Hashim Thaçi, një person i tejpreokupuar me pozitën që do të zërë në histori

0
434

Hashim Thaçi, si një person i tejpreokupuar me pozitën që do të zërë në histori, duket se nuk do që t’ia lërë rastit, që të mos përdorë fuqinë e madhe që e ka aktualisht, që të ndikojë të shtyhen afatet, të përmbysen marrëveshjet e miratuara në Kuvend, pse jo mundësisht të eliminohen kandidatët e tjerë (problemi i dyshtetësisë së Pacollit dhe moshës së Jahjagës) dhe zgjedhjet të mbahen në ditën kur atij do t’i mundësonin të kalonte lehtësisht nga karrigia e kryeministrit në atë të Presidentit…

NGA KATËR FYTYRAT që pozonin para kamerave dhe fotoaparateve më 6 prill, njëra dukej se e kishte të vështirë buzëqeshjen. Behgjet Pacolli e dinte se është humbësi më i madh. Ai nuk do të kandidonte për president të vendit – pas vendimit që e shpalli antikushtetuese zgjedhjen e tij të parë – dhe po i hapte rrugë një 36-vjeçareje gjysmë anonime, emri i së cilës, siç do të rrëfente më vonë, kishte dalë atë natë nga zarfi. Nikoqiri i mbrëmjes, ambasadori amerikan Chris Dell, reflektonte vetëkënaqësi me arritjen e kompromisit. Ishte ai që merrte mbi vete autorësinë e zgjidhjes së bllokadës politike, që rrezikonte ta dërgonte vendin në zgjedhje të reja të parakohshme. Buzëqeshja e Isa Mustafës rridhte nga dy gjëra: besimi se ia kishte dalë që t’ia shkurtonte mandatin qeverisës Thaçit, ndërkohë që do të kishte kohë në dispozicion për të bërë reformat e synuara në parti, si dhe se nuk kishte lënë që kandidati i koalicionit PDK-KKR të dilte fitues pa bekimin e LDK-së. Ndërsa, Hashim Thaçi, me gjithë pozicionin momental prapakthehu të çastit, buzëqeshte me shumë ëndje, duke vlerësuar se të gjithë e hëngrën sërish. Gjithsesi në kokë tashmë bluante planin se si mund t’i bëjë bisht të gjitha këtyre që u dakorduan në marrëveshjen “për dalje nga kriza”. Me një marrëveshje, që në thelb ishte antikushtetuese, dhe me gjithë miratimin që e mori ditë më vonë nga Kuvendi, kishte shumë hapësirë për manovrime. Dhe për kthim të situatës në favor të vetin, në ujëra më të qeta.

NUK PATI NEVOJË të kalojnë mirë as gjashtë muaj dhe Thaçi lëshoi balonat e parë. Nga bastioni i tij politik, Drenasi, ai tha se nuk është e sigurt se zgjedhjet presidenciale do të mbaheshin në vitin 2012. Pavarësisht se është kryeministër i vendit dhe kryetar i partisë më të madhe në vend, ai i pari filloi ta vërë në dyshim marrëveshjen e prillit të miratuar nga Kuvendi. Pavarësisht se aty nënshkrimet e Thaçit, Mustafës dhe Pacollit, si dhe me garantimin e ambasadorit Dell, nënvizohen disa obligime të patjetërsueshme: “Ne pajtohemi që menjëherë të formojmë një komision për reformën e zgjedhjeve presidenciale që do të hartojë amendamentet e nevojshme kushtetuese dhe çfarëdo legjislacioni të ndërlidhur të nevojshëm për të amendamentuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në mënyrë që presidenti të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli. Komisioni do të synojë të përfundojë punën e vet brenda 6 deri në 9 muaj nga data e themelimit të tij… Ne pajtohemi që zgjedhjet e para presidenciale në Republikën e Kosovës do të mbahen jo më vonë se 6 muaj nga data në të cilën ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe legjislative hyjnë në fuqi…”

Tash, kur komisioni është në përfundim të punës së tij, është nënshkruesi i parë që synon t’i bishtnojë obligimeve. Dhe tashmë, përveç balonave provues, duket se janë ndërmarrë edhe hapa për të hartuar strategji, se si do të mund të bëhej e pamundur zgjedhja e presidentit të ri në afatin e paraparë, gjatë vitit 2012. Ose, thënë më saktë, për të hartuar strategji që zgjedhjet të mbahen pikërisht në kohën kur Thaçi përfundon mandatin e kufizuar si kryeministër, në mënyrë që menjëherë të mund të marrë mandatin tjetër pesëvjeçar – si President.

PLANI DUKET TË jetë gati. Së shpejti pritet të ndërmerret një fushatë, ku do të avokohet e propagandohet se nuk do të ketë kuptim që të zgjidhet Presidenti nga votat e drejtpërdrejta të qytetarëve, teksa ende nuk janë përcaktuar qartë kompetencat që do t’i ketë, pavarësisht se këto të dyja nuk lidhen domosdoshmërisht njëra me tjetrën. Komisioni për Ndryshimet Kushtetuese, i cili këtë javë ka njoftuar se është në përfundim të detyrave që ka marrë, dihet se nuk ka mandat për të trajtuar çështjen e kompetencave të Presidentit dhe evitimit të asaj që quhet “përzierje e kompetencave ndërmjet kryeministrit dhe presidentit”. Dredhia e menduar është që të krijohet terreni që ky Komision të kërkojë mandat shtesë nga janari i vitit të ardhshëm për t’u marrë ekskluzivisht me çështjen e kompetencave. Nëse Kuvendi do t’i japë mandat shtesë Komisionit aktual, atëherë i bie që zgjedhjet të mbahen sipas preferencave të kryeministrit Thaçi, në vitin 2013, bashkë me zgjedhjet e përgjithshme, e edhe ato lokale.

Propaganduesit e këtij skenari nganjëherë përdorin edhe një metodë perfide pseudosensitive, duke thënë se kështu do të duhej të ndodhte edhe për shkak të karrierës së Presidentes aktuale, Atifete Jahjaga, e cila, sipas ligjit në fuqi, i nevojiten së paku 2 vjet e 5 ditë në krye të shtetit, në mënyrë që t’i gëzojë privilegjet të cilat u takojnë ish-presidentëve. Kjo, sikur Presidentja Jahjaga, në momentin kur ka pranuar kandidimin, nuk e paskësh ditur se marrëveshja është e kufizuar dhe se, si e tillë, i ka edhe mangësitë e veta.

Në anën tjetër, nëse diçka e këtillë ndodh, kjo do të mund të shihej si thikë pas shpine edhe për partnerin e koalicionit që ia mundësoi votat Thaçit për të formuar qeverinë, Pacollin. AKR-ja tashmë është shprehur kundër një shtyrjeje të mundshme të zgjedhjeve presidenciale. Dhe kjo do të nënkuptonte edhe thyerjen e tretë të marrëveshjeve Thaçi-Pacolli, pas problemeve të votimit në Kuvend, asaj për dhënien e edhe të një ministrie dhe marrëveshjes presidenciale të prillit.

Pritet të shihet edhe reagimi përfundimtar i Isa Mustafës dhe i LDK-së, që fillimisht japin sinjale të hutuara.

Teksa, pozicionin më të ndjeshëm në këtë çështje e ka kumbara i marrëveshjes, ambasadori Chris Dell. Ai, bashkë me përgjegjësitë e Kuvendit, do të duhej të vazhdonte të ishte garantuesi kryesor i përmbushjes së marrëveshjes.

Në të kundërtën, të gjithë do ta merrnin pjesën e tyre të përgjegjësisë për mashtrim të koordinuar të qytetarëve të Kosovës.

NDËRKOHË, HASHIM THAÇI, si një person i tejpreokupuar me pozitën që do të zërë në histori, duket të mos i pëlqejë që të mos përfundojë asnjë mandat në krye të qeverisë.

Mirëpo, në anën tjetër, e di se pas dy mandateve jo të plota qeveritare, nuk ia lejon egoja që të kthehet në pozitë të ndonjë ministri, ashtu siç kanë pranuar ish-kryeministrat e tjerë që i ka nën vete në qeveri. Ai synon që t’i arrijë të gjitha. Dhe nuk do që t’ia lërë rastit, që të mos përdorë fuqinë e madhe që e ka aktualisht, që të ndikojë që të shtyhen afatet, të përmbysen marrëveshjet e miratuara në Kuvend, pse jo mundësisht të eliminohen kandidatët e tjerë (problemi i dyshtetësisë së Pacollit dhe moshës së Jahjagës) dhe zgjedhjet të mbahen në ditën kur atij do t’i mundësonin të kalonte lehtësisht nga karrigia e kryeministrit në atë të Presidentit.

Mirëpo, ky paraqet edhe atë momentin delikat kur fuqia politike e një personi mund të bëjë që personi më të mos i përshtatet shtetit, por përkundrazi – shteti personit.

Këtë e kemi parë të ndodhte në shumë vende jo fort për lakmi.

A mund të na ndodhë edhe neve?

 

Shkruan: Adriatik Kelmendi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu