Gruevski skenarë për Kërçovën

0
840

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski po përgadit skenarë që Kërçova edhe gjatë vitit të ardhshëm të mos bashkohet me komunat rurale shqiptare.

Kriza aktuale qeveritare dhe paralajmërimet për zgjedhje të parakohshme nga VMRO-DPMNE janë skenarë që të shtyhet plani për bashkëngjitjen e Kërçovës me tre komunat rurale, të dominuara nga shqiptarët, me ç`rast për herë të parë kjo komunë do të jetë me shumicë shqiptare, bëjnë të ditur për INA, burime qeveritare në Shkup.

VMRO-DPMNE synon që zgjedhjet të mbahen në muajt e fundit të këtij viti dhe kjo do të evitonte projektin e Kërçovës. Sipas Planit të Decentralizimit të vitit 2004 – 2005, Kërçova ishte lënë si komunë e pavarur, pa përfshirjen e komunave rurale Zajaz dhe Osllomejë, dhe se bashkimi i tyre do të duhej të realizohej në vitin 2009.

Mirëpo edhe në këtë vit nuk ndodhi ky plan, pasi që një marrëveshje midis kryeministrit Nikolla Gruevski dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti bëri që realizimi i planit të bashkimit të shtyhej në vitin 2013.

“Por, tani me afrimin e vitit 2013 dhe zgjedhjeve lokale, VMRO-DPMNE ka planifikuar skenarin që përmes një krize të përgjithshme politike, që do të provokonte edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, të shtyejë zbatimin e projektit të bashkimit të Kërçovës. Porn e jemi të vendosur që kjo marrëveshje të respektohet dhe Kërçovës ti bashkohen komunat rurale Zajaz dhe Osllomejë”, theksoi një zyrtar i lartë shqiptarë i BDI-së.

Bashkimi i komunave rurale Osllomej, Zajaz, Vraneshticë dhe Drugovë me Kërçovën do të krijonte këtë komunë të pestën me popullësi shumicë shqiptare në Maqedoni dhe një nyje kyçe e Korridorit 8 që do të lidhte Shkupin – Tetovën – Gostivarin – Kërçovën dhe Strugën e Dibrën. (INA)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu