthehej nga Azerbajxhani në orët e mbrëmjes, dhe duke mos pasur kohë për të na takuar në mbrëmje, sepse sot që herët në mëngjes, rreth orës 8:00 do të nisej drejt Oslos, duket se kishte axhendë shumë të ngjeshur.

Ministri i Jashtëm grek Dimitris Droutsas

Por fakti që na priti në aeroportin e Athinës duke dashur të bisedojë me ne, na tregoi se kishte një mesazh për t’i dhënë qeverisë dhe politikës shqiptare. Një mesazh që do ta shikoni edhe në këtë intervistë dhe bisedë me ministrin, për shumë çështje që shqetësojnë shqiptarët, por që duket se ka shqetësuar edhe grekët. Sepse Greqia, e vendosur në një krizë të thellë ekonomike, ku shteti është në borxh me pothuajse me të tërë, nuk e ka humbur interesin e Shqipërisë. Dhe axhenda e Dimitris Droutsas është kaq e zënë, saqë sipas zëdhënësit të tij, në afro 20 ditë në muaj, kryediplomati gjendet jashtë vendit, por, vetëm vizitën e tij të parë ka bërë në Shqipëri. Por cili është mesazhi i ministrit të Jashtëm grek?
“Nuk dua ta fsheh pa dashur të dëgjohem në një sens kritik, kam ndjesinë se gjatë kohëve të fundit po dëgjohen pikëpamje të skajshme të shprehura në realitetin dypalësh mes vendeve tona. Për mua personalisht marrëdhëniet Shqipëri-Greqi kanë hyrë në një fazë të re. Këto marrëdhënie do t’i konsideroja veçanërisht miqësore, me shumë çështje për të cilat ndajmë edhe vizion të përbashkët. Ky vizion nuk është asgjë më pak sesa ne dëshmojmë dhe shohim, pra integrimin e gjithë Ballkanit në BE dhe ne si qeveri greke duam që kjo të ndodhë sa më shpejt.
Greqia është një ndër mbështetësit e zjarrtë të NATO-s dhe guxoj të them se Greqia do të avancojë qoftë në integrimin e Shqipërisë, qoftë në integrimin e Ballkanit në BE.
Më lejoni t’ju kujtoj nismën e fundit të ndërmarrë nga Greqia që është axhenda 2014, pikërisht duke pasur si qëllim perspektivën evropiane dhe rikthimin e saj në axhendë për vendet e Ballkanit. Askush nuk duhet të ketë iluzione se çështja e zgjerimit dhe një zgjerim i Ballkanit nuk ka probleme sepse edhe në opinionin publik evropian çështja është ende e paqëndrueshme. Kjo ide e zgjerimit të BE-së me Ballkanin, nuk i gjen të gjitha vendet e BE-së në të njëjtin stad.
Cilat janë këto vende?
Normalisht brenda familjes tonë evropiane e kemi si traditë të mos përmendim të tilla gjëra deri në daljen e mendimit përfundimtar, por ka një lloj skepticizmi. Ajo që dua të them është se kjo çështje nuk duhet kuptuar si e vetëkuptueshme, por kërkohet shumë punë. E mbi të gjitha duhet punë nga vendet kandidate në mënyrë, që ato të na bindin me seriozitetin e tyre në përgatitjen për në BE. Por gjithashtu kërkon shumë punë edhe nga vendet anëtare për t’u çuar përpara kjo perspektivë evropiane e Ballkanit. Këtë rol Greqia është e gatshme ta luajë. Dhe këtë e kemi treguar gjatë gjithë këtyre kohëve. Greqia është lokomotivë në çështjen e integrimit të Ballkanit në BE. Ju rikujtoj gjatë vitit 2003 kur Greqia kishte presidencën e radhës së Bashkimit Evropian kur ramë dakord për Samitin e Selanikut, që hapi perspektivën evropiane të Ballkanit. I referohem edhe një herë nismës axhenda 2014, pra nismës greke duke risjellë këtë vizion. Dhe gjatë këtij viti, kur Greqia të ketë presidencën e radhës së BE-Së ne e kemi thënë edhe herë tjetër se axhenda e integrimit do të jetë prioritet duke organizuar një samit të dytë ashtu si në vitin 2003 në Selanik, ndaj dhe do ta quajmë “Selaniku 2”, duke pasur parasysh atë si vitin e integrimit.
Ju do të thoni se atë vit do të ketë integrim të Ballkanit?
Në “Selaniku 2”, ne do të kërkojmë nga shtetet anëtare të BE-së të caktohet edhe një datë se kur mund të përfundojë procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit në BE.
Port të kthehemi te Shqipëria…
Pra, dua të them se në këtë kuadër i shohim të zhvillohen edhe marrëdhëniet Shqipëri-Greqi. Ne duam të avancojmë me perspektivën evropiane. Ne do të ndërmarrim nismat e duhura për arritjen e këtij objektivi. I kemi ofruar palës shqiptare bashkëpunimin për integrimin në BE. Po bëjmë ç’është më e domosdoshme për këtë, por është radha edhe e Shqipërisë të plotësojë detyrimet ndaj BE-së dhe vendeve anëtare. Dhe kur them vendet anëtare, kam parasysh edhe marrëdhëniet Shqipëri-Greqi. Nga ana jonë ne besojmë te kjo ecuri dhe besojmë se e tashmja por edhe e ardhmja janë në këtë rrugë.
Por kush ju pengon atëherë? Pse e thoni këtë?
Më lejoni të them siç thashë në fillim se dallojmë nga pala shqiptare për disa çështje një tensionim të toneve ndaj Greqisë dhe do të guxoja t’i quaja tone nacionaliste. Shpresoj se burojnë nga një periudhë delikate për Shqipërinë, pa dashur të ndërhyj për çështjet e brendshme. Çdo vëzhgues ndërkombëtar konstaton paqëndrueshmëri politike në Shqipëri.
E keni fjalën për zgjedhjet?
Vendi është në periudhë delikate paraelektorale ku shumë herë politika dhe forcat politike tërhiqen pas nga çështje të kollajshme. Por është keq për të ardhmen që nga këto veprime të ketë rrezik në marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Greqi. Ashtu siç përshkrova më sipër, Greqia është e mendimit se Shqipëria duhet të avancojë drejt BE-së. Vetë Greqia, e ka me sinqeritet të plotë ndaj Shqipërisë këtë nismë. Zhgënjehemi kur shohim se gjatë periudhës së fundit shfaqen qëndrime antigreke. E theksoj, kjo është për të ardhur keq, dhe do të ishte më mirë t’ua kalonim këtë mesazh të gjithëve. Çështje të tilla si minoriteti etnik grek në Shqipëri apo fakti se në Greqi jetojnë e punojnë qindra mijëra shqiptarë janë reale. Ekzistojnë qarqe në dy vendet tona, të cilat këto dy fakte dëshirojnë t’i shfrytëzojnë negativisht. Qeveria greke i sheh këto dy fakte si një urë të vërtetë miqësie mes dy vendeve dhe mes dy popujve tanë.
Ju mendoni se këto po shfrytëzohen?
Ne nuk duam të shohim të shfrytëzohen nga qarqet nacionaliste. Përkundrazi, duam të avancojmë me të drejtat që i takojnë minoritetit etnik grek në Shqipëri dhe të drejtat e shqiptarëve në Greqi. Qeveria dhe kryeministri Papandreu besoj se kanë treguar vullnet për ta bërë këtë në vendin tonë: duke miratuar ligje që ndihmojnë integrimin e shqiptarëve në Greqi.
TV Vizion +: Ju flisni për qarqe nacionaliste dhe britma që vijnë nga Shqipëria. Por në fakt, për marrëveshjen e detit, nuk ka pasur britma, por një vendim të gjykatës Kushtetuese; për vdekjen e Aristotel Gumës, nuk ka pasur britma, por një vendim të organeve kompetente me anë të ekspertizës. Sepse britma mund të jenë edhe deklarata e sotme e ministrisë së Jashtme greke që ju drejtoni…
Para së gjithash, kur flas për britma i referohem faktit se në përplasjet politike dhe përplasje mes partive, ato që quhen çështje kombëtare, krijojnë përshtypje. Kemi edhe këtu përplasje për çështje të tilla. Ndaj i quaj britma, se veç faktit të përshtypjeve, nuk ndihmojnë zhvillimin e marrëdhënieve normale dypalëshe. Dhe kur fola për britma, e pata fjalën edhe për ato që dëgjojmë në Greqi dhe që shkruhen në masmedia.
Lidhur me marrëveshjen e shtetit kontinental: Këtu kemi një marrëveshje për të cilën u ra dakord mes dy vendeve dhe me vullnetin e dy qeverive. Është një marrëveshje që mbështetet plotësisht në të drejtën ndërkombëtare, marrëveshje që u konsiderua nga të dy qeveritë si shumë e rëndësishme; një marrëveshje e drejtë dhe në favor të të dy vendeve. Nuk dua që t’ju lodh me hollësitë e marrëveshjes apo të Gjykatës Kushtetuese, të cilat nuk shkojnë me të drejtën ndërkombëtare apo të drejtën e detit. Kjo duhet diskutuar në një nivel tjetër. Fakti është se ekziston kjo marrëveshje. Respektojmë procedurat në Shqipëri. Njohim vështirësinë e qeverisë shqiptare pas vendimit të gjykatës Kushtetuese, por mbetet detyrë e qeverisë shqiptare të sqarojë këtë çështje dhe kërkojmë përgjigjen e palës shqiptare për të përfunduar marrëveshjen që të dyja qeveritë e konsideruan të rëndësishme. Sepse edhe kryeministri e pranoi këtë gjë. Por siç theksova ekzistojnë disa qarqe që dëshirojnë të ngrihen tonet për sa u përket marrëdhënieve Shqipëri-Greqi.
Sa i përket rastit të vrasjes së Aristotel Gumës: Është një çështje e ndjeshme, për të cilën ka pasur shumë reagime nga qarqe të ndryshme në Shqipëri. Veç kësaj kjo çështje ka rëndësi të veçantë. Vetë kryeministri Berisha e konsideroi këtë një ngjarje me motive etnike, të paprecedentë dhe kërkoi hetime. Presim nga Shqipëria si një vend anëtar i Këshillit të Evropës si një shtet që do të bëhet kandidat për në BE, të kryejë përgjegjësitë e veta e të sjellë para drejtësisë këtë çështje. Sot morëm vesh për disa shkrime në shtypin shqiptar për hetimin e ngjarjes. Dhe shprehim zhgënjimin tonë. Por e bëmë në një mënyrë që nuk ka të bëjë me ngritjen e toneve apo tensionimin e marrëdhënieve për qëllime nacionaliste. Fryma që dëshirojmë është të diskutohet haptazi për çështjet që duhet të bashkëpunojmë dhe jo të kemi keqkuptime. Sepse e kundërta është në kundërshtim të plotë me marrëdhëniet tona.
“Gazeta Shqiptare”: Zoti ministër, por kryeministri Berisha, nuk është gjykatës që të vendosë se ç’duhet të thotë gjykata Kushtetuese. Kryeministri Berisha nuk është gjykatës që të flasë për natyrën e ngjarjes që ka ndodhur me Aristotel Gumës. Ka vendime gjykate. Po na sugjeroni të mos zbatojmë vendimet e gjykatave shqiptare, për hir të marrëdhënieve Shqipëri-Greqi?
Unë besoj, dhe respektoj në vendimin e gjykatave të Shqipërisë Ndaj thashë se nuk kemi ndërmend të hyjmë në hollësi. Këto janë çështje ekskluzive të shtetit shqiptar dhe në këtë pikë nuk dua të kemi keqkuptime. Udhëheqja juaj duhet të gjejë mënyrat e domosdoshme në mënyrë që të avancojmë me procedurat e duhura që të ketë mundësi të plotësojë edhe detyrimet që ka ndaj Greqisë.
“Panorama”: Si doni të zhvilloni marrëdhëniet mes dy vendeve zoti ministër, kur ka të paktën mbi 15 muaj që nuk ka shkëmbime vizitash në nivel të lartë mes dy vendeve? Ndërkohë që Papandreu ka ardhur në Shqipëri për të mbështetur Edi Ramën në 2009 për zgjedhjet…
Kujtoj se një ndër vizitat e mia të para ishte në Shqipëri. Ndërsa sa i përket vizitave mes partive ato janë të kuptueshme. Kur Papandreu ka ardhur në Shqipëri për zgjedhjet, ai nuk ka qenë kryeministër. Të mos harrojmë se zoti Papandreu është edhe President i Internacionales Socialiste. Po të doni mund të flasë edhe brenda këtij kuadri. Kryetari i PS-së dhe kryetari i PASOK u takuan edhe në Athinë para disa javësh. Kjo është e kuptueshme për pjesën politike. Dhe vizita të tilla mbase sjellin edhe komente të ndryshme.
Ndërkohë që unë me ministrin Haxhinasto janë në kontakte të ngushta madje edhe në takime ndërkombëtare. Madje edhe kryeministri Berisha dhe Papandreu janë takuar në New York.
“Gazeta Shqiptare”: Zoti ministër, por marrëveshjet mes Shqipërisë e Greqisë nuk bëhen as në telefon, por as në Londër, Paris apo New York…
Por sot lëvizjet diplomatike dhe spektri është i gjerë dhe duhet të improvizojmë. Kur them bashkëpunim të ngushtë kuptoj edhe faktin që për çështje të ndryshme mund të flasim direkt edhe në telefon, jo vetëm për problemet tona, por edhe për zhvillimet në rajon e më gjerë.
‘Panorama’: Zoti Ministër, si do ta konsideronit çështjen çame?
Sa i përket kësaj çështjeje, ju e dini qëndrimin e qeverisë greke. Për ne, çështja çame nuk ekziston. Të gjitha kërkesat që mund të kenë individë për probleme pronash, atëherë është drejtësia greke e përfshirë këtu dhe secili të drejtohet me kërkesat e veta duke respektuar legjislacionin grek në bazë të detyrimeve të Greqisë dhe në bazë edhe të traktateve ndërkombëtare. Ne e shohim tensionin nga ana e Shqipërisë për këtë çështje. Me lejoni të them edhe njëherë se nuk më takon mua të komentoj zhvillimet e brendshme në vend. Sigurisht ne i ndjekim nga afër dhe kemi konkluzionet tona. Dua të përsëris se pala jonë do e gjykonte se është për të ardhur keq madje edhe zhgënjim të lejojmë se ajo që u ndërtua në vitit e fundit dhe marrëdhëniet e zhvilluara në nivel të lartë, pra do të ishte shumë keq të hidhej hije për të gjitha arritjet. Duhet të shohim të ardhmen e përbashkët brenda BE. Mbi këtë duhet të fokusojmë vëmendjen tonë. Greqia ka një rol të rëndësishëm në këtë drejtim dhe jo një rol avokati që tingëllon negative por një rol ndërtues, sepse Brenda kësaj të ardhmeje jemi të bindur se të gjitha ato që kemi pikëpamje të ndryshme mund të gjejnë zgjidhjen. Ne do të përpiqemi të mos lejojmë kërkënd të hedh hije mbi këto zhvillime.
TVSH: Zoti ministër, ju ende nuk e keni njohur pavarësinë e Kosovës? Pse?
Pozicioni i Greqisë për Kosovën është shumë i qartë dhe nuk ka ndryshuar. Por m’ lejoni t’ju them se ajo që përmenda për perspektivën evropiane të rajonit, kjo është mënyra edhe sesi do të zgjidhen edhe çështje të tilla sikurse ajo e Kosovës. Ne besojmë se fakti që Greqia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, mund të jetë në këtë moment një vlerë e shtuar për procesin. Greqia është pjesë e rajonit, dhe është anëtarja e vetme e BE-së në këtë rajon, Greqia ka gjithashtu ka lidhje të ngushta me Serbinë dhe ky është një element krucial për kryeministrin Papandreu dhe kredibilitetin e tij në gjithë rajonin. Ai ka marrëdhënie të ngushta me presidentin Boris Tadiç. Por nga ana tjetër, fakti që është President i Internacionales socialiste i ka dhënë mundësinë të jetë në kontakt me kryeministrin Thaçi. Dhe ky mund të jetë një kanal i dytë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pra mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe presidentit Boris Tadiç. Pra ne mendojmë se kjo mund të ketë edhe një impakt pozitiv edhe për Kosovën, pra që Greqia ende nuk e ka njohur Kosovën mund të jetë e domosdoshme. Pra ky është qëndrimi ynë që e kemi bërë të qartë dhe pozicioni i Greqisë nuk ka ndryshuar për Kosovën por jemi ndër ato vende që po shtyjmë sa më shumë të jetë e mundur për perspektivën evropiane të të gjithë rajonit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu