Haxhinasto solli në Kosovë porositë e njohura të Beogradit dhe të Athinës zyrtare

0
577

Shkruan, Ahmet Qeriqi:

Zëvendës-kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto  erdhi me ngut dhe gati pa paralajmëruar për një vizitë dy-ditore në Kosovë, fill pasi gazeta më e lexuar në Greqi, “Katimerini” kishte cituar veprimtarin më emblematik, të gjallë, të kombit, Adem Demaçin të kishte deklaruar se presioni dhe mosnjohja  e pavarësisë nga Serbia do të bëjë që Kosova të bashkohet me Shqipërinë. Ky paralajmërim i Demaçit mobilizoi shpirtrat e ligj antishqiptarë, të cilët me shpejtësi u vunë në veprim. I pasi i diplomacisë së Shqipërisë, Haxhinasto, me origjinë politike nga  LSI e  Ilir Metës, i cili vitin e kaluar kishte lidhur disa marrëveshje të fshehta (bilaterale) gjatë qëndrimit në Beograd, erdhi me nervozë në Kosovë dhe gjatë takimit me krerët e Prishtinës zyrtare iu bëri të ditur se kurrë nuk do të ketë bashkim të Kosovës me Shqipërinë. Bashkimi, sipas tij mund të ndodh vetëm brenda BE-së, sikur është bashkimi i të gjitha shteteve të Evropës, që bëjnë pjesë në unionin globalist të BE-së, ashtu si bashkimi i Suedisë me Portugalinë.

 

Natyrisht se Haxhinasto në mesin e kreut politik të Kosovës gjeti shumë përkrahës, të cilët i frikësohen bashkimit kombëtar, jo për tjetër,  por sepse mund t i humbin bastionet e plaçkitjes e përfitimeve, mirëpo në anën tjetër pati edhe disa reagime e mospëlqime madje shumë më tepër sesa kishte pritur ky farë Haxhinastosi, i katapultuar në kreun e Qeverisë së Shqipërisë, në vend të Ilir Metës, i cili po përballet me akuza të rënda për korrupsion shtetëror.

 

Gjatë qëndrimit dyditor në Kosovë, ky diplomat i ftohtë, por i instruktuar për qëllime të cilat i zbuloi vetë, i ra pashë më pash Kosovës, duke trumbetuar idenë kundër bashkimit të kombit, që nënkupton  ardhmërinë e përjetshme të  shqiptarëve të ndarë në pesë shtete të Ballkanit.  Ky diplomat nuk na foli asnjë fjalë për fushatën që po e bëjnë grekët në greqizmin e Shqipërisë, nuk foli as për qindra kilometra katrorë nga deti Adriatik që iu dhuruan Greqisë, nuk foli as për ngritjen të monumenteve madhështore për ushtarët grekë, në  trevat jugore  të Shqipërisë, të cilët kishin vrarë dhe kishin masakruar popullatën shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk foli as për problemet lidhur me regjistrimin e popullsisë dhe shtyrjen e këtij procesi që erdhi pas presionit popullor. Asnjërën nga këto tema nuk i përfoli Haxhinastosi,  por as u pyet nga gazetarët tanë servilë, e të përzgjedhur për të përcjellë rangun e tillë diplomatik.

 

Ai shpalosi retorikën e tij për ruajtjen me çdo kusht të status-quosë, lavdëroi fillimin e bisedimeve të Kosovë me Serbinë, lavdëroi me fjalët më të mira të mundshme  edhe aksionet e EULEX-it, në prangosjen e çlirimtarëve të Kosovës, madje nënvizoi se ky mision po e zbaton me përpikëri ligjin dhe asnjëherë, në asnjë rast nuk anashkaloi deklaratat kundër bashkimit kombëtar të shqiptarëve, proces ky,  i cili sipas tij qenka më i dëmshëm për shqiptarët, sesa për kombet e tjera, që edhe ashtu janë të bashkuara brenda vetvetes dhe nuk kanë kurrfarë shqetësimesh të tilla.

 

Politika poltrone e Kosovës, e cila ka pranuar  planin e Ahtisarit dhe është zotuar se nuk do të angazhohet në drejtim të bashkimit të kombit, natyrisht se nuk mund të kundërshtonte porositë antikombëtare dhe antishqiptare të Haxhinastosit. Megjithatë zërin e tyre kundër këtyre deklaratave hipokrite dhe në esencë antikombëtare e ngritën veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lëvizja për Bashkim dhe intelektualët e pavarur, të cilët nuk hezituan të kundërshtojnë qëndrimin e Haxhinastos, duke i bërë me dije se deklaratat e tij bien në kundërshtim madje edhe me vetë Kushtetutën e Shqipërisë. Mirëpo kjo nuk i bëri përshtypje kryediplomatit të Shqipërisë, i cili përhapi  shijen më të keqe që ka lënë ndonjëherë ndonjë diplomat  shqiptar në Kosovën e  pas luftës së vitit 1999.

 

Është brengosës fakti se prej vitit të kaluar, kur Ilir Meta mori pjesë në Kongresin e Partisë së Tadiqit dhe qëndroi disa ditë në Beograd, si duket është nënshkruar edhe një marrëveshje e fshehtë bashkëpunimi për ndalimin apo edhe arrestimin e disa prej ish-eprorëve të UÇK-së, të cilët Serbia i ndjek për krime lufte, duke u bazuar në dosjet e ministrisë së Drejtësisë së kohës së regjimit të Milosheviqit. Prej vizitës së Metës në Beograd, janë ndaluar në kufirin e Shqipërisë, në hyrje e dalje pesë eprorë të UÇK-së, emrat e të cilëve janë të afishuar në Interpolin e Serbisë. Për të gjitha këto raste, janë njoftuar instancat relevante në vend, në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilat këto veprime i kanë mbajtur larg medieve, madje i kanë arsyetuar se kanë qenë keqkuptime të rastit, të cilat nuk do të përsëriten. Duket se një segment i këtij shërbimi e ka matur pulsin dhe kundër-reagimet për veprime të tilla dhe kjo nuk do të thotë se në një të ardhme të afërt të përndjekurit shqiptar të regjimit të Beogradit një ditë të mos gjenden në shënjestër edhe në vendkalimet kufitare të Kosovës me Shqipërinë.

 

Këto përpjekje për t’i futur sërish në ilegalitet  çlirimtarët e Kosovës mendoj se pa vonuar shumë do ta marrin përgjigjen e merituar, e cila do të manifestohet me veprime tashmë të njohura, sipas stilit dhe filozofisë së UÇK-së Ademjasharajane.

 

Duket se po rikthehen kohët për të kaluar ilegalisht kufirin, mes Kosovës dhe Shqipërisë, kufi për të cilin kemi menduar se e kemi thyer, dhe fizikisht e kemi thyer,  por na e ka rikthyer Tirana dhe Prishtina zyrtare. Dhe për të na rikujtuar edhe njëherë këtë kufirin e turpit, (i cilin në ardhmen e bashkuar të Shqipërisë do të përkujtohet si monumenti i turpit kombëtar), qëndroi në Kosovë, Haxhinastosi, i  cili solli porosi të qarta dhe na bëri me dije se deklaratat e herëpashershme të Sali Berishës, Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit lidhur me bashkimin kombëtar janë mall konsumi për elektoratin në prag të zgjedhjeve dhe asgjë më shumë.

 

(KEL)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu