Hasan Luçi: Çfarë ndodhi me njeriun e Sigurimit, kur Xhevdet Mustafa zbarkoi në Divjakë?

0
2209

Dëshmitë e Hasan Luçit, njërit prej njerëzve kryesorë të Sigurimit të shtetit të Enver Hoxhës arrijnë sot në një pikë kulminante. Ai i kthehet edhe një herë ngjarjes më të bujshme të periudhës komuniste, pikërisht atë të vitit 1982, kur në Divjakë të Lushnjës ka zbarkuar banda e njohur e Xhevdet Mustafës. Misioni i saj ishte nga më të tmerrshmit për kohën, për vetë faktin se ata njerëz ishin betuar me jetë a vdekje për të vrarë vetë Enver Hoxhën. Por situatat e atyre ditëve, të përshkruara rregullisht në shtypin shqiptar në atë periudhë dhe në ditët e sotme, nuk kanë mundur të zbardhen plotësisht dhe çuditërisht kanë ngelur në hije. Pikërisht Hasan Luçi, i cili ka qenë nga njerëzit kryesorë i ngarkuar personalisht me vëzhgimin dhe menaxhimin e veprimtarisë së saj qysh gjashtë muaj para se të zbarkonte, flet sot për detaje të hollësishme, të panjohura më parë. Hasan Luçi, në një intervistë tjetër të dhënë në “Gazeta Shqiptare” në qershor të vitit 2000 me gazetarin Dashnor Kaloçi, ka folur për fakte shumë interesante në lidhje me bandën në fjalë, ndërkohë që sot ai do të hedhë dritë mbi çastet kur mësoi ngjarjen befasuese. Çfarë bëri dhe si i angazhoi njerëzit e vet për të ditur vendndodhjen e kampit të stërvitjes. Kush ishin njerëzit që ai vuri në dispozicion të vëzhgimit të saj. Si ndodhi që nuk u mësua dot momenti i zbarkimit dhe situata e veçantë kur ajo u asgjësua në Rrogozhinë, ku shkak ishte sinjali i kamerieres së restorantit të stacionit të trenit të atij qyteti.

(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Luçi. Nga numri i kaluar i kësaj interviste folëm për organizimin e bandës së quajtur “Banda e Xhevdet Mustafës”, si dhe për anëtarët që e përbënin atë. Ju keni pasur më parë informacion për ata njerëz apo emrat e tyre i mësuat kur u bënë të ditur nga informacioni për bandën në fjalë? Ne si organe të Sigurimit në mërgatën politike në perëndim, kishim dosje të veçantë për të gjithë emigrantët politikë, kryesisht ata më aktivët. Kështu që edhe për Xhevdet Mustafën nuk na mungonte një dosje e tillë. Por në momentin që doli në dritë emri i Xhevdet Mustafës, ne e vendosëm dosjen e tij mbi tavolinë, për ta studiuar dhe për ta plotësuar më tej.
Si ju rezultoi dosja e tij?
Deri sa doli në dritë emri i tij, ne nuk kishim pasur ndonjë problem me Xhevdet Mustafën apo më mirë të them, se ai nuk kishte qenë aq evident para syrit tonë zbulues, prandaj edhe dosja e tij ishte e vakët.
Çfarë kishte në dosje?
Kishte të pasqyruar aktivitetin e tij brenda dhe jashtë vendit. Jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kishte të regjistruar një fakt, se në Amerikë kishte qenë i arrestuar për drogë, ku kishte lënë garanci një shumë prej një milion dollarësh për të dalë nga burgu. Lëvizte me pasaportë fallco. Kishim formacion se kishte hyrë disa herë në Shqipëri, ku ishte takuar edhe me njerëzit e vet në Durrës dhe ishte rikthyer sërish në Amerikë. Këto ishin ato pikantet që kishim për të, por ishte një dosje që ne nuk mendonim se do të dilte një ditë mbi tavolinën tonë, madje ku të ishte nga më kryesoret, me të cilën do të merreshim gjatë. Kjo dosje arriti të bëhet nga më voluminozet e dosjeve që ne kishim në dispozicion për emigrantët politikë aty apo siç i konsideronim neve, emigracioni reaksionar.
Kur u vendos dosja e Xhevdet Mustafës mbi tavolinën zyrtare të zbulimit tuaj?
U vendos gjashtë muaj para se të hidhej në Shqipëri, pra kur ai u përzgjodh në 20 personat më të përgatitur për të kryesuar grupin më të rëndësishëm të shërbimit të fshehtë perëndimor, i cili kishte detyrë të vriste me patjetër direkt Enver Hoxhën, gjë që do ta bënin qoftë edhe me vetëflijim. Madje, kur mësuam se ai ishte ndër më të preferuarit dhe më të padiskutueshmit për të qenë kryetar i grupit më special të kohës, u çuditëm, sepse nuk kishim arritur ta pikasnim të ishte kaq i betuar dhe kaq i vendosur kundër nesh, sa të ishte i gatshëm të linte dhe jetën e tij për të vrarë Enver Hoxhën. Gjë që siç e dini e bëri me të vërtetë, sepse kishte mundësi të dorëzohej dhe mund edhe të shpëtonte jetën.
Mund të vinte për të vrarë Enver Hoxhën dhe të mund të shpëtonte jetën?
Po. Ka shumë mënyra se si mund ta shpëtonte jetën e tij. Ti mund të çuditesh, por unë po të kujtoj shembullin e Avdul Banushit, i cili erdhi për të vrarë Enver Hoxhën. Arritëm ta kapnim më mbrapa dhe në fund nuk u ekzekutua, megjithëse kur i thamë teksa e gjetëm në burg, që të bashkëpunonte me ne se do ta lironim nga burgu, u përgjigj se edhe në rast se do të dilte, do të vriste Enver Hoxhën. Megjithatë nuk u ekzekutua, por mundi që pas viteve ’90 të mund të dilte i gjallë. Ndërsa në rastet kur njerëzit nuk ishin të vendosur për hir të jetës së tyre, nuk i binin murit me kokë, por pranonin edhe bashkëpunim dhe këtë bashkëpunim e kishin në shkëmbim të jetës apo të lirisë së tyre. Ndërsa në rastin e Xhevdet Mustafës ne u befasuam, se ai me të vërtetë ishte njeri i vendosur dhe tamam për atë punë që ata mendonin.
Pas kësaj, ju e pasuruat dosjen e tij?
Dosja e tij u pasurua më tej, 6 muaj para se të hidhej në Shqipëri. Ishte pikërisht momenti kur ai u caktua kryetar i grupit dhe njëkohësisht iu ngarkua detyra e atentatorit të Enver Hoxhës. Nga shkëmbimi i letrave të tij me familjen, konstatuam se ishte një familjar shumë i rregullt. Nuk të linte përshtypjen e njeriut që mund të bënte një betim të tillë prej kamikazi. Ndërsa pas përzgjedhjes së grupit dhe caktimit të katërshes që do të hynte në Shqipëri për misionin e tmerrshëm, ai bënte një përgatitje shumë të madhe dhe tepër intensive për mënyrën e të vepruarit kur të ishte në Shqipëri.
Për shembull?
Mësonte si të të mbyste me lak nga largësia, në mënyrë të tillë si kapnin kaubojt e filmave amerikanë kafshët e shpejta. Mësonte se si të bënte qitje efikase dhe precize nga çdo pozicion dhe në lëvizje. Mësonte si të ngjitej në pallat apo ballkone etj. Pra, të gjitha këto i shtuam në dosjen e tij voluminoze.
Çfarë arritët me këtë dosje?
Rezultoi se ishim para një situate tepërt të tmerrshme. Njerëzit që do të vinin këtu ishin shumë të kualifikuar, por siç të thashë, ata ishin dhe shumë konspirativë në momentin që do të niseshin.
Në ç’mënyrë?
Sepse nuk i besonin as njëri-tjetrit. Secili kishte frikë se tjetri njoftonte shefat e vet të zbulimeve të huaja. Ndërsa Xhevdeti si kryetar i grupit, i cili kishte detyrën e njeriut që do të qëllonte direkt mbi trupin e Enver Hoxhës, merrte kontakte me shërbimin e UDB-së, të paraqitur në Romë në ambasadën e tyre si diplomatë.
Kështu që edhe në momentin që u nisën për në Shqipëri, ata nuk e njoftuan njëri-tjetrin, por kanë marrë urdhrin në sekondat e fundit, kur ndërsa kishin dalë për të pirë kafe apo xhiro.
Kush ua dha urdhrin? Sigurisht Xhevdeti. Madje, jo më kot u zgjodh Italia për t’u hedhur në tokën tonë, për faktin që duhej të humbiste gjurmët UDB- ja.
Pastaj, Xhevdeti dihet se i merrte porositë nga ata të UDB-së.
Ju thatë se bëtë përpjekje për t’i parandaluar?
Ne bëmë përpjekje të mëdha për të parandaluar veprimin e tyre. Nëpërmjet bashkëpunëtorëve tanë, që ishin edhe miq me ata, u thonim se duhej të mos e merrnin atë hap, sepse do të përfundonin keq. Madje, u thuhej se ishte budallallëk të mendoje përmbysjen e pushtetit duke vrarë Enver Hoxhën, në ato momente që ai ishte kthyer në “mit” për shqiptarët. Ndërsa për anën e sigurisë, u përsëritej se po bënin aventurën më të madhe me jetën e tyre, se në Shqipëri nuk do të mund të funksionin dot, për faktin se ishte vënë në lëvizje gjithë Sigurimi i shtetit, që kishte marrë informacion të plotë mbi ekzistencën e kësaj bande.
Dhe nuk u lëkundën fare?
Aspak. Të paktën Xhevdeti nuk u lëkund fare. Xhevdeti mësoi shumë mirë se fotografinë e tij e kishin në dorë të gjithë ekzemplarët e Sigurimit në të gjithë Shqipërinë. Ajo ishte në të gjitha postblloqet. Kjo ndodhi, kur ne u bindëm se nuk kishte asnjë mënyrë për ta shmangur, me të gjitha metodat që përdorëm, të cilat t’i përsërita më lart.
Kur patë se banda ishte nisur në mënyrë të pakthyeshme, juve ndërruat metodë?
Patjetër. Si nuk funksionoi plani i parë, që ta bindnim që të hynte, përdorëm metodën e dytë, ku shpërndamë fotografitë e tij në të gjithë personelin e zbulimit të kualifikuar të shtetit. Ndërkohë ushtria për arsye të tjera, por qëllimi ishte banda e Xhevdetit, kaloi në gatishmëri të madhe. Prisnim nga momenti në moment. Gjithçka kishte marrë fund. Situata ishte e ndezur. Enver Hoxha ka qenë tmerrësisht i stresuar, gjë që e ka shprehur në të gjitha takimet me bashkëpunëtorët e afërt të atyre ditëve.
Çfarë u thoshte bashkëpunëtorëve?
Nuk u thoshte për bandën, por shprehte nervozizëm shqetësues.
Thatë se para se të hynte në Shqipëri banda lëvizi shumë në kryeqytete të botës për të humbur gjurmët. Ku lëvizën konkretisht?
Ju thashë që ishte viti 1982 kur ndodhnin këto. Ata lëvizën në SHBA, Zelandën e Re, Gjermaninë perëndimore, Greqi, Jugosllavi, Belgjikë, Australi etj. Në shtator përfunduan sërish në Itali, ku në datën 25 në mbasdite Xhevdeti i njoftoi shokët e vet, të takoheshin dhe në moment u tha se do të niseshin, por se ku dhe me se, nuk u tha asgjë. Pas kësaj ai kishte biseduar me një skaf, të cilin e kishte lajmëruar të kishte karburant rezervë dhe detyrën që kishte.
Nuk ju kuptova qartë apo thatë se nuk iu tregoi shokëve se ku do të shkonte?
Të gjithë e dinin se do të hynin në Shqipëri, por nuk dinin se ku do të zbarkonin dhe nuk iu dha mundësi për të komunikuar me askënd. Pra ai dyshonte për çdo gjë. Duke pasur në dorë befasinë, mendoi se mund të arrinte çdo gjë. Prandaj edhe bashkëpunëtorët tanë që ishin me ta, nuk mundën të na thonin se ata pikërisht u nisën për në drejtim të Divjakës në Lushnjë, se edhe ata nuk e dinin fare se ku do ta linte pikën e mbërritjes Xhevdeti.
Ndërkohë që nuk u realizua plani i parë, që ta bindnit që të kthehej, filluat planin e dytë. Çfarë kishte qëllim?
Së pari, po të realizonim planin e parë, pra ta bindnim bandën që të mos hynte fare nga rreziku dhe asgjësimi i padiskutueshëm që e priste, e kishim situatën shumë të favorshme, sepse e kishim të garantuar jetën e Enver Hoxhës. Ndërsa kur ata vendosën të vinin me çdo çmim, neve, që ta përsërita që njëherë, angazhuam të gjithë shtetin në pritje të saj. Në fakt, pritjen e kishim planifikuar në Shëngjin apo “Ishull Lezhë”. Por siç duket kur Xhevdeti u informua nga kundër-zbulimi, ndryshoi të gjitha rregullat dhe metodat e tij dhe erdhi në Divjakë.
Ju vendosët ta asgjësoni në rast se do të kontaktonit? Para se të hidhej, ne porosi-tëm njerëzit tanë pjesëtarë të bandës së tij, që menjëherë brenda vendit, ata të arrinin ta kapnin të gjallë.
Në rast se nuk do të funksiononte kjo, kapja e gjallë, atëherë mendonim të përdornim gurin e fundit për ta asgjësuar. Ata duhej ta vrisnin, por e pamë që kjo porosi ishte e kotë.
Pse?
Sepse e ndjenim që ata, pra shokët e tij, pavarësisht se bashkëpunonin me ne, prapa nuk mundeshin të vrisnin shokun e tyre. E shikoja që thonin po, por ishte rezerva brenda. Shkurt muhabeti, ata nuk mund të vrisnin shokun e tyre, ndërkohë që të gjitha të tjerat na i zbatonin. Për këtë ne ishim koshientë.
Ju ishit personi që merreshit me menaxhimin e gjithë kësaj veprimtarie të tensionuar të bandës?
Patjetër që unë. E kisha dhe detyrë funksionale dhe detyrë të ngarkuar rishtas. Unë në atë kohë isha shef i kundrazbulimit të Shqipërisë ose kryetar i degës së kundërzbulimit në Ministrinë e Brendshme siç quhej zyrtarisht.
Pra, për masat e sigurimit ishin tërësisht në dijeni dhe prapë erdhën ?
Po. Prandaj Xhevdeti lozi me befasinë kur hyri. Ata u pajisën më së miri me armë nga më të sofistikuarat, me të gjitha llojet e mjeteve të asgjësimit dhe të përdorimit gjatë veprimtarisë së tyre klandestine. Kishin pyetur për modën dhe për ngjyrat apo copat që përdorim këtu, madje dhe për mënyrën e qepjes dhe të veshjes në atë sezon. Kishin siguruar monedha 1, 2 apo 3 dhe 50 lekëshe, si dhe monedha metalike.
Dhe u nisën?
Jua shpjegova, që në atë darkë të 25 shtatorit 1982 morën urdhrin që të nisen. Në atë moment njëri prej tyre siç duket u tremb, tha se ishte shumë sëmurë dhe nuk mund të udhëtonte. Ai ndenji. Xhevdeti që kishte marrë urdhër nga shefat nuk mund të anulonte planin për njërin dhe u nisën tre prej tyre, ndërkohë që njëri prej tyre, pra Halit Bajrami ishte njeriu ynë. Në çastet e fundit ndërruan skafistin dhe morën tjetër. Kjo ishte një lëvizje shumë e nxituar e tyre, por siç duket për të përdorur befasinë. Pas kësaj kur mbërritën në Divjakë, skafi ngeci në rërë. Me shumë mundim e nxorën nga rëra dhe ai u rikthye në Leçe nga ishte nisur. Pastaj kanë pritur sa të binte mëngjesi ndërkohë që të gjitha plaçkat i groposën. Pas kësaj u nisën për të dalë në rrugë si qytetarë të zakonshëm. Armët u vendosën në çantë, të cilën e mbante Halit Bajrami. Kur ecën për në drejtim të rrugës ndodhi tragjedia me policin e Divjakës, i cili u mor peng nga grupi i policëve të shkujdesur, pavarësisht se ishin në shërbim për punën e bandës, por s’iua ka marrë mendja se do të dilnin aty.
Pastaj përfunduan në Rrogozhinë, ku u bë dhe vrasja e Haznedarit?
Ata të tre hynë në lokal të stacionit të trenit për të ngrënë bukë. Por njëri prej tyre kishte atlete “ADIDAS” që nuk kishte në Shqipëri në atë kohë. Kamerierja siç duket duhet të ketë qenë bashkëpunëtore e sigurimit, se ra në sy veshja e jashtme dhe dyshoi, prandaj doli dhe njoftoi policin e parë që u ndodh jashtë shumë afër lokalit. Në këtë kohë si e panë skenën nga brenda dhe ndërkohë që polici po afrohej për të hyrë ku i tha kamerierja, Xhevdeti dhe Sabaudin Haznedari dolën menjëherë jashtë duke pasur vetëm nga një pistoletë në xhep. Pas tyre doli Haliti i cili si u afrua pranë policit i pëshpëriti në vesh “Kapi ata të dy”. Por ndërkaq Haznedari kur pa se nuk kishte më kuptim fshehtësia, u sul te bunkeri më i afërt për të bërë rezistencë. Ndërsa Xhevdeti u nis me shpejtësi në rrugën kryesor ku ndaloi një veturë dhe hipi me forcë në të, duke e mbajtur peng. Rrugës për në Lushnjë vrau dhe një oficer qarkullimi duke kujtuar se po ndiqej prej tij. Më duket se quhej T. Hysi. Pastaj ai i detyruar nga ndjekja e policisë që iu vu mbrapa përfundoi në një shtëpi, ku siç dihet edhe u vra. Ndërsa Haznedari u rrethua dhe në mënyrë të çuditshme u vra nga një snajper.
Pse thoni në mënyrë të çuditshme?
Sepse ishte gabim që u vra, pasi ai mund të kapej i gjallë, sepse nuk kishte nga vinte pasi iu mbaruan fishekët. Këto janë ato enigmat që mua si specialist i zbulimit më kanë shqetësuar rregullisht. Vrasja e Haznedarit dhe trajtimi që iu bë Halit Bajramit, i cili megjithëse u dorëzua dhe ishte bashkëpunëtori ynë, u terrorizua. Dhe u veprua shumë keq.
Pse?
Sepse ai nuk duhej të dekonspirohej, por sipas legjendës ai duhej të shpëtonte dhe të rikthehej për të vijuar detyrën e zbulimit. Nuk e di pse u krijua ajo situatë aq rrëmujë që më ka shtruar enigma shumë të mëdha. Madje unë që kisha qenë personi përgjegjës që kisha menaxhuar për gjashtë muaj bandën, në ditën e zbarkimit të saj u shmanga. Këto janë pikëpyetje të mëdha. Sepse pak kohë më mbrapa unë jam përjashtuar edhe nga sigurimi i shtetit, te i cili kisha fituar një përvojë të jashtëzakonshme, si një nga personat që kisha drejtuar sigurimin në perëndim. Por siç duket komplikacionet që po të them janë të natyrave ekstreme dhe unë duhej të shkoja të jepja mësim në shkollën e policisë në Sauk. Ajo që ndodhi atë ditë dhe ditët më mbrapa, ishte një turp jo i vogël. Ne ndërkohë që mësuam lajmin, kemi qenë në takimin politik, ku diskutohej tabloja sinoptike për ngjarjen e Mehmet Shehut. Po kështu dhe Kadriu ka qenë në Elbasan. Nuk flas më shumë, se ato janë thënë disa herë dhe unë i kam përmendur edhe më parë.

Faleminderit zoti Luçi


Faleminderit juve

 

Nga Fatos Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu