Haradinaj – Listës Serbe: Më jepni votat, ua plotësojë të gjitha kushtet

0
981

Ramush Haradinaj

Ndalimi dhe shqyrtimi i privatizimit të ndërmarrjeve në komunat me shumicë serbe, është kushti kryesor për serbët e Kosovës që të marrin pjesë në qeverinë e re. Lista Serbe në seancën e 17 korrikut ka përkrahur koalicionin LDK-AAK-Nisma. Ramush Haradinaj, i nominuar për kryeministër nga këta të fundit, thuhet se u ka premtuar serbëve se do të ua plotësojë kushtet e vëna.

 

Ramush Haradinaj, sipas të përditshmes serbe “Kurir”, e cila u referohet burimeve të saj brenda partive politike serbe në Kosovë, është pajtuar që të gjejë zgjidhje ligjore për t’ua kthyer serbëve pronat private të cilat pretendojnë se u janë marrë në Kosovë, si dhe për të rishikuar dhe ndaluar privatizimin e ndërmarrjeve publike, në komunat me shumicë serbe, transmeton lajmi.net.

 

“Kjo praktikisht do të thotë se asetet e telekomunikacionit dhe energjisë do të mbeten te serbët, përkatësisht nën menaxhimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Ky është një hap shumë përpara, pasi deri më tani asnjë politikan apo parti shqiptare, as që ka dashur të diskutojë këtë temë”, ka thënë për Kurir, një burim shumë i sigurt.

 

Serbia pretendon të drejtën e saj mbi ndërmarrjet publike dhe pronave tjera në Kosovë, duke thënë se vlera e kësaj pasurie është rreth 200 miliard dollarë.

 

E faktin e kushtëzimit të pjesëmarrjes së tyre në qeverinë e re të Kosovës, me procesin e privatizimit, e kanë thënë hapur edhe liderët politik serb në Kosovë.

 

Kryetari i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq, në një prononcim dhënë së fundi për mediat e vendit ka thënë se pa anulimin e privatizimit dhe disa koncesioneve të rëndësishme për komunitetet, nuk është e mundur që të ketë të ardhme në Kosovë.

 

“Për ne mënyra e privatizimit deri tash është krejtësisht e papranueshme . Kjo është privatizimi nga parimi i shitjeve të aseteve lirë, ku kompania nuk ka ruajtur formën origjinale të biznesit”, kishte deklaruar Jabllanoviq.

 

Për komunitetin serb, sipas tij, janë shumë të rëndësishme firma siç janë “Inex”, kompleksi turistik Brezovica, kompania “Ivo Lola Ribar” në Shtërpcë, kompania “Ratar” në Graçanicë, kompleksi metalurgjik “Trepça” në veri, si dhe subjektet tjera ekonomike që gjenden në veri të Mitrovicës.

 

“A do të pranojë kryeministri dhe shumica e deputetëve këto kushte, nuk varet nga ne, por ne pa këto kushte nuk do ta mbështesim kryeministrin dhe qeverinë e ardhshme”, kishte deklaruar Jablanoviq.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu