Greva e veteranëve

0
871

Në tendat para ndërtesës së qeverisë, përafro një muaj me radhë, po zhvillohet një skenë sa e dhembshme aq edhe tragjike, nga e cila arrijnë pamjet live, të cilat mjerisht, na rikthejnë edhe një herë në përjetimet e hidhura nga ngjarjet e dhimbshme të luftës. Kjo skenë prekëse po vazhdon edhe këto ditë, me të cilën po shkruhet edhe një roman që rrëfen të vërtetën e hidhur të dramës së disa luftëtarëve të varfër dhe të mbetur në mëshirën e fatit, që nga paslufta.

Ata bënë krejt çka mundën për këtë vend dhe nuk mund të bënin më tepër. Greva e tyre nuk ka të bëj me pasionet për afera mediale, për anime krahinore, bindje politike, apo nxitje nga dikush, por ajo shihet qartë se është thjeshtë e diktuar nga kushtet e jetës së tyre të rëndë.

Ato i detyruan ata që pas 12 vitesh të kaluara me premtime, më në fund edhe në këtë formë, definitivisht të kërkojnë QARTËSI ligjore për vlerat e luftës, sigurimin e një jete normale dhe me dinjitet për të gjithë pjesëmarrësit e luftës, në lirinë që të gjithë ne sot e gëzojmë sepse megjithë varfërinë e theksuar, ata u lan në mëshirën e fatit dhe gati tërësisht në harresë.

Këta janë ish luftëtarët që e kanë të vërtetën e jetës së tyre të rëndë, por pasi që kohë pas kohësh binin në heshtje, pak kush ua di vuajtjet që deri më tani i kanë gëlltitur për të mos dëmtuar vendin dhe politikën e tij edhe pse ajo i bëri ata dhe familjet e tyre për këto 12 vite të lirisë, në shumë mënyra të vuajnë.

Qeveria dhe bashkëluftëtarët duhet ta ndiejnë detyrimin që kanë për ta dhe kontributin e tyre gjatë viteve të luftës në të cilën ishin pjesëmarrës të drejtpërdrejt ku disa nga ta edhe kanë rënë në luftë kurse disa tjerë kanë dhënë edhe gjymtyrët e trupit të tyre të cilat sot duhet ti “plotësojnë” me Proteza, derisa dikujt apo disave nuk u mungon asgjë, por ndoshta notojnë në miliona të deponuar.

Sot, njerëz që dinë ta luajnë mirë lojën, edhe pse jo secili në mënyrë të sinqertë, të joshur nga mundësi të mëdha përfitimi privilegjesh gjithfare, janë vënë në garë vrapimi se kush do jetë më i afërt me qeveritarët dhe njerëzit me pushtet, vetëm këta luftëtar e kanë ruajtur sinqeritetin me të cilin e fituan luftën, por humbën çdo benificion në paqe, madje ata edhe sot deklaruan se nuk duan PARA, por rregullimin ligjor,për trajtimin e tyre dhe vlerave të luftës së UÇK -s. me ligj.

Lufta ishte një e arritur e madhe për vendin tonë, por edhe në paqe duhet respektuar të drejtën e secilit luftëtar që ka kontribu me gjithë qenien e tij, deri te vdekja apo dhënia e pjesëve të trupit për lirin e atdheut, në betejat e zhvilluara kundër pushtuesit duke kaluar edhe nëpër ngjarje të rënda e tragjike të cilat sot vetëm për ta sikur janë harruar.

Madje sado e vështirë të ketë qenë lufta, ajo është përballuar me heroizëm nga këta luftëtar të cilët edhe në grevën që po zhvillohet, nuk kërkojnë shumë, e as gjëra të pa mundura edhe pse gjendja në të cilën ata janë, ka shije të hidhur për ta. Ndaj duhet pasur mirëkuptim për kërkesat e tyre legjitime, ngase gjendja e tyre e pa rregulluar është ajo që i ka detyruar ata të hidhen në grevë, për të kërkuar të drejtat e tyre në paqe.

Ata nuk e meritojnë një trajtim të tillë,qoftë edhe për faktin e njohur, se sa më drejt dhe me korrektësi të trajtohen luftëtarët, aq më lart ngrihen edhe vlerat e luftës, për të cilat shumë kush sot e ka gojën plot,por vetëm këta përjetojnë për të satën herë kujtimet e asaj lufte e cila në kronikat e zhvillimeve të saj, përmban edhe emrat e këtyre luftëtarëve të gdhendur me krenari në Emblemën fitimtare të lirisë së vendit tonë.

Cyrih 17 Qershor 2011

Shkruan: Gani Qarri 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu