Hashim Thaqi i bene be Imer Imerit me 125 Pleç te Skenderajt

0
994
 Hashim Thaqi i bene be Imer Imerit me 125 Pleç te Skenderajt

“Ai më ka thanë që muj me bo be 124 pleq me kanun, që s’kom hak e as hile”, kishte deklaruar ditë më parë Imer Imeri, vëllai i të vrarit Haki Imeri, ish anëtar i LDK-së.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaqi duket se ka qenë mjaft bindës për z. Imer Imerin sa i përket pafajësisë në vrasjen e vëllait të tij, Haki Imerit. Tashmë, për z. Imer Imeri, Hashim Thaqi është njeriu më i besueshëm pasi ka bërë thirrje për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës.

“Me thirrjen e Thaqit për ti zbuluar vrasjet para dhe pas luftës si dhe bombat e President Rugova më ka lënë me kuptua se me këtë njeri mundesh me fol. Edhe Thaqi e përsëriti disa herë thirrjen për ti zbulua vrasjet ,Thaqi madje e aplikojë edhe Gjykatën Speciale dhe kjo është e duhur se Kosovës i vyen Gjykata Speciale, për krimet që kanë ndodh”, ka thënë Imeri për gazetën “Bota sot”.

Por, këtë tërheqje të akuzave dhe atyre që kishte thënë për Thaqin deri më tash, z. Imer Imeri thotë se e ka bërë edhe për shkak heshtjes së LDK-së, partisë së cilës i takonte vëllai i tij Haki Imeri.

“Vëllai im u vra për LDK, dhe LDK-ja 18 vite nuk bëri asgjë për vëllain tim dhe LDK-ja nuk e bëri asnjë akademi përkujtimorë as për një përvjetor nuk i erdhën të varri madje as nuk folën për të asnjë fjalë në përvjetorët e tij”, ka thënë ndër të tjera Imeri.

Haki Imeri ishte vrarë më 2 nëntor të vitit 1999, në rrethana të pasqaruara dhe për këtë familja e tij e kishin akuzuar disa herë Thaçin, se ai ishte i informuar se kush e ka vra familjarin e tyre.

Haki Imeri ishte kidnapuar midis orës 16 dhe 17, me 2 nëntor në fshatin Brojë, nga persona të panjohur, që ishin  prezantuar si policë,  e më pas ishte gjetur i vdekur në një thellësi të malit në fshatin Aqarevë, dy kilometra larg vendit ku është kidnapuar

Haki Imeri ishte dekoruar me Medaljen e Artë të Pavarësisë nga Presidenti Rugova, së bashku me Prof. Fehmi Agani, Latif Berisha, komandat Sali Çeku, Agim Hajrizi, Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Shaban Manaj, Ismet Rraci, Ismail Hajdaraj, e Ukë Bytyçi.

Imer Imeri duke fol për akuzat që kishte bërë ndaj Thaçit, ai ka thënë se me thirrjen për hetimin e vrasjeve politike, Hashim Thaçi e ka mbajt fjalën, ndërsa LDK-ja sipas tij vetëm po hesht.

“Unë kam thanë që z. Thaçi e din kush ma ka vra, ata ndoshta janë 100 vetë që e din se kush ma ka vra vëllain tim, po unë nuk mundem me i akuzuar  krejt. Unë mundem me e akuzuar vetëm atë që ma ka vra e jo të gjithë. Z. Thaçi e majti fjalën që ka thanë ti hetojmë vrasjet e pas luftës dhe ti hetojmë bombat e presidentit. Ai të paktën po flet, po pse s’po flasin ata të LDK-së pse po heshtin ata?? Është marri për ta, se vëllai im ka qenë i LDK-së , sepse LDK-ja është ajo që e ka pru në pushtet Thaçin, dhe e kanë bërë president Thaçin, e tani veç presidenti Thaçi po shikojka mu shpërla. Por jo jo, janë ata tjerët që po fshihen pas tij, se –presidenti Thaçi  po bën thirrje me i hetua vrasjet e këto probleme që as vet LDK-ja s’po i përmend a mbi gjakun e presidentit Rugova dhe mbi gjakun e të vrarëve i kanë marrë votat të gjithë”, thotë Imer Imeri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu