Grykësi vulgare

0
750

Rasti i Azem Sylës, i cili, duke shkelur ligjet zvicerane, ka përvetësuar gati gjysmë milioni franga nga sigurimet sociale, e dëmton rëndë imazhin edhe ashtu të keq të shqiptarëve në Zvicër.

Rasti i Azem Sylës, i cili, duke shkelur ligjet zvicerane, ka përvetësuar gati gjysmë milioni franga nga sigurimet sociale, e dëmton rëndë imazhin edhe ashtu të keq të shqiptarëve në Zvicër. Përtej kësaj sjellja e Sylës duket se simbolizon energjinë plaçkitëse të një pjese të politikanëve që hiqen si çlirimtarë – e në fakt dolën  grabitqarë të Zvicrës dhe të Kosovës

Azem Syla e mban veten për patriot të madh. Para disa ditësh në faqet e kësaj gazete ai botoi një artikull të shkruar këmbadoras. Tregonte si në kllapi se nuk ka qenë anëtar i shërbimit të fshehtë të Partisë Demokratike të Kosovës, i cili po del të ketë qenë, mes tjerash, një organizatë nëntokësore e naftës, mjaltës dhe suxhukut. Azem Syla thoshte se nuk ka pasur nevojë të jetë anëtar i këtij shërbimi, sepse, sipas tij, s’ka ndodhur kund që shefi të jetë anëtar i një shërbimi. Pra, Azem Syla thoshte: “Unë kam qenë i madhi fare, kam qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku keni parë ju që shefi të jetë anëtar i ndonjë shërbimi të fshehtë”. Duke iu referuar akuzave të shumta në opinion kundër shërbimit mjaltë-pelin të PDK-së, Syla në tekstin e tij kërcënohej se askush nuk mund ta frikësojë atë, por pastaj, befas, u drejtohej lexuesve me gjuhën e odave të rangut të tretë, duke thënë “Mosni vllazni”. Domethënë: mos na fajësoni se ne s’kemi bërë gjë, ne e kemi çliruar Kosovën, pa neve s’do ta gëzonit lirinë. Shpesh kur njeriut i mungon sinqeriteti, atëherë atë pavetëdijshëm e tradhton gjuha. Kur një politikan nuk ka argumente, ai thotë: “Mosni vllazni”.

Por nëse “vllaznia”, pra opinioni në Kosovë, e ka lënë të qetë Azem Sylën bashkë me shokët e tij, kryesisht për shkak të frikës, kjo nuk domethënë që autoritetet zvicerane e lënë të qetë. Azem Syla ka ardhur në Zvicër në fund të vitit 1994, në kohën e represionit serb në Kosovë. Këtu, në Zvicër, është pritur si çdo i përndjekur: ka fituar një strehë mbi kokë dhe mbështetje financiare nga njëri prej shteteve më të sigurta dhe me standardin më të lartë në botë. Në Zvicër Azem Syla nuk ka punuar asnjë ditë. Është marrë me “punë patriotike”. Thotë se e ka themeluar UÇK-në. Se ka qenë kreu i saj. Etj. Etj. Por si mund të përputhen të gjitha këto përbetime e funksione gjoja patriotike me faktet që kanë nxjerrë në sipërfaqe autoritetet zvicerane? Syla, sipas një vendimi të një gjykate zvicerane, ka marrë një pension për shkak se ka arritur t’i bindë mjekët zviceranë se nuk është mirë me shëndet. Nuk kishte grip, ishte diçka më serioze. Mjekët konstatuan se Syla ka probleme psikike dhe është totalisht i paaftë për punë. 100 për qind! Pasi kishte marrë me vite ndihmë sociale (franga të freskëta të taksapaguesve!), Sylës iu nda një lloj pensioni.

“Parazit social”

Në dekadën e fundit ai supozohet se nga arka e sigurimit invalidor të Zvicrës ka marrë gati gjysmë milioni franga (saktësisht 426 mijë franga). Gjykata zvicerane tash ka konstatuar se Azem Syla në mënyrë të përsëritshme ka shkelur dispozita të rëndësishme ligjore dhe me vite të tëra në mënyrë drastike e ka shfrytëzuar dhe madje keqpërdorur sistemin social të Zvicrës. Me fjalë të tjera: Azem Syla tash nga autoritetet zvicerane quhet keqpërdorues i sistemit social. Të tillë e përshkroi edhe gazeta “SonntagsZeitung” e Zürich-ut, të dielën. Që nga ajo ditë Syla është lajmi edhe në portalet informative të Zvicrës. Është temë debati. Në komentin e saj gazeta “SonntagsZeitung” e quajti Sylën një “parazit social” që vjen në Zvicër dhe keqpërdor sistemin social. Që situata të jetë edhe më bizare, deputeti i PDK-së as që është i vetëdijshëm se ka bërë ndonjë shkelje. Jo! Ai kërkon që edhe më tutje Zvicra t’ia paguajë pensionin. Guximi i atij që s’ka turp është i pakufishëm. Duket se Syla i përket kësaj kategorie. Nëse s’është i tillë, le ta dëshmojë të kundërtën para opinionit kosovar dhe para gjyqësisë zvicerane.

Sjellja e Azem Sylës e dëmton rëndë imazhin edhe ashtu të keq të shqiptarëve në Zvicër. Sjellja e tij i dëmton mijëra punëtorë shqiptarë, të cilët prej dekadash punojnë punët më të rënda në ndërtimtari dhe industri dhe me shëndet të rrënuar duhet të vazhdojnë argatërinë e tyre, sepse autoritetet nuk u besojnë më që janë të sëmurë. Nuk u besojnë pikërisht për shkak të personave si Azem Syla ose si ai profesori i Universitetit të Prishtinës që kishte marrë pension invalidor në Zvicër dhe pasi ishte kthyer në Kosovë ishte bërë drejtor klinike. Ata që e njohin shoqërinë zvicerane që tani e dinë se tema apo thënë më mirë skandali i Azem Sylës do të jetë pjesë e debateve në çdo tavolinë buke në familjet zvicerane. “E keni parë atë kosovarin, gjysmë milioni i kishte përvetësuar?” Ky rast do të ngjallë reagime edhe raciste: “Kështu janë këta, tipik kosovar, tipik shqiptar, e kanë në gjak mashtrimin”. Një mjek shqiptar para disa javësh tregoi në televizionin zviceran se kur kishte shkuar të vizitonte një pacient, ai, duke mos e ditur që është shqiptar, i kishe thënë: “Zoti doktor, unë i kam dy qen”. Mjeku ia kthen: “Ah, shumë mirë”. Pacienti: “A e dini pse i mbaj qentë?” Mjeku: “Jo”. “Që t’i lëshoj për t’i ndjekur shqiptarët”.

Ligjvënësi shkel ligjin

Nga ky imazh i keq i shqiptarëve në Zvicër nuk vuajnë Azem Syla dhe shokët e tij, që vijnë këtu për të ndukur diçka nga sistemi social. Nën këtë imazh të keq vuajnë mijëra shqiptarë që kanë lënë shëndetin duke punuar punët më të rënda. Nën këtë imazh vuajnë djemtë dhe vajzat e mrekullueshme shqiptare nga Kosova, Maqedonia, Presheva dhe gjetiu, të cilët kanë kaluar shumë barriera dhe sot si mjekë operojnë pacientë, si juristë drejtojnë zyra avokatie, si bankierë administrojnë aksione dhe kryejnë transaksione në banka të mëdha zvicerane dhe ndërkombëtare, si arkitektë mbikëqyrin projekte të mëdha. Kjo gjeneratë nuk dëshiron të identifikohet me figura si Azem Syla dhe qylaxhinj të tjerë. Ç’është kjo grykësi vulgare?

Azem Syla është ligjvënës. Por atij me gjasë nuk i ka shkuar mendja të njoftojë autoritetet zvicerane se pasi merr rrogë si deputet i Kuvendit të Kosovës duhet të rishikohet pagesa e pensionit në Zvicër. Për këtë ka qenë i obliguar sipas ligjit zviceran. Ka qenë i obliguar të njoftojë se përveç rrogës si deputet merr pagë edhe si anëtar i Kryesisë së PDK-së. Autoriteteve zvicerane Azem Syla u ka thënë se në Kosovë është lajmëruar apo regjistruar si banor tek më 18 nëntor 2010. A thua është e vërtetë që Syla të mos ketë jetuar zyrtarisht në Kosovë që nga ajo ditë kur iku nga Kosova në tetor 1994? Sjellja e tij nuk e dëmton vetëm imazhin e diasporës në Zvicër. Dëm i madh i është shkaktuar – sërish – edhe imazhit të Kosovës, sidomos në Zvicër. Disa do të pyesin: po kush paskësh qenë ministër i Mbrojtjes në të ashtuquajturën “qeveri të përkohshme” të kryesuar nga Hashim Thaçi? Një person (Azem Syla) me të meta psikike, invalid 100 për qind? Duke pasur parasysh aktivitetet e Sylës pas luftës, angazhimin e tij në politikë dhe në biznes, vështirë të besohet se ai është me të meta psikike. A thua i ka mashtruar autoritetet zvicerane? Kjo pyetje mbetet në ajër, vetëm Syla mund t’i japë përgjigje. Sigurisht për imazhin e Kosovës nuk është ndihmues fakti që Syla para autoriteteve zvicerane ka deklaruar se ka pasur pasaportë të Shqipërisë, të cilën, siç ka pranuar, e kishte blerë në rrugë. Ministri i Mbrojtjes i Qeverisë së dikurshme të Thaçit me pasaportë të falsifikuar? A thua të gjitha këto i ka bërë nga pakujdesia? Nga padija? Nga naiviteti? A ka qenë i vetëdijshëm se çdo angazhim në jetën publike kërkon deri-diku një pastërti biografike? Po themi deri-diku, sepse – shih Berlusconin! – është iluzion të presësh politikanë plotësisht të pastër, së paku jo në hemisferat tona mesdhetare dhe ballkanike.

Morali dhe betoni

Rastet e tilla si ky i Sylës, rastet e “komandantëve” të tjerë që votojnë nga 150 herë, rastet e keqpërdorimit të lirisë, rastet e shfrytëzimit të pushtetit për zullum, kanë ndikuar që në shoqërinë e Kosovës në mënyrë rapide të bjerë respekti për atë që quhet “epoka e UÇK-së” dhe bartësit e saj. Syla dhe shokët e tij duhet ta pyesin veten pse është kështu – jo opinioni, sepse ai nuk ka faj. Njëri prej krerëve të PDK-së para disa muajsh në një bisedë të gjerë thoshte: “Për fat të keq këta nuk janë më shokët e idealit”. Këta idealin e kanë shkëmbyer me paranë. Moralin me beton. Etikën me asfalt. Njerëzinë me shpifje. Ligjin me mashtrim. Patriotizmin e shëndoshë me parulla bajate. Pavarësinë me përralla. Republikën me rrena. A është i vetëdijshëm Hashim Thaçi për këtë degradim? A po e sheh ai në cilën anë të historisë do të mbesë? Pse po hesht për të gjitha këto? I miraton? Derisa hesht është bashkëfajtor. A do të heshtë edhe për rastin Syla? Me gjasë po. Por do të heshtin edhe të tjerët në PDK. Sepse etja për pushtet i ka bërë joparimorë. A e vret ndokënd ndërgjegjja kur njerëzit e Kosovës pyesin veten: cilat paskan qenë motivet e vërteta të këtyre njerëzve që po thonë se kanë luftuar për Kosovën? A thua ata ndonjëherë shqetësohen se me këto sjellje të tyre, me këtë lakmi e pangopësi degraduan çdo sakrificë të atyre ushtarëve të UÇK-së, të cilët para tytave të pushkëve të vjetra e vendosën trimërinë e tyre kundër regjimit kriminal të Serbisë së Slobodan Milosheviqit?

Ah, për pak harruam: Zvicra ka qenë jo vetëm strehë e sigurt e mijëra shqiptarëve të përndjekur nga terrori serb. Këto ditë në Kosovë qëndroi Peter Maurer, sekretar shteti në Ministrinë e Jashtme të Zvicrës. Në procesin e pavarësimit të Kosovës ky emër është i pakalueshëm. Më 27 maj 2005, Maurer, atëbotë ambasador i Zvicrës në OKB, gjatë një debati për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, kishte thënë se kthimi i Kosovës nën sundimin serb “nuk është as i dëshirueshëm, as realist”. Në vend të kësaj Maurer kishte propozuar që të gjendet rruga drejt pavarësisë. Kështu Maurer u bë diplomati i parë që e përmendi fjalën pavarësi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

[email protected]

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu