Hashim Thaqi i shmanget takmit me Albin Kurtin

0
771

Sipas Albin Kurtit, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka një shtysë të fortë që të dialogojë me Serbinë. “Për mua është e qartë që kryeministri Thaçi ia ka nevojën Serbisë. Ai nuk mundet pa Serbinë, sepse vetëm asisoj mund të mbetet në pushtet dhe të jetë interesant për ndërkombëtarët”, ka thënë ai të dielën në një intervistë për “Kohën Ditore”.

Kryetari i Vetëvendosjes po sheh se si Thaçi ende pa nisur mirë dialogu politik me Serbinë po heq dorë nga zotimet e tij. Ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, pas takimit me ministrin e Jashtëm britanik, William Hague, për dallim nga deklarimet e mëhershme, kur thoshte se përfundimi bisedimeve do të jetë me njohje nga Serbia, tash pret njohje nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën ende.

“Kjo paraqet sprapsje të Thaçit ende pa nisur dialogu dhe heqje dorë e tij nga premtimi e zotimi paraprak për njohje të ndërsjellë të Kosovës me Serbinë në fund të procesit. Ne gjithmonë kemi kritikuar politikanët e huaj që shprehnin mirëkuptim për mosnjohjen e Serbisë. Atyre tani iu bashkua edhe Thaçi. Me këto koncesione, ende pa filluar mirë dialogu, mund të merrni me mend se çka na pret përgjatë tij e në përfundim të tij”, ka thënë Kurti, duke zënë ngoje krijimin e një Republika Srpska brenda Kosovës.

Lideri i forcës së dytë më të madhe opozitare i është referuar si kriminal takimit të Thaçit me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, ndërsa ka thënë se Kosova është dashur ta kushtëzojë Serbinë te Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve.

Ai ka theksuar se subjekti i tij nuk do të ndalë aktivitetet, siç i ka quajtur, kundër pazareve me Serbinë dhe shitjes së pasurisë së Kosovës. Ai e ka përshkruar të egër sjelljen e Policisë së Kosovës kundër anëtarëve të subjektit të tij. Për këtë ka akuzuar kryeministrin Thaçi, ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi si dhe komandantin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Amir Gërguri.

Kurti ka folur edhe për zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike të Kosovës. Ka thënë se aty do të ndodhë një puç nga Shërbimi Informativ i Kosovës. I pari i “Vetëvendosjes” ka thënë se i ka “lypur mejdan” Thaçit në cilindo televizion që ai do, porse këtij të fundit, siç ka thënë ai, “nuk po ia mbanë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu