Haradinaj: Brenda javës dihet epilogu me PDK’në

0
660

(E plotësuar) Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka deklaruar se brenda kësaj jave do të dihet epilogu me PDK-në dhe në rast se nuk ka një marrëveshje për bashkëqeverisje, gjendja do të mbetet kështu siç është deri në kohen e zgjedhjeve.

Haradinaj ka thënë se për pak ditë do të shihet se a do të ketë marrëveshje për bashkëqeverisje me PDK-në apo jo, në të kundërtën, ai ka deklaruar se do të presin deri kur të vijnë zgjedhjen në vend.

“Për pak ditë, nuk bëhet fjalë edhe për javë do t’i pajim epilog një mundësie të këtillë. Pra, vetvetiu po mbërrijmë te një epilog. Me vjen keq nëse kjo ka shkaktuar dilema ose çfarëdo qoftë tjetër, por me siguri se do të vijë deri te ky epilog”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se nëse do të ketë marrëveshje për bashkëqeverisje me PDK-në, atëherë menjëherë do të fillojnë të punojnë, në të kundërtën, Haradinaj ka deklaruar se do ta presin mundësinë deri që ta marrin qeverisjen në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në vend.

Koalicion ose zgjedhje

Ramush Haradinaj do ta presë vetëm deri në muajin shkurt përgjigjen e Hashim Thaçit për çështjen e koalicionit. Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi thotë se nëse nuk arrihet marrëveshja, partia e tij do të angazhohet për zgjedhje. Ndërsa, në PDK pohojnë se pengesë e re për marrëveshje mund të jenë zgjedhjet e brendshme në Aleancë.

Partia e Ramush Haradinajt ka vendosur të presë muajin shkurt për të hyrë në koalicion me PDK’së ose do të angazhohet që sa më shpejt vendi të shkojë në zgjedhje parlamentare.

Këto dy opsione i ka përmendur Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi.

Ai ka thënë se ende besojnë që kërkesa e tyre, që Ramush Haradinaj të bëhet Kryeministër, do të pranohet nga PDK’ja, ndërsa e përmend muajin shkurt si afatin përfundimtar për të bërë ose jo koalicionin.

“Shkurti pritet të jetë muaji kur mund të vendoset për koalicionin”, ka thënë Isufi për Express të martën.

“Tjerat opsione janë të shkohet në zgjedhje, të cilat mundësojnë me reformën zgjedhore të jenë zgjedhje demokratike”, ka shtuar ai.

Ramush Haradinaj prej kthimit nga Haga në Kosovë, në fund të nëntorit 2012, vazhdimisht ka shprehur gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Hashim Thaçin, me kushtin që të jetë në krye të Qeverisë.

Për të arritur këtë qëllim, AAK ka përkrahur shumicën e nismave të Qeverisë, ndërsa Nënkryetarin e Parë e ka deleguar si Koordinator në bisedimet Kosovë – Serbi.

Aktualisht votat e AAK në Kuvendin e Kosovës janë vendimtare për të kaluar vendimet e Qeverisë, pasi koalicioni PDK-AKR i ka më pak se gjysmën e votave të deputetëve.

Megjithëkëtë, udhëheqësit e PDK’së kanë premtuar se do t’i kthejnë AAK’së përgjigje pas procesit të brendshëm zgjedhor.

Konventa e PDK është mbajtur të shtunën dhe të dielën, ku vetëm Kryetari është rizgjedhur, ndërsa organet tjera udhëheqëse pritet të votohen gjatë ditëve në vazhdim.

Anëtari i Kryesisë së PDK’së, Adem Grabovci thotë se është ende herët të flitet për koalicionin me AAK’në.

Ai pohon se nuk mund të përmendë datat se kur mund të ndodhin takimet mes udhëheqësve të dy partive.

“S’mund të përmendi data sepse procesi zgjedhor ende s’ka përfunduar në PDK. Kur të përfundon procesi zgjedhor, shohim. Kryetari ka marrë besimin e partisë, tash edhe Këshilli Drejtues shumë shpejt do të dihen emrat”, ka shtuar ai.

Ky zyrtar i PDK’së thotë se opsioni i zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk i konvenon asnjë partie politike pa përfunduar reforma zgjedhore.

“Nuk i konvenojnë askujt zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ne së pari duhet t’i përfundojmë reformat”, ka thënë ai.

Veç kësaj, Grabovci thotë se problem mund të sjellin edhe zgjedhjet e brendshme në AAK, të cilat pritet të përfundojnë në mes të muajit prill.

“Herët është dhe Kryetarët merren vesh mes veti. Z. Thaçi dhe z. Haradinaj e kanë lënë pas zgjedhjeve. Por, tash edhe AAK është në proces zgjedhor dhe nuk e di se si i kanë planet. Por, me siguri se do të takohen dhe do të bisedojnë”, ka thënë Grabovci.

Ahmet Isufi i AAK’së thotë se koalicioni me PDK’në nuk varet nga zgjedhjet e brendshme në Partinë e Haradinajt.

“Konsiderojmë që çështja e koalicionit nuk është e lidhur tani me zgjedhjet e AAK’së, sepse ne e kemi paraqitur edhe afatin kur do të duhej të bëhej koalicionit. Prandaj, mendojmë se një gjë e tillë do të vendoset në muajin e ardhshëm”, ka shtuar Isufi.

Zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë shfaqur ambicie për të bashkëqeverisur me PDK’në, edhe pse prej vitit 2004 Haradinaj dhe Thaçi i patën ftohur raportet. Në atë kohë, Haradinaj ishte bërë Kryeministër në bashkëqeverisje me LDK’në.

Akuzat më të rënda mes PDK’së dhe AAK’së ndodhën në vitin 2009. Haradinaj kishte bërë akuza për krim, korrupsion dhe dëmtim të shtetit nga PDK’ja. Përgjigja e PDK’së gjegjsisht nga Adem Grabovci për Liderin e AAK’së ka qenë se Haradinaj është i përfshirë në reketimin e bizneseve, në haraç, në krim të organizuar me kriminelët në Veri. Madje, zyrtarët e PDK’së kishin thënë se Haradinaj ka pasuri të madhe në Prishtinë, Prizren, Tiranë, Durrës, Brezovicë, Monte Carlo dhe në Dubai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu