Guximi për të bërë krim!

0
749

Studiues dhe analistë të ndryshëm janë marrë shumë këtë periudhë me fenomenin e shpeshtuar të krimit në vendin tonë, duke na sjellë në vëmendje shkaqet, pasojat, rrethanat dhe në njëfarë mënyre kanë dhënë edhe parashikime e perspektiva. Por, a nuk ia vlen të ndalemi pikërisht tek guximi për të bërë një krim?! Vrasësit, pavarësisht moshës, edukimit, etj., janë të qetë në kryerjen e këtij akti, nuk iu dridhet dora e qerpiku, madje ndiejnë një lloj çlirimi kur zbrazin karikatorin deri në fund, gjersa të sigurohen që viktima e tyre ka vdekur. Duket e tmerrshme, por është pra një sistem që vetëfunksionon, që vetëfrymëzohet dhe bëhet agresiv, duke pasur të sigurt dy aspekte edhe më të frikshme: protagonizmin dhe mosndëshkueshmërinë.
Këta njerëz që kanë guximin dhe gjakftohtësinë për të kryer një krim kaq të rëndë, jo vetëm që e kanë bërë jetën tonë më të pasigurt, por bëhen përfitues edhe të të qenit personazhe publike dhe aq më shumë, fitojnë mosndëshkimin, duke u gjendur befas të pafajshëm para (mos) drejtësisë. Sigurisht, asgjë nuk mund të përgjithësohet, sepse duhet parë nga afër çdo situatë konflikti, qoftë familjar e shoqëror, por edhe i personave të ndryshëm që kanë tendenca kriminale në të kaluarën, apo edhe të bërë rishtazi kriminel. Megjithatë, nuk duhet të mjaftohemi vetëm me evidentimin dhe regjistrimin e aktit, por tek guximi i fshehur që më pas degjeneron në krime të rënda, plagosje e deri në vrasje.
Të bën përshtypje ekzistenca e hezitimit dhe shmangies ndaj krimit dhe kriminelit, jo sepse qytetari apo punonjësi i rendit ka frikë të denoncojë dhe ndërhyjë, por sepse tek autori i krimit ka një guxim që të frikëson. Është ky efekt psikologjik apo patologjik? Kjo është punë e mjekësisë dhe psikologjisë për të na treguar se çfarë e bën një njeri të jetë i tillë. Sikundër e kam theksuar edhe në përsiatje të tjera, po rritet vrullshëm, bashkë me numrin e krimeve, edhe ndjesia e të qenit kriminel brenda dhe jashtë ndërgjegjes, si tek një 40-vjeçar, edhe tek një 14-vjeçar. Guximtari i krimit mund të ketë në brez jo domosdoshmërisht armë të rënda, por edhe armë të ftohta dhe nuk përjashtohet që brenda pak momentesh, viktima mund të jesh ti. Guximi për të bërë krim tek këta njerëz është një potencial i fuqishëm si mjet dhe si qëllim. Nuk bëhet fjalë për momente të caktuara të krizave, situatave të gjaknxehtësisë, ku njerëzit kalojnë edhe në krim dhe armët përdoren, të ndikuar nga faktorë që e çojnë njeriun deri në krim, si problemet ekonomike, sociale, juridike etj., por për diçka të konsoliduar thellë në vetëdije. Shumëkush mund ta quajë këtë guxim, ordiner. Por mendoj se shqetësim është krimi ordiner, si vrasja e një kushëriri për gardhin e shtëpisë, krimi i çastit në familje, në mungesë të zgjidhjes së bazës ligjore… Krimet e kryera kohët e fundit nuk flasin thjesht dhe vetëm për këtë lloj krimi, por për një formë komunikimi të kriminelit me vetveten, që guximi e bën të përligjet. Prandaj kjo kategori njerëzish kënaqet dhe frymëzohet më shumë duke dëgjuar historitë thriller të Bin Ladenit, sesa bëmat e mira të Nënë Terezës. Mos harrojmë se të dy këto personazhe kishin guxim “të tepruar”, por çështja shtrohet se cilin model zgjedhim ne?!
Në këtë hulli që na ka përfshirë të gjithëve, mendoj se për çdo grupmoshë duhet punuar në mënyrë specifike që guximin për të bërë një krim ta transformojmë në guxim për të bërë një të mirë. Për grupmoshat e para, veç sistemit të fortë të edukimit, është i nevojshëm edhe riedukimi, sidomos për shtresën e fëmijëve dhe të rinjve të rrugës, që duhen sistemuar një orë e më parë në vende publike të edukimit. Ata po bëhen gangrenë për shoqërinë dhe bartës të frikshëm të krimit. Guximi tek ata kultivohet më shpejt dhe rrënjoset më thellë. Tek grupmosha e dytë, puna kryesore duhet bërë në nivelin mediatik. Me keqardhje mund të thuhet se media (kryesisht ajo e shkruar) e ka kthyer kronikën e zezë në ushqim të neveritshëm dhe të rëndomtë. Reduktimi i këtyre kronikave dhe krijimi i hapësirave të reja informuese dhe çlodhëse, do e largonte këtë grupmoshë nga kureshtja e thellë për të parë e dëgjuar kush u vra dhe si u vra. Së fundi, për të moshuarit, të cilët janë më të sofistikuar nga përvoja, vlen të përcillet mesazhi, që ata të bëhen mesazherë të paqes dhe jo përtypës e mbulues të fenomenit. Shpesh ndikimi i “pleqve” dhe “plakave” është më i fortë se çdo faktor tjetër, i brendshëm dhe i jashtëm, sidomos tek brezat e rinj që janë në proces formimi.
Guximi për të kryer një krim është kthyer sot në një sfidë serioze, që të bën të mendosh se familja dhe shoqëria jonë ka nevojë për të injektuar brenda vetes së saj modelin e ri të reagimit ndaj kësaj kategorie njerëzish. Duke mos e bërë atë protagonist dhe duke e ndëshkuar me riedukim, “dora e krimit” do nisi të mendojë dhe veprojë ndryshe.

 

Nga Isidor Koti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu