Hashim Thaçi e Kadri Veseli i bindën deputetët e PDK-së ta votojnë Specialen. Ja vetëm kush është kundër!

0
690

hasha

Dy drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi e Kadri Veseli kanë arritur që t’i bindin shumicën e deputetëve të partisë së tyre që ta votojnë Gjykatën Speciale. Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda partisë më të madhe në vend. Sipas këtyre burimeve, nga 11 deputetë të kësaj partie sa ishin kundër, numri i tyre është reduktuar në 3.

“Koalicioni i ka votat për ta votuar Gjykatën Speciale. Sipas të gjitha gjasave, brenda javës së ardhshme do të votohet ky projektligj. Thaçi e Veseli i kanë bindur thuajse të gjithë deputetët e PDK-së që ta votojnë këtë projektligj”, tha ky burim.

Gjithnjë sipas këtij burimi janë Fadil Demaku, Ganimete Musliu dhe Nait Hasani ata që ende nuk e kanë ndryshuar mendjen për votimin e kësaj gjykate.

Në anën tjetër, Gazeta Blic ka marrë vesh se PDK ka pasur presione të jashtëzakonshme për kalimin e projektligjit për themelimin e Gjykatës Speciale.

Gazeta Blic ka provuar që të kontaktoj me ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi për të mësuar më shumë për detaje sa i përket këtij projektligji, mirëpo ky i fundit nuk është përgjigjur.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë për medie se sipas të gjitha gjasave gjatë javës së ardhshme do të votohet ky projektligj.

Më 29 maj Kuvendi i Kosovës e kishte vënë në rend dite votimin e projektligjit për themelimin e Gjykatës Speciale, mirëpo me kërkesën e PDK-së u shty për një seancë tjetër, për faktin se hiq më pak se 11 deputetë nga kjo parti refuzuan që ta votojnë këtë projektligj.

Në anën tjëtër, partitë opozitare vazhdojnë të këmbëngulin për mos votimin e kësaj gjykate nga ana e deputetëve. Liderët e VV-së, AAK-së e Nismës, i janë drejtuar me një letër udhëheqësve të vendit që të mos lejojnë themelimin e kësaj gjykate.

Deputetja e PDK-së, Albulena Haxhiu ka thënë për Gazetën Blic se kjo gjykatë do të jetë në dëm të Kosovës.

“Gjykata Speciale është e dëmshme për Kosovën. Ajo cenon sovranitetin e popullit të Kosovës në pushtetin gjyqësor. Synimi i saj i drejtpërdrejtë është dënimi i luftës çlirimtare që shqiptarët e Kosovës kanë bërë në 1999. Justifikimi i saj është përmes shpifjeve të pavërtetuara ndonjëherë. Prandaj, ne mendojmë se ajo kurrsesi nuk duhet të miratohet. Dhe ne jemi të bindur se edhe në grupet parlamentare të forcave qeveritare ka ende disa deputetë që e duan këtë vend. Mendojmë se ky amendament nuk do t’i marrë votat, dhe angazhimi ynë si subjekt politik është që miratimi i tij të mos ndodh”, ka thënë ajo për Gazetën Blic.

Pas dënimit të Grupit Drenica nga ana e EULEX-it, një pjesë e madhe e deputetëve të PDK-së paralajmëruan votën kundër. Ata janë hiq më pak se 11 deputetë:  Ganimete Musliu, Rafet Rama, Xhevahire Izmaku, Blerta Deliu-Kodra, Bekim Haxhiu, Nuredin Lushtaku, Sala Berisha-Shala, Fadil Beka, Fadil Demaku, Nait Hasani e Raif Qela./ Gazeta Blic

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu