Haradinaj përkrah Fondin për veriun

0
757

(Vijon nga numri i kaluar) 2

Edhe pse i “madh i vogël” nga opozita dhe nga shoqëria civile e vlerëson si të dëmshme marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaci dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq për krijimin e një fondi për pjesën veriore të vendit, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj e vlerëson këtë marrëveshje si të suksesshme. Ish- kryeministri i Kosovës, e vlerëson si shumë të rëndësishëm dialogun e deritashëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në pjesën e dytë të intervistës, Haradinaj flet edhe për ish-bashkëluftëtarin e tij, Fatmir Limaj, i cili së bashku me 10 shokë gjendet në paraburgim, nën akuzën për krime lufte. Sipas tij, rasti i Limajt është i çuditshëm. Haradinaj flet edhe për procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike. Ai thotë se privatizimi i distribucionit të KEK-ut është bërë keq.

Zëri: Brenda pak ditësh do të ketë një takim mes presidentes së Kosovës me atë të Serbisë. Si e vlerësoni ju një takim të tillë?

Haradinaj: Ngjarje e mirë. Nëse ndodh, ngjarje e mirë. Është me rëndësi që të ndodhin këto kontakte, ndikojnë nëse për asgjë tjetër, për një klimë më normale në rajon.

Zëri: Si i shihni bisedimet e deritashme Kosovë- Serbi?

Haradinaj: Deri më tani mendojmë se me rëndësi është që janë arritur këto marrëveshje që janë arritur. E materializimi i marrëveshjeve në terren është i rëndësishëm. Ne si Kosovë do të punojmë maksimalisht së bashku me të gjithë autorët tjerë që në materializim të jemi të saktë, të jemi precizë që t’i materializojmë marrëveshjet e arritura.

Zëri: Njëra prej marrëveshjeve që është arritur është fondi për veriun. “Vetëvendosje” dje doli kundër, ngase të gjitha të hyrat, 100 % do t’u shkojnë serbëve. A është një farë forme ky fond legalizim i autonomisë për atë pjesë. A e përkrahni ju këtë fond?

Haradinaj: Fondi është një zgjidhje e caktuar për zhvillimin e një pjese të vendit të cilën ne nuk kemi mbërritur mjaftueshëm ta zhvillojmë. Ne nuk jemi kundër që të vihen garanci financiare, se do të zhvillohet edhe ajo pjesë e vendit.

Zëri: A e shihni si rrezik këtë, që ndarja financiare automatikisht të kalojë në ndarje etnike, kur kemi parasysh se 100 % e buxhetit nga pikat kufitare do t’u shkojnë serbëve? A është autonomia kjo?

Haradinaj: Nuk besoj që e merr atë nivel çfarë po thuhet, për shkak se bëhet fjalë për të hyra buxhetore të cilat kalojnë thesarin e Kosovës, dhe të cilat me dedikim i kthehen një teme të caktuar. Pra, kjo edhe mund të jetë një zgjidhje e paraparë për një kohë të caktuar për zhvillimin e një pjese e cila nuk është zhvilluar, ose nuk kemi mundur mjaftueshëm t’i japim kujdes gjatë kohës së shkuar.

Zëri: Do të thotë, këtë marrëveshje e shihni si pozitive për Kosovën…

Haradinaj: Mendoj se është një opsion që mundëson zhvillimin e veriut.

Distribucioni u privatizua keq

Zëri: Para se të shkoni në Hagë, keni kritikuar vazhdimisht. Kemi shembull privatizimin e ndërmarrjeve publike, rastin e privatizimit të PTK-së, është hapur tenderi, është anuluar. Si e shihni ju privatizimin e Postës ose ndërmarrjeve publike në përgjithësi, ose a përkrahni këtë formë të privatizimit si po e bën qeveria?

Haradinaj: Jemi pro privatizimit. Koncepti i zhvillimit ekonomik është për privatizim, por për privatizim që sjell efekte ekonomike për të mirën e Kosovës, që sjell investime, që sjell vende të punës, që sjell zhvillim. Pra, qëllimi ynë edhe çdoherë përcaktimi për privatizim ka pasur të bëjë me këtë. Na vjen keq që disa prej këtyre aseteve të mëdha të vendit janë bërë objekt i spekulimeve, i përflitjeve, e të tjera. Pra, ashtu denigrohet një temë, edhe mendojë se humb në esencë, dëmtohemi si vend.

 

Zëri: Partia juaj e ka përkrahur privatizimin e postës, gjë që nuk e kanë bërë vetë disa deputetë të PDK-së. A jeni edhe ju për këtë formë të privatizimit?

Haradinaj: Jemi për privatizim të qëndrueshëm. Pro privatizimit kemi qenë më herët edhe jemi. Ndërsa si bëhet privatizimi, në çfarë kushtesh, në çfarë efektesh ekonomike për vendin, ajo është temë që duhet të shqyrtohet. Pra, në parim jemi për privatizim, por nuk jemi që ta humbim, ose ta vjedhim.

Zëri: Ta zëmë, nëse shitet për 200- 300 milionë euro, do të dilni kundër?

Haradinaj: Nuk e dimë ne për cilin çmim do të shitet. Por, ajo që na intereson është se a e ka mbërri efektin më të madh në treg, a është shitur për vlerën reale dhe e ka siguruar efektin ekonomik më të madhin të mundshëm për Kosovë. Pra nuk mund të shkojmë me prejudikim.

Zëri: Atëherë të lidhemi me privatizimin e distribucionit të KEK-ut. E dimë se është shitur për një shumë tepër simbolike. A mendoni se është bërë dëm vendit duke i pasur parasysh të gjitha ato asete që i ka distribucioni?

Haradinaj: Po, ajo na ka shqetësuar. Situata me distribucionin na ka shqetësuar edhe e kemi diskutuar edhe në Parlament. Mënyra e privatizimit, çmimi, shumë detaje tjera na kanë shqetësuar.

Zëri: Nëse do të vinte në një situatë të tillë edhe PTK-ja, do ta kundërshtonit haptazi?

Haradinaj: Besoj që po.

Zëri: Ta marrim një situatë hipotetike. Nëse do të vinit kryeministër edhe do të vijë puna sikurse te rasti i distribucionit. Do ta anuloni tenderin për PTK-në.

Haradinaj: Nëse jam kryeministër s’mund të vijë ashtu, kësi rasti s’mund të vijë.

Zëri: Do ta anuloni apo jo?

Haradinaj: Jo, nuk po bëhet fjalë anulimi, por unë s’e bie punën që të vijë ashtu. E kupton dallimin, jo ta anuloj, por nëse është në interes të vendit tim, nëse e mbërrin vlerën reale, nëse krijohen efekte ekonomike jam për. Nëse jo, presim. Nuk po them ta anulojmë, as ta heqim, por po them të punojmë në bazë të parimeve që dihen se si duhet të punohet me një të mirë nacionale që e ke. Një e mirë e të gjithë njerëzve të vendit. Mundesh në emër të publikut të veprosh me këtë, por duhet të veprohet në përputhje me interesat e publikut.

Limaj, rast i çuditshëm

Zëri: Zotëri Haradinaj, një çështje që ia vlen të bashkëbisedohet është fakti se disa ish-bashkëluftëtarë tuaj po vazhdojnë të mbahen në paraburgim, të kenë probleme me drejtësinë, të akuzuar për krime lufte. Si i komentoni rastin “Kleçka”?

Haradinaj: E kam thënë edhe në rastet tjera, i çuditshëm. Nuk po i di detajet ashtu konkret, por një farë çudie është me këto procese, po, jo, po jo, një farë çudie është.

Zëri: Në këtë çudi, a mund të kenë ta zëmë dorë edhe dikush nga politika?

Haradinaj: Sikur ta dija, do ta thosha. Fakti që po shprehem çudi është një farë çudie. Ne nuk e dimë të vërtetën, po them nuk kemi qasje në dosje, edhe nuk e dimë të vërtetën në bazë të ligjit apo cilit do argument tjetër. Por, një lloj çudie e shprehim, na vjen çudi si po ndodhin këto gjëra.

 

Adrian Çollaku & Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu