Halit Krasniqi i PDK-së kërkoi dorëheqjen e zv.kryeministrit Pacolli

0
801

Prishtinë, 17 shtator – Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës deputeti i PDK-së, Halit Krasniqi, kërkoi dorëheqjen e zv.kryeministrit Behgjet Pacolli, raporton RTK.

Bazuar në zhvillimet e fundit rreth përfshirjes së zyrtarëve të Qeverisë në afera që dyshohen për korrupsion, deputeti i PDK-së Halit Krasniqi i bëri thirrje kryeministrit të vendit që të mendojë për ndryshime serioze në koalicionin qeverisës. Ai kërkoi reformatim me mundësi të zgjerimit me partnerë të tjerë, por me kërkesën që PDK-ja të ruaj rolin udhëheqës. Ai tha se do të ishte e moralshme që zv.kryeministri Pacolli, i cili nuk e ka pasur guximin të bëjë denoncim të menjëhershëm në organet e drejtësisë për çështjet që janë ngritur, të japë dorëheqje dhe më këtë do të krijohen mundësi për rishikimin e koalicionit aktual qeverisës.

”Institucioni i moralit politik, i cili duhet të funksionojë vazhdimisht, e sidomos me këto zhvillime, e kërkon dorëheqjen nga funksioni medoemos dhe në mënyrë të parevokueshme për të krijuar hapësirë institucionale veprimeve të drejtësisë. Goditje më të rëndë mbi imazhin e qeverisë nuk kemi pasur asnjëherë”, citon RTK-ja deputetin Krasniqi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu