Gurthyesit mbytës

0
1348
Gurethyeset
Kompania “Kodra” nuk i paguan asnje cent Komunes edhe pse ka fituar Miliona €

Banorët e tri fshatrave të Mitrovicës, Koprivë, Brabaniq e Koshtovë, janë në siklet nga një gurthyes që po ua pamundëson jetën normale. Banorët e këtyre fshatrave kanë kërkuar nga kryetari Agim Bahtiri të gjejë një zgjidhje. Kompania ka leje për vazhdimin e punimeve

Gurthyesit, legalë e ilegalë, vazhdojnë të jenë ndotësit më të mëdhenj të ambientit, jo vetëm në rajonin e Mitrovicës dhe të komunave të rajonit, por edhe në gjithë Kosovën.

Pronarët e tyre, të cilët përfitojnë në dëm të interesit dhe shëndetit të qytetarëve, ndonëse disa kanë siguruar leje mjedisore dhe kanë licenca, vazhdojnë të mos e vrasin mendjen për dëmin që u bëhet qytetarëve, në fshatrat në afërsi të të cilave operojnë.

Natyrisht, me lejet mjedisore që kanë marrë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe me licencat e siguruara nga Komisioni i Pavarur i Minierave dhe Mineraleve, gurthyesit në rajonin e Mitrovicës dhe të komunave të rajonit, Skenderaj, Istog dhe Vushtrri e kline, vazhdojnë të jenë mbytësit më të mëdhenj të ambientit.

Në shtëpitë në afërsi të gurthyesve është shumë e vështirë të jetohet nga pluhuri dhe zhurma, ndërsa në oborre të shtëpive shtresa e krijuar e pluhurit ngjason në shtresë bore.

Banorët e tri fshatrave të komunës së Mitrovicës, Brabaniqi, Kopriva dhe Koshtova, ka një kohë të gjatë që nuk lejojnë fillimin e punës së një gurthyesi në afërsi të fshatrave të tyre.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, dhe bashkëpunëtorët e tij kanë takuar përfaqësuesit e këtyre fshatrave dhe kanë dëgjuar shqetësimet e tyre lidhur me gurthyesin që kompania “Haxha” synon ta hapë në afërsi të këtyre fshatrave.

Kjo kompani ka siguruar licencën, por ndonëse kanë kaluar dy vjet, ajo nuk është lejuar nga banorët që t’i fillojë hulumtimet në atë pjesë për eksploatimin e gurit.

Në të vërtetë, përfaqësuesit e këtyre fshatrave i kanë njoftuar drejtuesit e Komunës me peticionin që e kanë nënshkruar banorët, me të cilin kërkojnë që të mos lejohet hapja e një gurthyesi në afërsi të këtyre fshatrave.

Gurethyeset

Kompania “Kodra” ka disa muaj që po krijon të hyra prej qindra mijëra euro nga shitja e gurëve konzorciumit “Bechtel & Enka”, e cila është e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për ndërtimin e autostradës së kombit, nga prona e uzurpuar publike në Komunën e Drenasit.

Bëhet fjalë për shfrytëzimin e një sipërfaqe prej rreth 80 hektarëve në zonën kadastrale Sankoc në Drenas, për të cilën kompania “Kodra”, e cila udhëhiqet nga Enver Zogaj, kishte marrë një pëlqim nga Drejtorati për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik i kësaj Komune.

Mirëpo, përpos këtij pëlqimi, asnjëherë kompania në fjalë nuk ka arritur të marrë aprovim nga Kuvendi Komunal për shfrytëzimin e pronës prej dhjetëra hektarësh.

Burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se prej fillimit të aktivitetit të kompanisë “Kodra”, dhjetëra kamionë të “Bechtel & Enkës” mbushen çdo ditë me zhavorr nga prona publike, të cilën e menaxhon kompania “Kodra”, përderisa Komuna e Drenasit nuk e inkason asnjë euro ne emër të taksave lokale për shfrytëzimin e pronës së saj.

Bislim Zogaj, nga PDK-ja dhe vëlla i Enver Zogajt, thotë se biznesi i vëllait të tij është legal, dhe për punën që ai bën paguan taksa Republikës së Kosovës.

Zogaj pohon se vëllai i tij Enveri për një kohë ka punuar në Gjermani, kështu që pas disa vitesh pune ai ka vendosur që të kthehet dhe të investojë në Kosovë.

Mbi 200 gurëthyes, demolojnë Kosovën

gurthyesi
Pronar: Idriz Thaçi, vëllai i ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, i cili figuron si person kontraktues i gurthyesit “Geo Mineral”, me bazë në Astrazub të Malishevës.

Shkatërrimi i ambientit në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese. Brenda vitit shumë kodra, zona malore, po shkatërrohen.

Disa operatorë shihen edhe në hapësirën e Drenasit, jo larg magjistrales Pejë-Prishtinë, të cilët shembin bjeshkë.

E njëjta situatë është edhe në magjistralen Prishtinë – Gjilan, afër liqenit të Badovcit, si dhe në hyrje të Gjilanit, ku bjeshkët që kanë qenë para 10 vjetëve thuajse me nuk ekzistojnë.

Kjo gjendje e rëndë ambientale është si pasojë e plot 184 gurthyesve të licencuar të cilët po e degradojnë ambientin në Kosovë.

Alarmuese situata është kur t’i shtohen edhe 35 gurthyes, të cilët llogariten se ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë ilegale.

E vështirë për t’i ndaluar nga degradimi i natyrës dhe ambientit, po del të jetë për Ministrinë e Ambientit, pasi që këta gurthyes janë të lidhur fort me njerëzit e politikës.

Të shqetësuar dhe të preokupuar dhe pa bërë gjumin rehat qe 7 vjet janë edhe banorët e Gadimes së Lipjanit.

Ata thonë se krejt kjo po vjen për shkak të zhurmës së gurthyesve dhe të kamionëve që bartin zhavorr.

Afërsia me shtëpitë ku operojnë katër gurthyes, ka bërë që disa prej këtyre banorëve t’u rrezikohet seriozisht shëndeti nga pluhuri dhe t’u çahen muret e shtëpive.

Në shenjë proteste banorët kishin bllokuar rrugën disa herë në mes të shtëpive nga ku kamionët kalojnë ditë e natë pandërprerë. Madje ata kishin dorëzuar vitin e kaluar një peticion në Komunë, ku nuk u është bërë ndonjë zgjidhje.

Skender Tasholli, banor i fshatit Gadime, thotë se jeta për ta është bërë e vështirë.

“Kamionët 40 tonësh kalojnë nëpër fshat pa ndërprerë, gurthyesit minojnë me dinamit deri në 3000 kilogramë bjeshkët”, ka thënë ai.

Komuna e Lipjanit vite më parë u kishte dhënë një pjesë të tokës në shfrytëzim disa gurthyesve.

Lidhja me politikën po del të jetë edhe në rastin e Idriz Thaçi, vëllai i ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, i cili figuron si person kontraktues i gurthyesit “Geo Mineral”, me bazë në Astrazub të Malishevës.

Kjo kompani e cila merret me nxjerrje të mineraleve gjendet në një fshat të Malishevës, komunë e cila ishte qeverisur nga për një kohë të gjatë nga PDK-ja.

Gurëthyesi ishte regjistruar në ARBK në muajin maj të vitit 2008 në kohën kur Hashim Thaçi kishte bërë vetëm pesë muaj në karrigen e kryeministrit të vendit. Kompania kishte një fillim të fuqishëm në këtë biznes pasi që ishte angazhuar si nënkontraktor i “Bechtel-Enka”-s në ndërtimin e autostradës së Kosovës, por kishe fituar edhe tre tenderë publikë nga KEK-u, vlera totale e të cilëve është rreth 1 milion e 600 mijë euro. ”Geo Mineral” në vitin 2009 kishte fituar një tender në vlerë prej 1 milion e 200 mijë eurosh dhe një tjetër vlerë prej 205 mijë eurosh. Po ashtu një tender tjetër e fitoi në vitin 2011 dhe vlera e tij ishte mbi 150 mijë euro.

Midin Bojaxhiu, drejtor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, ka thënë për gazetën “Zëri”, se sipas Ligjit për Minierat dhe Mineralet, janë të parapara kriteret që kompanitë që janë të interesuara të pajisen me Leje për Aktivitete të veçanta.

Sipas tij, njëri ndër kriteret kryesore për të marrë leje nga KPMM-ja (sipas Nenit 38, paragrafi 1.7), është pëlqimi mjedisor i lëshuar nga MMPH-ja.

“Çdo kompani që është e kompletuar me dokumentacion është licencuar nga KPMM-ja dhe posedon licencë aktive”, ka thënë Bojaxhiu, duke shtuar se ato të cilat nuk kanë mundur të kompletohen me dokumentacione përkatëse, ju dërgohet vërejtja për plotësim të dokumentacionit dhe nëse brenda afatit të caktuar nuk i sjellin dokumentacionin e kërkuar atëherë këto aplikacione refuzohen.

Në bazë të raporteve nga terreni për vitin 2014 janë evidentuar 35 veprime ilegale – Separecine, kurse deri më tani për vitin 2015 janë evidentuar 4 raste të cilat janë në procedurë ligjore, Prokurori dhe Gjykata.

guregjyeset 3

Gurethyeset 2

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu