Halla Miradije e AKR-së zëvendës-ministre për integrime evropiane

0
866

Informata për orientim : Halla Miradije është një plakë që jeton në një fshat të Republikës së Kosovës e cila tërë jetën e ka kaluar duke punuar punë të fushës dhe duke u kujdesur për familjen e saj të madhe. Nuk ka mbaruar shkollë dhe nuk di të shkruaj e as të lexojë. Së fundi,  një nip i saj që punon dhe fiton bukur shumë në Australi e ka regjistruar në Universitetin AAB-ë, drejtimi :” Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe menaxhimi i krizave “. >>>

 

Pa e njoftuar fare hallën Miradije! Gjatë formimit të partive të reja politike dhe në përpjekje të formimit të një klase të re politike, gjithashtu pa e pyetur fare hallën Miradije dikush e anëtarësojë atë në AKR, partinë më elitare në Kosovë e cila është e barasvlefshme me tifozerinë shkupjane “ Shvercerat “. Në kohën e krizës qeveritare në Kosovë dhe kur flitej për riformatimin e Qeverisë së Kosovës, në fshatin ku vegjetonte halla Miradije vlonte si në zgjua të bletëve! Vinin shumë gazetarë, politikanë ndërkombëtarë dhe “ baballarët e kombit “ kosovar si dhe elita politike e Kosovës.

Kishte shumë policë të EULESH-it, të Bajram Rexhepit, paramilitarë të Oliver Ivanoviqit dhe militarë të Sheshelit si dhe të Buhlerit! Si në ëndërr, fshati M.i L. u bë qendër ku përcaktohej ardhmëria e Kosovës, proceset integruese, siguria rajonale dhe globale si dhe proceset e tjera gjeostrategjike, politike dhe etike! Askush nuk dinte nga erdhi ky shpërthim interesimi i faktorëve vendimmarrës për këtë fshat të lënë pas dore ku jetonin bashkë vetëm dhija dhe halla Miradija! Dikush tha se në këtë fshat ishte parë apo se ishte kthyer Brahim Kudra ( mashkull me mbiemër të gjinisë femërore ) , një llaskuc dhe fundërrinë i cili i kishte shërbyer politikës së Millosheviqit ndërsa që në një kohë kishte qenë zyrtar në UNMIK dhe Ministrinë për Kthim dhe Komunitete! Spekulimet nuk kishin të ndalur! Nyjen e Gordit e preu z. Hell, Papa i Kosovës dhe gjithë kosovarisë.

E futi në xhip të zi si futa dhe e dërgoi në Prish- tinë. Për dhinë e hallës Miradie në fshatin M.i L. mbeti të përkujdesej një ish çoban i shndërruar në politikan ndryshe i njohur si njeri me një bosht kurrizor aq të lakueshëm sa që disa gojëkëqinj thonë se nuk e ka fare! Thonë se është fare pa kurriz dhe fare pa fytyrë! Kosova, si shtet i ri që është, është i mbushur plotë me kuriozitete! Pa kurriz dhe pa fytyrë! A nuk është kjo pasuri kombëtare, politike , morale dhe shtetërore ! Në shtetet normale një i tillë do dërgohej në Panteon të Marrëzisë ndërsa te ne e vendosin në Fronin e Lavdisë dhe Krenarisë! Por . ta shkurtoj këtë rrëfim që dikush mund ta quaj edhe improvizim dhe t’ju tregoj se ; me datën 27 prillnuer të vitit 1011, halla Miradije, militante e AKR –së u zgjodh zëvendësministre e Ministrisë për Integrime në Qeverinë e Republikës së Kosovës! Pa u pyetur fare! Dhe pa ditur se ç’po ndodhë me të ajo i picërronte sytë para dritave të kamerave të shumta.

 

Tash, kjo hallë 84 vjeçare u bë yll i fushatës; “ Kosova, young Europeans “! Prandaj, edhe priten njohje të reja. Për këtë ju garanton “ eksperti “ i certifikuar për lobim e sidomos për mashtrim e në veçanti për shantazhim, miku i Gadafit, Milutinit dhe Putinit, konsul nderi i Liberisë, kalë troje i Rusisë dhe Serbisë, kryetar i një koalicioni fisnor politik të Tanzanisë, zëdhënës i Kazakistanit dhe shpatë e Demokleut mbi kokën e Hashim Jaranit! I cili aq shumë e donë Kosovën dhe bashkimin me Shqipërinë sa që për 24 orë e fut brenda Serbinë dhe Rusinë! Përmes lobimit dhe investimit! Jarani i Hashimit dhe padroni i Krahimit ka deklaruar shpesh se rrezaton me sinqeritet, pozitivitet dhe konstruktivitet. Kurrë nuk i kam besuar e as sot nuk i besoj.

 

Në fakt, ka qenë i sinqert vetëm kur ka dhënë intervistë për kioskun informativ të Batonit dhe kur ka folur për zarfin e ambasadorit Hell! Aty i kam besuar. Sinqerisht ! Mirëpo, vetëm disa ditë pas intervistës” te klani i Batonit”, kur e pyetën për zarfin e ambasadorit Hell, ai tregoi se vuan nga amnezia ( harresa ) kronike. Ishte në gjendje të fliste edhe për brekët e Rihanës por jo edhe për zarfin e Hellit ! Ishte fare i humbur dhe frikacak sepse kur e pyetën për zarfin e Hellit para i dilte mjekrra elegante e Kristofer Dellit!

 

“ Lobuesi “ për njohje të pavarësisë së Kosovës dhe aspiratori ( thithësi ) i investimeve për Kosovën, detyrë kjo shumë patriotike me të cilën e ka ngarkuar kryeministri i Kosovës e ka pranuar postin e zkryeministrit të parë me një kusht se nuk obligohet të marrë pjesë në mbledhjet e Qeverisë së Kosovës sepse këtë e konsideron si humbje të kohës! Ece e mos thuaj se nuk është inteligjent! Pjesëmarrjen në mbledhje të Qeverisë së Kosovës e ka marrë si diçka fakultative ! Sikur dikur mësimi i gjuhës serbe në shkollat e Kosovës apo si sot mësimi i gjuhës shqipe për serbët në Kosovën multietnike! Nuk kam dëgjuar asnjëherë që një subjekt politik të ketë poste ministrore dhe ato të zministrave më shumë se që ka anëtarë të partisë! Tash po ndodhë ! Prandaj, konsulli i Liberisë u detyrua të shkoi në fshatin M.i L. për ta shpikur hallën Miradije si zministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës ! Për të shmangur krizën institucionale.

Për të mirën e Kosovës ! Nuk mund të gjeni kësi mashtruesi. Prandaj, duke e parë se me çfarë metodash shërbehet për të notuar dhe për të mbetur pjesë e politikës, duke e shantazhuar Hashim Thaçin dhe krejt Kosovën atëherë e keni shumë lehtë të kuptoni se si ka ardhur te paratë ! Thuhet se njëri ndër kushtet e Tanzimatit të tij politik prej 60 faqesh që i ka dorëzuar si kusht Hashim Thaçit për të pranuar që edhe më tutje të mbetet pjesë e koalicionit qeverisës ka qenë që ai të jetë kandidat i PDK për president të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme .

 

Pse jo ?! A mos do të bëhet më m..jaltë a?!

 

Dy lajmërime për qytetarët e Kosovës:

 

1.Në bisedimet “ teknike “ midis Beogradit dhe Prishtinës që do të mbahen në Bruksel në gjysmën e dytë të majit udhëheqësi i delegacionit serb, Borko Stefanoviq për shkaqe shëndetësore nuk do të jetë në gjendje ta drejtojë ekipin negociues. Në vend të tij, me pajtimin e plotë të Serbisë do të jetë Ksavier Bo de Marnak, boss i EULESH-it. Edhe delegacioni i Kosovës është pajtuar me këtë ndryshim. Prandaj edhe priten rezultate konkrete përmes arritjes së një marrëveshjeje politike e cila do t’i legalizonte strukturat paralele serbe dhe pas së cilës do të hapej Gjykata e Qarkut në Mitrovicën e Veriut. Ajo do të ishte plotësisht e hapur për gjykatësit e emëruar nga .. Beogradi. Gjykatësit kosovarë do të punonin në Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Gjilan. Nuk është se nuk kemi fituar asgjë!

 

2.Gjithashtu, në muajin maj pritet të hapet strehimorja e ndërtuar enkas për skamnorët dhe të pastrehët e Lagjes së Pajtimit. Ajo strehimore është ndërtuar në lokacionin ku më parë ka qenë hotel Iliria, në qendër të Prish-tinës. Kjo strehimore është ndërtuar me përkushtim dhe përkrahje financiare të Nursulltan, Behgjet Pacolli i Parë dhe i vetëm! Kërkesë e vetme e mirëbërësit Pacolli ka qenë që çelëst e banesave për të pastrehët t’i ndajë miku i tij shumë i ngushtë Jakup Krasniqi ndërsa Isa Mustafa do ta prente shiritin e inagurimit! Enver Hasani – Baba do të mbante fjalën e rastit ! Dhe do të fliste për të kaluarën e lavdishme të bëmirësit Behgjet Pacolli.

3.Konkurs për një vend pune në EULEX : Kërkohet një person për një vend të lirë në EULEX. Kaulifikimi nuk është fare i rëndësishëm. Kusht i domosdoshëm është të jeshë shqiptar, i fesë myslimane dhe ta kesh me vete flamurin kombëtar të cilin do ta përdori për nevoja higjienike! Kushtet e punës janë shumë të mira. Nuk do të punohet në kushte stresi por në situatë të relaksuar me ç’rast do të rraheni fizikisht së paku 5 herë gjatë ditës, do të fyheni në baza kombëtare dhe fetare dhe do të punoni në ritmin e muzikës : “ ko to kazhe , ko to llazhe, Srbija je malla “.

Mos e lëshoni këtë rast ideal për të siguruar një vend pune. Aplikacionet i dërgoni në adresën , Satrapi Leo, shef i sigurimit të Ksavier Bo de Marnak, shef i EULEX-it, Prishtinë , Kosovo i Metohija, Republika Serbia! Kërkesat do të shqyrtohen pas kthimit tim në vend të punës pas “ suspendimit “ që e provokuan mediet kosovare përkatësisht informatat që rrodhën nga brenda e që nga miza i bëri buall Klan Kosova. Nëse nuk besoni, pyeteni z. Sparks, zëvendësin e shefit tim!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu