Hasan Luçi: Atentatorin e Enver Hoxhës e kapëm në Han të Hotit

0
950

shte nëntori i vitit 1974. Shqipëria komuniste kishte ditë që priste të festonte me madhështi 30-vjetorin e Çlirimit të ven
dit nga pushtuesit nazifashistë. Më së shumti ajo atmosferë ndjehej te banorët e kryeqytetit, të cilët prej ditësh mbushnin gjatësinë e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të parë provat e përgatitjes së kuadrateve me ushtarakë që do të demonstronin para Enver Hoxhës në ditën e 29-të të muajit, e cilësuar si dita jubilare e çlirimit. Në vëmendjen kryesore, ku rrinte dhe komisioni i përgatitjes së paradës së madhe, ishte pikërisht tribuna madhështore e ndërtuar prej më se 10 ditësh para hotel “Dajtit’, mbi të cilën në ditën e caktuar do të rrinte triumfalisht vetë Enver Hoxha.
E ndërsa ishte bërë traditë që të gjithë njerëzit, të cilët, të doktrinuar nga propaganda komuniste për madhështinë e sistemit që u ishte “dhuruar”, prisnin me padurim ditën që do të shikonin udhëheqësin në tribunën e shenjtë, një tjetër histori luhej në mister. Askush nuk mund ta merrte me mend, se pikërisht për të ndenjur para tribunës në atë ditë, ishin nisur që nga Nju Jorku një grup diversiv antikomunist, i kryesuar nga Avdul Banushi. Njerëzit nuk e mësuan dot as në atë moment që përgatitej parada e madhe ushtarake dhe as në momentet kur grupi i Avdul Banushit nga Golemi i Gjirokastrës kishte mbërritur me bomba në xhep te Parku Rinia, madje kishin zënë strehë pikërisht në një apartament në bodrumet e pallateve të Shallvareve.
Por njerëzit nuk e mësuan atë që pritej të ndodhte, jo vetëm në ato ditë të përgatitjes dhe të atmosferës së jashtëzakonshme të festës, por as mëngjesin e 29 nëntorit, kur tribuna e madhe ishte zhdukur nga ambientet ku prej ditësh bënte “karshillëk” dhe kishte “mbirë” para kryeministrisë ku dhe vijoi të ndërtohej deri në momentet kur vdiq Enver Hoxha, madje që andej ndiqte parakalimet e 1 Maj-eve edhe pasardhësi i tij, Ramiz Alia.
E pikërisht atë 29 Nëntor të vitit 1974, një grup njerëzish ilegalë të ardhur nga Amerika, të kryesuar nga i arratisuri politik Avdul Banushi, ndiqnin me ankth çdo lëvizje të asaj situate, për të bërë të mundur vdekjen e vetë Enver Hoxhës. Por çfarë thotë për atë ngjarje shokuese njëkohësisht të çuditshme, vetë Hasan Luçi?

Folëm nga numri i kaluar zoti Luçi për atë që po ngjiste në Tiranën e vitit 1974 kur ishte marrë një vendim i prerë nga “Fronti i Rezistencës” që të vritej me çdo kusht Enver Hoxha dhe udhëheqës të tjerë të shtetit të asaj kohe. Situata për ju punonjësit e sigurimit që kishit detyrë të parandalonit këto akte nëse ju kam kuptuar qartë, ishte bërë shumë më e vështirë dhe e tmerrshme kur mësuat se për këtë detyrë ishte ngarkuar pikërisht grupi i kryesuar nga Avdul Banushi, të cilët ishin të betuar për të kryer atë detyrë me çdo kusht. Juve më bëtë një përshkrim të përgjithshëm të asaj që po kalonit ndërsa grupi i Banushit kishte mbërritur në Tiranë. Por gjithsesi subjekti i ngjarjes ngeli shumë e cunguar. Ajo që unë doja të dija nga ju është se si ka ndodhur hollësisht ajo ngjarje duke filluar që nga momenti që ju e mësuat një vendim të tillë?
Unë siç edhe ta përshkrova nga numri i kaluar, atëherë kam qenë me detyrë në Paris ku për mëse 15 vjet mbuloja punën e rrjetit të sigurimit në emigracion. Pra isha Rezident i Sigurimit në Paris. Në ambasadë mbaja funksione diplomatike duke qenë Sekretar i Parë i saj dhe njëkohësisht atasheh kulturor. Pra në Paris unë isha paraqitur si diplomat. Kuptohet se detyra ime ishte vetëm natyra e zbulimit.
Si e mësuat rastin e atentatit të Enverit?
Nuk është sekret ta them se Sigurimi ynë ka pasur bashkëpunëtorët e vet në çdo organizatë e grup të mërgatës politike të shqiptarëve të arratisur, duke filluar nga ata ekonomikë, kosovarë dhe nga njerëz me të vërtetë atdhetarë që u dhimbsej me të vërtet populli i tyre.
Thatë se mësuat për vendimin e tmerrshëm?
Mora informacion se më 30 prill 1974 “Fronti i rezistencës mori vendim që ai vit të ishte viti i aksioneve konkrete në Shqipëri ku të angazhoheshin të gjithë luftëtarët e lirisë.
Por më e tmerrshmja e atij takimi të jashtëzakonshëm ishte se pikërisht aty u mor një vendim për të kryer detyrën më speciale që mund të ishte kryer ndonjëherë deri në atë moment. Të eliminohej fizikisht Enver Hoxha. Dhe më e veçanta akoma ishte se për atë detyrë nuk u caktuan njerëz të përgatitur në shkolla të rastit, por u caktuan pesë djem të fuqishëm me në krye siç dhe e kemi përmendur Avdul Banushin.
Pse ishte e veçantë që u caktuan këta djem?
Avdyl Banushi ishte shumë i vendosur dhe i betuar për të realizuar detyrat. Ishte aktiv dhe i rrezikshëm. Kishte dhe një nuhatje natyrale të madhe, pra ishte i zgjuar. Me një fjalë ai së bashku me shokët bëheshin kamikazë të vërtetë. Por kjo gjë ishte shqetësuese pasi siç e shikon kishe të bënte me një njeri që e kishte ndarë mendjen.
Ju kishit dëgjuar për Avdul Banushin?
Patjetër që kisha dëgjuar. Dija që ishte nga Golemi i Gjirokastrës dhe në kohë të luftës kishte qenë me rininë balliste. Pas çlirimit kishte qenë për shumë vite i dënuar në burgun e Burrelit. Por dija se kishte qenë shumë i papërkulur dhe nuk bënte as një kompromis për të lehtësuar veten. Këta njerëz kur u ngarkon detyra bëhen shumë të rrezikshëm.
Ju kishit dijeni se ishte aktiv?
E dija shumë mirë. Ai më mbrapa kur ishte në pension ishte miku im dhe të dy pinim kafe te sheshi “Shopen” para gardës. Por ai ishte autori i eksplozivit që ishte vënë në ambasadën tonë pak muaj më parë si merrej ai vendim ashtu siç do të bënte mbi ambasadën tonë në Itali apo të përsëriste aktin terrorist mbi ambasadën tonë në Paris. Por Avdyl Banushi kishte hyrë shumë herë në Shqipëri dhe ishte kthyer shëndosh e mirë.
Kishte hyrë në Shqipëri?
Disa herë. Madje pak para se të merrej ai vendim, pra punë muajsh ai kishte hyrë në Shqipëri. Kishte ndaluar në shumë rrethe dhe kishte aktivizuar të gjithë elementët e vet.
Ku kishte ndenjur?
Kishte shkuar në Gjirokastër, Vlorë, Dukat, Fier, madje edhe në fermën Çlirim ku kishte qenë dikur i internuar në atë zonë, Durrës, Tiranë, Macukull të Burrelit dhe pastaj kishte dalë sërish jashtë kufirit.
Pra pak muaj se të merrte urdhrin të hynte sërish për të vrarë Enverin kishte qenë në Tiranë?
Po ore në fund të vitit 1974. Ai kishte lënë radiomarrëse për komunikim me ato që ai i quante baza të vetat. Në Tiranë madje krijoi organizatën “Fronti i Rezistencës”, la dokumentacion propagandistik kundër pushtetit dhe ndërkohë la një trakt të shtypur që ishte në formën e protestës dhe do të hidhej në oborret e ambasadave të cilat duhet të pengonin integrimin e Shqipërisë në organizma ndërkombëtare.
Jam kurioz të di nëse keni qenë në dijeni për bazat e tij të cilat i përmendët më lart?
Ai kishte baza jashtë shtetit dhe brenda Shqipërisë. Jashtë shtetit kishte te shqiptarët e arratisur. Kështu në Itali kur do të hidhte në erë ambasadën tonë atje është strehuar te Sabaudin Haznedari, i cili më mbrapa erdhi me bandën e Xhevdet Mustafës që u vra në Rrogozhinë. Sabaudin Haznedari ishte agjent i UDB-së Italiane dhe i vendeve islamike. Por Avdyli në Itali kishte edhe banesën e Zef Shytit dhe Mentor Çokut. Ndërsa po të citoj disa baza që ka pasur Brenda Shqipërisë. Konkretisht në Gjirokastër ishte baza “JONUZI” dhe një e kishte në fshatin Shtëpëz të këtij rrethi.
Në Lushnjë kishte bazën “GODO”. Në Durrës ishte baza “CERLOI”, në Tiranë ishte baza “BINERI”. Madje në bazën “Bineri” që i përkiste familjes së Sami Binerit, u formua dhe dega “Fronti i Rezistencës” për Tiranën, madje aty do të strehoheshin edhe më mbrapa kur donin të vrisnin Enverin.
Nga e kishin rekomanduar atë bazë aq besnike në Tiranë?
E kishte rekomanduar Rrapo Bineri eksponent i legalitetit dhe arratisur në Romë në 1944-n.
Ju nuk i dinit atëherë?
Disa i mësonim dhe shumë të tjera i kemi mësuar më mbrapa se nuk ishte e lehtë pasi ato nuk propagandoheshin në radhët e mërgatës së atjeshme.
Kuptova deri këtu. Pra ju mësuat se ky person që ju e njihnit në këtë mënyrë u ngarkua me detyrën e tmerrshme të vriste udhëheqësin e atëhershëm. Si reaguat?
Kam kaluar momentet më të rënda të jetës sime. Nuk ishte e thjeshtë. Përfytyro çmund të bëjë CIA në qoftë se rrezikohet jeta e Presidentit apo çmund të bëjë KGB-ja për Presidentin e vet etj. Neve na rrezikohej njeriu më i shenjtë i atëhershëm, i cili ishte kthyer në udhëheqës shpirtëror i popullit. Na dilte gjumi natën. Nuk ngopesha me frymë. Mendoja se pavarësisht se do të merrnim masat më ekstreme, por po të mos ja arrinim dot ta mbronim. Po sikur të ndodhte…?! Ky tmerr u shtua më tepër kur u informuam se për këtë mision ishte marrë edhe miratimi i amerikanëve.
Si e dhanë amerikanët këtë “ok”?
Sekretari i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, Mexhit Dibra u takua me majorin Tomas Smith dhe i bëri të qartë planin ku mori edhe miratimin e tij. Unë mësova se majori Smith u kishte thënë se siguria e Enver Hoxhës ishte perfekte, por Mexhiti i ishte përgjigjur se ky aksion ishte marrë përsipër nga Avdyl Banushi të cilin ata e njihnin shumë mirë madje dhe e kishin paralajmëruar të mos hidhte më eksploziv në ambasadat shqiptare në Europë, pasi ishin akte terroriste. Kështu që si mësova edhe këtë miratim të fundit mua s’më ngelej gjë tjetër, por të mbaja në vëzhgim Avdylin në të gjitha lëvizjet e tij. Ndërkohë që informova Tiranën.
Si e mësuat ju këtë bisedë?
Kjo merrej vesh se komentohej në brendësi të tyre me mburrje ndërkohë që dikush prej tyre do ishte patjetër bashkëpunëtori ynë.
Jam kurioz se si ju informonin bashkëpunëtorët?
Kishim kod dhe takoheshim. Kur ishte rast shumë urgjent si ky që po të them të jepnin kodin që duhej të lije çdo gjë dhe të dilje në një pik takimi diku jashtë Parisit apo në një lulishte, pyll a gjetkë. Në rast se ishte një raportim i vogël të linin një letër në dorë në mënyrën më të kamufluar dhe pastaj iknim sikur s’ishim takuar fare, ndërsa kur kishte bisedë gjenim vendin e përshtatshëm.
Le të kalojmë sërish te ngjarja tuaj. Kur dhe si kishin vendosur ta bënin atentatin?
Në 29 nëntor të atij viti pra 1974-ën Shqipëria festonte 30 vjetorin e çlirimit dhe me këtë rast do të bëhej një paradë e madhe ushtarake gjë që mundësonte daljen në tribunë të Enver Hoxhës, Hysni Kapos, Mehmet Shehut dhe udhëheqësve të tjerë politik të shtetit. Me këtë moment ata morën detyrë të godisnin tribunën ku të vrisnin Enverin, Mehmetin etj. dhe pas saj të arrinin ditë më vonë që të hidhnin eksploziv te Ambasada Kineze.
Ju thatë se po ndiqnit itinerarin e grupit të Banushit, i cili tashmë kishte marrë urdhrin për të shkuar në Tiranë?
Unë njoftova Tiranën. Kam njoftuar direkt Kadri Hazbiun, ndërkohë që detyrë tjetër kisha të ndiqja objektivin në të gjithë lëvizjen e tij dhe të mbaja në korent Kadriun.
Si i raportoje Kadriut?
Me kode.
Ndërkohë që po ndiqje itinerarin deri në ardhjen e tij në Tiranë. Cili ishte?
Ka qenë 20 nëntor 1974 kur unë mora sinjalin se ata u nisën nga SHBA-ja. Ndërkohë që mësova mbërritjen në Prevezë të Greqisë. Dy ditë më mbrapa pikërisht në 22 nëntor mora sinjalin se mbërritën në Çamëri. Unë pas çdo informacioni i raportoja Tiranës.
Si dhe ku e kaluan kufirin shqiptar?
Në të vërtetë sipas informacionit që kishim siguruar për planin e lëvizjes së tyre prisnim që ai të futej nga “Kepi i Stillos”. Për këtë siç të thashë njoftuam dhe ajo zonë siç mësohet u bë “gardh”. Madje për parantezë po të them se edhe vetë Avdyli kur ka dhënë në vitin 2002 një intervistë në gazetën tuaj deklaron se kur erdhi në Çamëri dhe u ngjit malit të Stillos kishte vënë re brenda tokës shqiptare lëvizje të shumta ku kishte kuptuar saktësisht se përkëtej kufirit ishte dhënë informacioni për të. Ai ishte bindur se ishte në vëzhgim prandaj bëri të pamundurën për ti humbur atij që ndiqte lëvizjet. Kështu ndërroi planin e lëvizjes gjë që kush mund të informonte nuk dinte për çfarë.
Dhe nga hynë?
Ndërsa pritëm të hynte siç të thashë në “Kepin e Stillos”, arritëm të merrnim informacionin se arritën të hyjnë në zonën e minoritetit të Sarandës. Pas kësaj nuk mësuam dot asgjë derisa hyri në Tiranë.
Kur hyri në Tiranë nuk hyri pa u ndjekur nga ju apo jo?
Ndërlidhja apo informacioni jonë mungoi deri sa ai mbërriti në Tiranë. Aty menjëherë ne morëm sinjalin “Hyri”. Unë ndërkohë njoftova Kadri Hazbiun se banda e Avdyl Banushit hyri në territorin shqiptar. Pastaj si humba lidhjet, informova vetëm faktin që hyri në Tiranë gjë që njoftova Kadriun.
Për veprimtarinë në Tiranë dhe udhëtimin e tij deri aty nuk munde ti ndiqje?
Të thashë se ishte shumë i zgjuar dhe si mësoi se ndiqej gjë që e pa sa hyri në Shqipëri ai mundi ti fshihte mirë gjurmët. Kjo bëri që të shpëtonte dhe pavarësisht se nuk e kreu dot misionin arriti të kthehet shëndosh e mirë në Paris dhe Nju Jork. Megjithatë unë ua shpreha edhe në intervistën e kaluar se informacioni që i bëra Kadriut ishte i mjaftueshëm se unë i thashë se e kishin në një banesë te Pallatet e Shallvareve dhe ata mund ta kapnin se atëherë ishte situata në dorë. Njiheshin familjet e deklasuara dhe dihej pak a shumë fytyra e huaj. Gjithsesi ata nuk bënë dot gjë pavarësisht se Avdyli doli edhe mbi tarracë aq më shumë shkoi dhe te Parku Rinia ku ndoqi dhe paradën. Ju thashë që nuk e kam shpjeguar dot as sot atë inekzistencë të Kadri Hazbiut.
Por tribunën e paradës e lëvizën kështu që Enverin e mbrojtën apo jo?
Po ata ishin të detyruar ta bënin se nuk e mohonte kush se i kishte njoftuar për atë që po përgatitej të ndodhte. Po të mos kishin lëvizur tribunën, them se më shumë gjasa Avdyli të mbaronte misionin me çdo çmim.
Kur e mësuat lëvizjen nga kufiri deri në Tiranë?
Më mbrapa, pas viteve 90, kur kam takuar Avdylin dhe atëherë si u kthyen pas misionit të pakryer kam mësuar se ai si kishte hyrë në kufirin shqiptar kishte mbërritur në fshatin Aliko të Sarandës.
Kanë fjetur në atë fshat te djali i njërit prej anëtarëve të “Frontit të Rezistencës” që ishte dhëndëri i Kryetarit të Kooperativës me profesion shofer.
Të nesërmen të ndihmuar nga i zoti i shtëpisë ku kishin bujtur, i çoi deri në Gjirokastër. Prej andej me autobus arritën që në mbrëmje të shkonin në bazën e tyre te Shallvaret që i raportova unë Kadriut. Vetëm kur u kthyen nga Shqipëria, unë mësova se ata kishin qenë në familjen “Bineri”.Udhëtimi i tyre sigurisht kishte qenë i vështirë pasi informacioni ishte dhënë i saktë.
Aty nuk arritën ta kryenin atentatin, çfarë bënë?
Ju fola nga numri i kaluar se natën e fundit të paradës tribuna e saj u largua nga vendi që ishte montuar prej dy javësh dhe u vendos para Kryeministrisë. Aty ndenji sa ishte Enveri gjallë, madje edhe Ramiz Alia aty dilte në parakalimet e “Një Majeve”.
Madje siç më ka thënë vetë Avdyli, por që e kam vërtetuar edhe nga të tjerë që atëherë në tribunë ka dalë në fillim Haxhi Lleshi dhe pas më se 5 apo 10 minutash ka dalë Enver Hoxha.
Si nuk u kap dot ata mësuan se ishin në kërkim madje siç më ka thënë edhe pak kohë para se të vdiste, pothuajse ishte zbuluar se kur u kthye në shtëpi ku kishte bujtur, mësoi se roja që kishin lënë kishte parë njerëz të dyshimtë që ai besonte se ishin të sigurimit që vrojtonin me vëmendje. Kështu që reaguan menjëherë.
Çfarë bënë?
Nga baza “Bineri” në mesnatë përfunduan në Ndroq pikërisht në familjen “Mancaku”.
Prej andej ai ishte rikthyer të nesërmen në Tiranë nëse mund të kryente misionin e dytë të hidhte eksploziv në Ambasadën Kineze. Siç më ka thënë kohët e fundit si shkoi te Ambasada e Kinës pa se ishte gardh me policë, pasi ishte përballë RTSH-së dhe shumë institucioneve. Kështu që ishte larguar pa kryer asgjë. Ishte lidhur me shefat e tij dhe i dërguan mjet nënujor për ta rimarrë në bazë.
Ju nuk morët as një informacion se ku shkoi dhe si veproi?
Mundi të fshihet mirë. Nuk u mësua asgjë. Unë ngela te momenti që është në Tiranë dhe është te Shallvaret dhe kaq. Vetëm pasi u rikthye në bazë unë munda të mësoja atë çka kishte ndodhur.
Gjithsesi ju arritët të shpëtonit Enver Hoxhën pasi ishte informacioni juaj ai që bëri që të lëvizte tribuna.
Patjetër që ashtu është. Pavarësisht se nuk u kap atëherë ai u kap në një moment tjetër, por që me informacionin tonë të marrë nga zbuluesit ne arritëm të sigurojmë jetën e Enver Hoxhës gjë që ja dolëm mbanë. Ju mund të thoni se Enveri ishte i tillë dhe i këtillë. Është e drejta juaj të mendoni si të doni. Ne kishim detyrë ta mbronim dhe ja arritëm ta mbronim jo vetëm fizikisht por edhe pushtetin e tij, pavarësisht se dekoratat dhe lavdet i merrnin të tjerët. Ne ishim të ndërgjegjshëm që nuk donim terror dhe s’kemi sulmuar njeri, por mbanim shtetin tonë në informacion të plotë. Këtë e ka pranuar edhe Toni Bler kur ka vlerësuar sigurimin e shtetit të Enver Hoxhës.
Vetëm dy muaj më mbrapa si dështoi me misionin e parë për vrasjen e Enver Hoxhës dhe hedhjen e eksplozivit në Ambasadën Kineze, madje si kishte shpërthyer dy ambasadat tona në Paris dhe në Itali, Avdyl Banushi u përgatit të hynte sërish në Shqipëri.
Këtë herë do të hidhte në erë bustin e Leninit dhe të Stalinit. Por këtë herë ishte një kombinacion agjenturor ai që bëri që Avdyli të arrestohet i gjallë.
Si ja arritët?
U arrit nga zbuluesit tanë në Amerikë.
Ju e organizuat kombinacionin?
Jo u organizua që nga Amerika prej nga u nis Avdyli. Unë e kisha shumë të vështirë ta gjeja se isha në Francë. Atë kombinim e organizoi Rezidenti i Sigurimit në Amerikë, Sokrat Çomo, i cili ishte prezantuar si diplomat pasi ishte në OKB.
E pati të vështirë?
Ishte shumë se ai ishte i zgjuar dhe nuk besonte shumë. Kishte frikë dhe e kishte mësuar shumë mirë se sigurimi ishte ndërtuar në një mënyrë të tillë që nuk kishe ku shkoje pa rënë në rrjetën e tij. Kështu që si u bënë disa përpjekje u gjet një djalë kosovar, i cili atëherë ishte te rreth të 20-at vite dhe iu afrua. Ai ishte bashkëpunëtori ynë.
Ju kujtohet?
Quhej Tom Mërnaçi. Ai së bashku me dy vëllezërit Dedë e Gjetë Mërnaçi arritën ta paralizojnë.
Si mundi Toma?
Toma ishte kosovar. Çuditërisht atë e besoi se të tjerët nuk i besonte. Para se të hynte në Shqipëri Avdyli për ti humbur shikimit të sigurimit brodhi një herë në Bari e andej në Jugosllavi e që andej në shtëpinë e Tomës me të cilin kishin marrë detyrë të futeshin në Han të Hotit. Pikërisht Toma u shoqërua nga dy vëllezërit e tij Gjeta dhe Deda. Ata si hynë në tokën shqiptare e kanë qëlluar në kokë ku pastaj e dërguan në postën e kufirit. Që andej në degën e brendshme dhe së fundmi në Burrel.
Ju thatë se kërkuat ta bëni bashkëpunëtor?
Ishte një mundësi që mund të mos bëhej burg. Kjo praktikë ndiqej shumë edhe kur doje të nxirrje ndonjë nga burgu. Kur unë isha kthyer nga Franca dhe mbuloja detyrën e Kundërzbulimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme i shkova në Burrel dhe i kërkova ta bëja bashkëpunëtor dhe ta nxirrja nga burgu.
Nuk pranoi?
Jo nuk pranoi, por deklaroi se sa ta nxirrja do të shkonte në Komitetin Qendror ta hidhte në erë. Madje nuk u zbërthye fare. Madje ju shtua dënimi herë pas here se nuk rrinte rehat dhe fliste. Bashkë jemi bërë miq vetëm pas viteve ’90 ku flisnim bashkërisht në kafe për punët e zbulimit. Por më pas ishim të dy pensionistë dhe tashmë ai ka pak kohë që ka vdekur.

 

(Vijon nesër)


 

Nga Fatos Veliu

 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu