Hasan Luçi: Për bandën e Xhevdet Mustafës kemi njoftuar gjashtë muaj para Enver Hoxhën

0
779

Hasan Luçi: Për bandën e Xhevdet Mustafës kemi njoftuar gjashtë muaj para Enver Hoxhën

Dëshmitë e Hasan Luçit, njërit prej njerëzve kryesorë të sigurimit të shtetit të Enver Hoxhës arrijnë sot në një pikë kulminante. Ai i kthehet edhe një herë ngjarjes më të bujshme të periudhës komuniste, pikërisht atë të vitit 1982 kur në Divjakë të Lushnjës ka zbarkuar banda e njohur e Xhevdet Mustafës. Misioni i saj ishte nga më të tmerrshmit për kohën, për vetë faktin se ata njerëz ishin betuar me jetë a vdekje për të vrarë vetë Enver Hoxhën.

Por, situatat e atyre ditëve të përshkruara rregullisht në shtypin shqiptar në atë periudhë dhe në ditët e sotme, nuk kanë mundur të zbardhen plotësisht dhe çuditërisht kanë ngelur nën hije. Pikërisht Hasan Luçi, i cili ka qenë nga njerëzit kryesorë i ngarkuar personalisht me vëzhgimin dhe menaxhimin e veprimtarisë së saj qysh gjashtë muaj para se të zbarkonte, flet sot për detaje të hollësishme të panjohura më parë. Hasan Luçi në një intervistë tjetër të dhënë në “Gazeta Shqiptare” në qershor të vitit 2000 me gazetarin Dashnor Kaloçi ka folur për fakte shumë interesante në lidhje me bandën në fjalë ndërkohë që sot ai do të hedh dritë mbi çastet kur mësoi ngjarjen befasuese. Çfarë bëri dhe si i angazhoi njerëzit e vetë për të ditur vendndodhjen e kampit të stërvitjes. Kush ishin njerëzit që ai vuri në dispozicion të vëzhgimit të saj. Si ndodhi që nuk u mësua dot momenti i zbarkimit dhe situata e veçantë kur ajo u asgjësua në Rrogozhinë ku shkak ishte sinjali i kamarieres së restorantit të stacionit të trenit të atij qyteti.

Hasan Luçi: Për bandën e Xhevdet Mustafës kemi njoftuar gjashtë muaj para Enver Hoxhën

(Vijon nga numri i djeshëm)

Zoti Luçi. Është folur shumë për bandën e famshme të Xhevdet Mustafës. Madje, edhe ju keni bërë një prononcim në “Gazetën Shqiptare” në qershor të 2002-shit me gazetarin Dashnor Kaloçi. Ajo që unë dua të di saktësisht sot, janë pikërisht enigmat dhe detajet e panjohura që s’kanë parë akoma dritën e së vërtetës. Ndoshta juve mund t’ju duken pa rëndësi, por unë kam qëllim të zbardh edhe episodet e zakonshme mbi krijimin dhe funksionimin e asaj bande fama e së cilës kaloi kontinentet madje ka mbërritur me interes deri në ditët e sotme. Së pari, dua të saktësohem mbi krijimin e kësaj bande. Si ratë në gjurmët e saj?
Ka qenë fare një rastësi kur unë personalisht aty nga fund i vitit 1981 kam marrë një sinjal që në dukje ishte disi i zakonshëm. Ngjante së shumti si ato informacionet rutinë që ne merrnim vazhdimisht nga bashkëpunëtorët tanë. Por, gjithsesi unë me syrin e eksperiencës 30-vjeçare që kisha në zbulim, e vlerësova veçanërisht si fakt.
Çfarë u tha konkretisht ai miku juaj kosovar që e konsideruat informacion shumë të veçantë?
Ai miku im kosovar ishte ndërkohë edhe mik i pjesëtarëve të bandës anëtar i së cilës ishte edhe ai vetë. Konkretisht më tha si rastësisht: “Tashmë një grup tepër special do të jetë mysafir në Shqipëri”.
Kur unë i thash me të qeshur dhe si pa vëmendje se kush na qenkish ai grup? Miku apo bashkëpunëtori im më tha : “Konkretisht ekipi që do të niset në Shqipëri për të vepruar nuk është përzgjedhur akoma pasi tashmë po përgatitet në mënyrën më speciale me specialistët më të mirë të zbulimeve më të fuqishme të kohës një grup me më shumë se 20 personash nga më të zgjedhurit. Pas marrjes në prova dhe pas kualifikimit do të përzgjidhen katër veta të cilët do të përbëjnë grupin më të famshëm që do t’ju bëjë në mes të Tiranës gjëmën më të paimagjinueshme.
U çuditët nga sa ju thanë?
Shumë nuk u çuditëm pasi problem i bandave që hidheshin në Shqipëri ishin bërë të zakonshme. Ne dinim se në Europë ishin shumë qendra stërvitore deri dhe afër kufijve të Shqipërisë që stërviteshin njerëz që të bënin terror në Shqipëri, por që sipas tyre ato banda konsideroheshin ‘Heronj të Lirisë’ për faktin se ata bënin përpjekje për të përgatitur kushtet për një kryengritje të armatosur. Por, megjithëse e vlerësova shumë ndryshe informacionin që ma dha miku im bashkëpunëtor se kishte diçka shumë serioze brenda.
Ku e patë seriozen?
Bashkëpunëtori që ishte edhe pjesëtar i grupit madje bënte stërvitje me 20-shen fillestare, zëre se e tha qartë se këtë herë detyra ishte speciale dhe do të kryhej në mes të Tiranës. Ai zëre se të thoshte qartë se këtë herë në shënjestër ishte vënë vet Enver Hoxha.
Çfarë bëtë?
Vlerësuam së pari informacionin. Pa humbur kohë aktivizuam të gjithë strukturën tonë dhe mënyrat e sofistikuara për të pikasur atë që na u dha. Nuk të kuptoj?
Sepse në zbulim jo çdo gjë që thuhet apo informohet mund të jetë e vërtetë pasi mund të këtë edhe dizinformacion.
Po a e kishit vënë në provë bashkëpunëtorin? Me këtë do të thuash se informatori mund të jetë edhe i pabesueshëm?
Gjithçka bën vaki, por më shumë verifikimi i situatës së informuar ka të bëjë me atë se mund të të kenë dërguar kastile një sinjal dizinformues. Pra, ne duhej të zhbironim me shpejtësinë e erës informacionin që na ishte dhënë. Në zbulim të kushton tmerrësisht shumë nga një herë edhe vonesat e papërfillshme.
Çfarë bëtë për të vlerësuar informacionin?
Në rrethet e miqve të tyre, pra të bandës, ne zhbiruam pa lënë as një dyshim për dekonspirim të informatorit. Çuditërisht, ndryshe nga sa prisnim, ramë shpejt në gjurmë të asaj që na ishte thënë. Me të vërtetë një grup prej 20 vetësh, mes tyre dhe dy gra, kishin ndërmarrë një stërvitje intensive me metodat më speciale duke filluar nga stërvitjet sfilitëse për tu kualifikuar në grupin e vogël që do të përzgjidhej për misionin e tmerrshëm për të vrarë vetë Enver Hoxhën i cili për hir të së vërtetës në ato momente ishte kthyer në udhëheqës shpirtëror të popullit.
Kjo ishte në funksion të detyrës suaj?
Po. Në funksion të detyrës që mbulonim ne duhej të zbulonim dhe të parandalonim çdo veprimtari që kryhej në dëm të interesave të shtetit dhe të partisë së atëhershme.
Po si kishte mundësi që të binit kaq shpejt në gjurmë të atij grupi kur nga ana tjetër thatë se ai ishte grupi më special që do të kryente detyrën më të jashtëzakonshme?
E vërteta është se ata, para se të fillonin stërvitjen dhe para se të mësonin metodat e konspiracionit ku do tu tregohej qartë se çfarë iu punonte kundërshtari që në rastin konkret kundërshtarët e tyre ishim neve të Sigurimit të Enver Hoxhës kishin folur shumë duke dekonsipurar sekretin.
Si ka mundësi?
Kishin folur te miqtë e ngushtë dhe shumë të ngushtë me mendimin se nuk do tu dilte sekreti. Por, ata kishin harruar faktin se po të ishte diçka e jashtëzakonshme është kurioziteti brenda që hapet në një rreth më të gjerë njerëzish.
Përsëri nuk mundem të kuptoj se një bandë që përgatitej të vriste njeriun më të mbrojtur në Shqipëri siç ishte Enver Hoxha, të mund të hapte sekretin me një mendjelehtësi të kësaj natyre që po më përshkruan?
Nuk u hap lajmi për njerëz dosido. Atë e kapëm lehtësisht neve që shumë miq të tyre, i kishim bashkëpunëtorë. Pra, i kapi agjentura jonë komuniste. Fillimisht, ne kemi kuptuar se kishim të bënim me veprime klandestine pastaj pamë se kishim të bënim me një bandë serioze që më të vërtetë kishte ndërmarrë një mision të asaj natyre që përshkruam.
Pra ishit juve që e drejtonit vëzhgimin dhe ndjekjen e saj?
Unë e kisha detyrë funksionale sepse drejtoja të gjithë rrjetin agjenturor të zbulimit të shtetit tonë në perëndim. Por, përveç detyrës kur u pa misioni i frikshëm dhe i vendosur i bandës mu lanë nga eprorët e mi edhe detyra “ekstra” për të ndjekur. Unë duhej të drejtoja të gjithë agjenturën që u vu në dispozicion të vëzhgimit të veprimtarisë së saj. Pra, unë isha personi që do të merresha me të gjithë situatën e saj dhe të mbaja lidhje me eprorët e mi, ministrin Isai dhe më tej po të ishte nevoja.
Çfarë detyre kishit në atë kohë juve?
Unë isha në Ministrinë e Brendshme me detyrën e kryetarit të degës së Kundërzbulimit të Shtetit.
Dhe e arritët ta mbanit nën vëzhgim?
Patjetër që e arrita. Brenda saj ne kishim filtruar njerëzit tanë që ishin jo pak por 6 veta. Ndërkohë, bënim mbikëqyrjen edhe me bashkëpunëtorë të tjerë që ishin njëkohësisht edhe miq të tyre. Jo vetëm kaq, por ne filluam rekrutimin e shumë elementëve të rinj që i përfshimë në rrjetin tonë të vëzhgimit të bandës. Në këtë mënyrë ne mbanim në mbikqyrje të gjitha fazat e lëvizjes së saj duke ju afruar epiqendrës sa më shumë të ishte e munduar.
Si kishit 6 veta brenda bandës, sa ishte ajo?
Në atë stërvitje sfilitëse ishin plot 20 veta të përzgjedhur që iu nënshtruan metodave më të vështira të përgatitjes së një zbuluesi të cilat fillonin me përgatitjen fizike dhe mbaronin tek ajo psikologjike ku duhej të arrije jo vetëm të dije të vrisje, pra të kishe shënjestër, por të ishe edhe shumë i qetë dhe të mos terrorizoheshe kur vrisje dikë. E pe sa thjesht ua merrte jetën Xhevdet Mustafa atyre që i dinin para? Kishte të bënte pikërisht me atë përgatitje të jashtëzakonshme e drejtuar nga zbuluesit më të mirë të shërbimeve më të fuqishme të botës. Pastaj nga ai grup u përzgjodhën katër vetë dhe në krye u zgjodh i padiskutueshmi, Xhevdet Mustafa.
Nga kush kontingjent ishte përzgjedhur grupi prej 20 vetësh që iu nënshtrua stërvitjes intensive dhe prej të cilit doli grupi i Xhevdet Mustafës?
Ata ishin të arratisur kriminelë apo bij të tyre. Ishin nga kosovarët mafiozë, kontrabandistë, njerëz ordinerë, armiq aktiv të Partisë dhe të Shqipërisë komuniste etj, etj. Pra, ishin përzgjedhur pas një studimi tepër të hollësishëm nga radhët e elementeve më të çorientuar në jetë që se kishin për gjë të vetmohoheshin. Gjithsesi, ai grup kaloi në testim dhe në fund siç të thashë përfundoi në katër vetë me në krye Xhevdet Mustafën.
Pse thatë “I padiskutueshmi Xhevdet Mustafa” ?
Sepse ishte vetëm personi që nga sa merrnim informacione nuk u diskutua fare për të qenë jo vetëm në grup por edhe në krye të tij. Ai kishte një stërvitje të jashtëzakonshme dhe një ndjenjë të veçantë për të kryer detyrën qoftë dhe me vetmohim. Ai kishte ndërkohë, besimin politik dhe zgjuarsinë.
Mund t’i përsërisnin anëtarët e bandës që do të niseshin për në Tiranë?
I pari i tyre, siç e di ishte Xhevdet Mustafa. Ai do të kishte edhe rolin e ekzekutorit. I dyti ishte Sabaudin Haznedari, i treti ishte Halit Bajrami i cili jeton. Më duket se është në Amerikë, por se kam mirë të qartë. Ky i fundit ka pasur diskutime nga eprorët nëse mund edhe të zëvendësohej. Kjo ndoshta se, ai tregohej disi i tërhequr nga entuziazmi ekstrem i kolegëve. Por, në fund mundi ta kalonte edhe atë dyshim. Ndërsa i katërti u tërhoq në momentet e fundit. Nuk e di duhet të këtë pasur frikë. Me sa di unë në çastet e fundit ai u tha se ishte i sëmurë. Kështu që u nisën vetëm tre persona ku dihet njëri ishte bashkëpunëtori ynë.
E njoftuat Tiranën?
U njoftua jo vetëm Tirana, pra ministri i Brendshëm Hekuran Isai, por edhe vetë Enver Hoxha.
E mësuat si ka reaguar Enver Hoxha?
Si mund të reagonte kur mëson se zbulimet më të fuqishme të perëndimit e kanë vënë në plan t’i bëjnë atentat. Ai ka kaluar në gjendje stresi të jashtëzakonshme dhe nuk i besonte më edhe xhaketës që kishte veshur. Në ato momente ai i ka dhënë urdhër Kadri Hazbiut të mos merrej me Ministrinë e Mbrojtjes ku ishte ministër, por të instalohej te Hekuran Isai si konsulent i drejtpërdrejtë i tij deri në përfundim të situatës së pritshme.
Pse e dërgoi Kadriun te Hekurani?
E dërgoi që të jepte përvojën e tij të gjatë në drejtim të zbulimit dhe të sigurimit të shtetit. Këtu duhet të ketë pasur ndonjë dyshim që ai linte të parë Hekuranin që s’kishte pasur idenë e Sigurimit ndërsa Kadriun konsulent apo këshilltar. Pra, situatat i dinte Kadriu si të menaxhoheshin, por të drejtën e urdhrave dhe të veprimeve e kishte ministri që ishte vetë Hekuran Isai.
Por Kadriu ishte ministër i Mbrojtjes?
Ishte ministër i Mbrojtjes, por flitet për situatën që po të them deri në shpartallimin e bandës.
Ka të bëjë ky dyshim i Enverit me dyshimet që ju dhatë për Kadri Hazbiun dhe Feçorr Shehun?
Unë nuk mund të jap as dyshime dhe as akuza për përfshirjen e Kadri Hazbiut dhe Feçorr Shehut në agjentura sidomos në UDB, pasi nuk kam pasur as një fakt apo të dhënë për këtë gjë. Unë nga numrat e kaluar të kësaj interviste të kam thënë se më ka bërë përshtypje dhe më ka shokuar se si ka mundësi që nuk kanë vepruar kur kanë marrë informacion të saktë për një ngjarje të bujshme që do të ndodhte në vend. Këto fakte i rendita. Por, të renditësh disa fakte që më kanë çuditur mua aq sa më kanë bërë të dyshoj, kjo nuk do të thotë se unë kam të drejtë t’i akuzoj si agjentë. Ndërsa për Enver Hoxhën, nuk di si ta shpjegoj, por veç të përsëris atë që të kam thënë dikur që ai ka pasur një sigurim personal ku merrte informacionet dhe nuk mbështetej fare në ato që i sillte Ministria e Punëve të Brendshme. Prandaj edhe ka deklaruar se gjithçka e ka zbuluar vetëm partia dhe jo sigurimi.
Të kujt agjenture ishin anëtarët e bandës?
Rolin kryesor të menaxhimit dhe dërgimit të saj e kanë mbajtur UDB-ja dhe CIA amerikane. Në fund, më aktive është treguar UDB-ja me njerëzit e saj të paraqitur si diplomatë në Romë. Por, ata ishin mpleksur në disa agjentura. Madje, secili nuk kishte besim te tjetri dhe se detyrat e njërit nuk i dinte tjetri. Në grup të gjithë do të kryenin misionin, por çfarë roli kishte njëri dhe çfarë do të bënte tjetri, këtë nuk e dinin bashkarisht. Secili dinte të vetën.
Për shembull?
Për shembull, Sabaudin Haznedari dinte bazën ku do të vendosej në Tiranë ndërsa të tjerët do ta mësonin kur të mbërrinin në vend. Xhevdeti dinte orën dhe vendin kur do të hynte në Shqipëri ndërsa të tjerët nuk e dinin. Kjo bëhej me qëllim që të ruheshin nga bashkëpunëtorët e shërbimeve të tjera në radhët e tyre. Prandaj ndodhi ajo që ndodhi që në momentin e ikjes nga Italia të gjithë e mësuan vetëm në çastin që u nisën madje nuk morën me vete as motoskafin të cilin e kishin stërvitur posaçërisht për këtë punë, por morën një motoskaf me qira etj.
Çfarë veprimesh bëtë ju me njerëzit tuaj brenda bandës vetëm për të marrë informacione?
Në radhë të parë kemi bërë punë të madhe që ata të paralizonin bandën të mos hynte në Shqipëri.
Pse a i kishit marrë masat?
Për ne ishte mrekulli të mos hynte fare për faktin se mund edhe të realizonin misionin e tyre.
Si e bëtë këtë përpjekje?
Duke u thënë bashkëpunëtorëve tanë që ishin anëtarë të grupit të tyre që të mos shkonin se në Shqipëri është bërë hekur dhe Sigurimi e mbronte Enver Hoxhën me fanatizëm të paimagjinuar. Pra, me një fjalë tu bënte terror për të ndryshuar mendje. Këtë ata e thonin edhe në sy të instruktorëve të tyre. Por, ata nuk u tërhoqën asnjëherë. Madje nuk u tërhoqën as në momentin që mësuan se ishin vënë në survejim nga sigurimi i Enver Hoxhës.
Nga e mësuan?
Mos harro se edhe ata ishin zbulues të niveleve të larta. Pastaj ata e mësuan mirë faktin që në Shqipëri ishin shpërndarë fotografitë e tyre te të gjithë njerëzit e Sigurimit. Edhe pas kësaj nuk deshën t’ja dinin. Ishin shumë të vendosur. Enver Hoxha duhet të jetë bërë keq sepse e mësoi mirë vendosmërinë e tyre megjithatë ai kishte informacion të vetin që ne na ka çuditur.
Po ndërsa banda e dinte se survejohej, a merrte masa maskimi?
Patjetër. Neve nuk e kishim të thjeshtë të mësonim lëvizjet e saj. Ata para se të zbarkonin në Shqipëri shkonin sa në një kryeqytet në një tjetër. Lëvizjet nuk i mësonin të gjithë pjesëtarët, por vetëm kur e shikonin veten para urdhrit për të lëvizur. Pastaj kanë bërë shumë përpjekje për të na furnizuar me dizinformacion.
Thatë se Enver Hoxha kishte informacion të çuditshëm?
Mëngjesin e zbarkimit të bandës ai ka marrë në telefon në mënyrën më alarmante në Ministrinë e Brendshme dhe ka kërkuar duke bërtitur Kadri Hazbiun.

(Vijon nesër)

Nga Fatos Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu