Gruevski-Ahmeti: Të përmbahemi nga provokimet

0
696

Shkup, 7 dhjetor- Partitë qeveritare VMRO-DPMNE e BDI kanë dalë me kumtesë të përbashkët nga takimi i liderëve Nikolla Gruevski e Ali Ahmeti.

Në këtë takim është diskutuar për çështje me rëndësi për qytetarët dhe vendin si dhe për çështje lidhur me marrëdhëniet ndëretnike. Bashkëbiseduesit kanë theksuar se realizimi i integrimit të vendit në BE dhe NATO është një përcaktim strategjik drejt përmbushjes të së cilës kemi një qasje me përkushtim maksimal, qasje të përgjegjshme dhe iniciativë në frymën e vlerave evropiane.

Në prag të Samitit të Këshillit Evropian ku pritet të diskutohet mbi perspektivën e vendit, dy liderët madje kanë konfirmuar përkushtimin ndaj reformave dhe progresit në pajtim me prioritetet e ndërmarra nga Dialogu i Lartë dhe të cilat deri tani realizohen me sukses, njëkohësisht, duke theksuar idenë për integrimin e Maqedonisë në BE si një faktor i fuqishëm shoqëror dhe koheziv.

“Partnerët qeveritar janë të përkushtuar në zbatimin e reformave dhe projekteve të përfshira në programin e Qeverisë të cilat janë në interes të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, dhe janë me interes për integrimin evropian dhe euroatlantik të vendit, sundimin e së drejtës dhe të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Gjithashtu, u theksua se ndërtimi i marrëdhënieve të mira ndër fqinjësore është në interes të vendit dhe e njëjta duhet të vazhdojë me një intensitet të pa zvogëluar,bazuar në parimet e njohjes dhe respektit të ndërsjellë me të gjithë fqinjët tanë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të dy partive. Lidhur me marrëdhëniet ndëretnike të dy liderët diskutuan edhe për ngjarjet e fundit me kremtimin e Ditës së Flamurit kombëtarë shqiptar, në ç’rast disa herë në opinion kjo shihej si provokim.

Ata u dakorduan se bashkëjetesa multi-etnike dhe multi-religjioze është e një rëndësie të veçantë për zhvillimin e shoqërisë. “Komunitetet duhet të respektohen, njihen dhe bashkëpunojnë.

Partnerët qeveritar vlerësojnë se secili komunitet duhet të respektojë identitetin e njëri -tjetrit, dhe se komunitetet kanë të drejtë të shprehin identitetin e tyre në mënyrë që nuk do të shqetësonte apo lëndonte ndjenjat e pjesëtarëve të komuniteteve tjera etnike apo interesat shtetëror, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet.

Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Maqedonisë janë të paprekshme dhe të garantuara nga shteti”, qëndron në kumtesë.

Gruevski dhe Ahmeti i kanë bërë apel opinionit që të përmbahen nga provokimet, duke shfrytëzuar marrëdhëniet ndër-etnike dhe ndër-fetare në funksion të qëllimeve të politikave ditore nga cili do subjekt apo individ. “Jemi të vetëdijshëm se përgjegjësia më e madhe në pjesën e marrëdhënieve ndëretnike bie në duart e elitave politike dhe veçanërisht në duart e politikanëve të cilët kanë fituar besimin më të madh nga qytetarët.

Të dy palët u zotuan se do të bëjnë gjithçka për të parandaluar çdo lloj tentimi për keqpërdorim dhe interpretim të gabueshëm të procedurave të cilat janë nga sfera e marrëdhënieve ndëretnike. Çështjet lidhur me identitetin nuk duhet të vihen në korrelacion me asgjë tjetër,vetëm me identitetin që është zgjedhje e vet komuniteteve.

Individ apo subjekte nuk duhet të krijojnë tensione apo të nxisin mosbesim nëpërmjet çështjeve të cilat janë të ndjeshme për ndonjë bashkësi etnike, si kushtëzimi i gjuhës, kombit, emrit, përdorimit të simboleve, dhe kërkohet mirëkuptim për çështjet e rëndësishme lidhur me identitetin për secilin komunitet, si dhe respektim të pakushtëzuar të ligjeve”, thuhet në deklaratën e përbashkët të VMRO-BDI.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu