Grushta 93 policëve!

0
800

Ndryshe nga një vakt, kur milicit i rrinin “gatitu”, këtyre policëve të demokracisë duket se nuk u frikësohet kush. Jo vetëm që nuk u frikësohen por madje për pak gjë, për një tiketë në trafik, nisin shamatën për “padrejtësinë” që po ua bëka polici duke i dënuar “për asgjë hiç” e madje shkojnë deri te sharja me nënë e kërcënimi se do t’ia bëjë kështu apo ashtu.

Madje ata më azganët edhe i sulmojnë policët në detyrë. Rastet e raportuara gati çdo ditë flasin për dukurinë gjithnjë e më shqetësuese të rrezikimit të personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës. Jo vetëm policëve, por edhe pylltarëve, punëtorëve të ujësjellësit apo inkasantëve të rrymës që janë viktimat më të shpeshta.

Kapadainjtë me “shpinën e fortë”

Autoriteti, respekti ndaj uniformës do të duhej të ishte i pakontestueshëm, por te një pjesë e shoqërisë tonë tashmë ka ndryshuar, krahasuar me të kaluarën kur as nuk është guxuar të mendohet kundërshtimi i një polici, apo ndonjë zyrtari tjetër gjatë kryerjes së detyrës, e lëre më kanosja e tij fizikisht. Gati çdo ditë rastis të kemi raste ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës gjatë kryerjes së detyrës pengohen nga persona civilë e në rastin më të keq edhe përleshen fizikisht me ta.

Zakonisht janë persona që kanë lidhje me politikën, fëmijë të politikanëve apo pjesëtarë të grupeve kriminale, nga ta që e kanë “shpinën e fortë” të cilët edhe policët i qesin në pozita të palakueshme kur kanë të bëjnë me ta, në pozitën “hip se të vrava, zbrit se të vrava” pasi nuk janë as në gjendje t’i arrestojnë apo dënojnë e as t’i lënë të bëjnë çfarë të duan.

Ndodhin, madje jo shumë rrallë, edhe rrahjet që u janë bërë policëve e madje edhe plagosjet siç ishte në Gjakovë vitin e kaluar, por e keqja më e madhe është se raste të tilla po vazhdojnë.

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në Policinë e Kosovës janë lajmëruar 93 sulme ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës, numër ky i konsiderueshëm në të cilat viktimë janë edhe vetë policët, ata që do të duhej të mbronin të tjerët, por nuk mund të mbrojnë as veten.

Rastet janë nga më të ndryshmet. Për shembull, siç ishte ditë më parë, për t’iu shmangur ndalimit nga policia e kanë goditur veturën e policisë duke shkaktuar ndeshje me qëllim dhe kanë ikur duke lënë dy policë të lënduar. Gjithashtu ka raste të sulmit dhe lëndimit të policëve gjatë asistimit.

Një nga to ishte rasti i muajit të kaluar në fshatin Strellc i Epërm të Deçanit, ku janë arrestuar gjashtë persona, pasi që kanë penguar dhe sulmuar tre zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe një gjyqtar të Gjykatës Themelore në Pejë kur, në bazë të një urdhërese të Gjykatës, ishin duke bërë ekzekutimin e çështjes përmbarimore, rrënimin e një shtylle të betonit.

Në këtë incident tre policë patën pësuar lëndime si pasojë e përleshjes fizike me personat. Ata pas pak u arrestuan, por policët përfunduan në spital.

Para lufte paloseshin si pula

Sidomos kundërshtimi i policëve nga dofarë shoferësh “kapadai” është bërë një fenomen i shpeshtë. Disa të dehur e disa të kthjellët, nuk iu përmbahen urdhrave të policëve, nuk pranojnë t’u bëhet alkool-testi e kur polici vendosë t’ua shqiptojë ndonjë gjobë ata revoltohen duke i sharë e kërcënuar e në disa raste duke i kanosur edhe fizikisht.

Bashkë me ta edhe hajnat e malit, prerësit ilegalë të druve janë një nga kategoritë me të cilët policët e sidomos pylltarët kanë probleme. Në shumë raste kur ndalen nga policia ata kundërshtojnë t’i dorëzojnë drutë e prera, por shpesh as që i ndalen Policisë duke i rrezikuar.

Të njëjtin fat e kanë edhe zyrtarët e Ujësjellësit, KEDS-it dhe rojtarët e pyjeve. Rojtarët e pyjeve janë kategoria e zyrtarëve më e rrezikuar gjatë kryerjes së detyrës, sepse ballafaqohen me ata që kanë dëshmuar të jenë të rrezikshëm, duke i sulmuar herë me armë e herë më sëpata rojat e pyllit të cilët nuk kanë të drejtë të mbajnë as armë me vete.

Javën e kaluar në Lipjan, zyrtari i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, i cili kishte shkuar ta kontrollojë ujëmatësin, kishte hasur në ashpërsinë e një personi, cili madje e kishte therë me thikë. Rrezikut të njëjtë i ekspozohen edhe zyrtarët e KEDS-it, sidomos kur marrin detyrën “e rëndë” që për shkak të borxhit dikujt t’ia ndërpresin energjinë elektrike apo t’i kontrollojnë orët për matjen e rrymës.

Dikush ndoshta mund t’i lidhë të gjitha këto me sjelljen joprofesionale, që nuk përjashtohet, por një gjë duket gati e qartë. Kultura e një pjese të popullsisë viteve të fundit ka shkuar në atë drejtim se nuk duhet t’i nënshtrohen askujt. Shumë nga ta kanë harruar se para luftës as që u ka shkuar mendja ta kundërshtojnë ndonjë polic e lëre më ta rrahin.

Nëse ka pasur edhe të tillë, pasojat kanë qenë aq të rënda sa i kanë dhënë mësim jo vetëm kryesit, por edhe të tjerëve përreth.

 

Nga: Tahir Lushi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu