Hebreu me pasaportë gjermane që s’i duron Berishën e Thaçin

0
726

I mbështjellë me një pallto të madhe ngjyrë kafeje, me një kapelë të gjelbër në kokë që njihet si “republika” dhe me një çantë të zezë në dorë, ai në dukje të parë krijon perceptimin se mund të jetë vetëm një pensionist i zakonshëm që gjendja ekonomike në vend e ka detyruar të bëjë xhiro.

Por kjo përshtypje është shumë jetëshkurtër. Rrënohet sapo ai ta çelë gojën për të thënë me një theks të asnjë rajoni shqiptar: “Unë jam Max Brym”, boton sot rrëfimin e tij “Koha Ditore”. Aty ngrihen dyshime se me aksentin e cilës gjuhë ai foli shqip për ta kuptuar edhe se nga mund të jetë. Mirëpo, Max sërish nuk të lë të presësh shumë. “Unë jam nga Gjermania”, thotë ai. Në fakt, ani pse me shtetësi gjermane, Max është biri i një çifti hebrenjsh. Ai është filozof me profesion, ndërsa në Prishtinë vjen shpesh, meqë ekziston një marrëveshje në mes të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Regensburgut të Gjermanisë për shkëmbimin e profesorëve dhe të studentëve. Në Fakultetin Filozofik të UP-së, Max mban ligjërata të lëndës hyrje në filozofi. Mirëpo, lidhja e pesëdhjetekatërvjeçarit nga Munihu me Kosovën është më e fortë sesa marrëveshja midis dy universiteteve për shkëmbime. Kjo falë së ëmës së Maxit. Ajo gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte qenë njëra nga të mbijetuarat e tërë asaj që kishte ndodhur falë përkujdesjes së shqiptarëve të Shqipërisë për të.

Max tregon se me të kuptuar në fëmijëri të vërtetën e nënës së tij, kjo gjë të ketë ndikuar tek ai që të interesohet për shqiptarët. Thotë se i njeh shumë mirë personalitetet shqiptare prej Hysen Tërpezës e deri te këta që janë aktualisht, por lutet që të mos i kërkohet të flasë për të kaluarën. Ajo që hebreu me shtetësi gjermane dëshiron ta thotë ndërlidhet me aktualitetin. Sipas tij, shqiptarët janë njerëz të mirë për të merituar udhëheqës politikë si Sali Berisha në Shqipëri dhe Hashim Thaçi në Kosovë. “E vlerësoj popullin shqiptar shumë lart, sidomos historinë e tij të lavdishme që prej kohës së Skënderbeut e deri te Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Si filozof kam lexuar Friedrich Engelsin që thotë: Lidhja Shqiptare e Prizrenit është lëvizja më përparimtare që ka ndodhur gjatë asaj kohe në Ballkan. Në anën tjetër, kemi Bismarkun i cili në kohën e Kongresit të Berlinit ka thënë: “Shqiptarët për mua nuk ekzistojnë”, shprehet ai. “Mirëpo, më vonë, gjatë luftërave ballkanike intelektualë të mëdhenj evropianë dhe botërorë janë pozicionuar kundër masakrave ndaj shqiptarëve”. Max thotë se e vlerëson traditën e shqiptarëve dhe pjesëmarrjen e tyre në luftën antifashiste. “Shqipëria veçohet në histori prej të gjitha vendeve të tjera: para aneksionit fashist në Shqipëri kanë jetuar diku rreth 200 hebrenj, ndërsa pas pushtimit fashist në Shqipëri me të strehuarit numri i hebrenjve është rritur në mbi 1000”, kujton ai. “Pra kjo është e veçantë në tërë Evropën”. Sipas tij, populli shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore nuk e ka merituar që të jetojë i ndarë dhe as, siç i quan ai, diktaturat pseudosocialiste dhe staliniste si në Shqipëri ashtu edhe në Jugosllavi. “Për të ardhur te aktualiteti, shqiptarët me vetitë që i kanë, nuk i meritojnë qeveritë që i kanë si në Kosovë edhe në Shqipëri. Në tërë Evropën tashmë dihet se si Berisha në Shqipëri dhe Thaçi në Kosovë i kanë pllakosur vendet në korrupsion”, thotë Max. “Mirëpo, unë besoj se shumë shpejt populli shqiptar në të dyja anët e kufirit do ta heqë qafësh këtë model të qeverisjes”.

Cristopher Dell, “Zeusi i Kosovës”

Në prizmin e shtetasit gjerman me origjinë hebraike, Kosova sot përballet me shumë probleme. Por ai thotë që dy të jenë kryesoret: mungesa e sovranitetit dhe gjendja e rëndë ekonomike. “Nëse e shikojmë Kosovën nga këndvështrimi real, atëherë mund të themi se nuk është shtet sovran. Edhe pse Kosova ka Qeveri, ka Parlament, prapëseprapë ICO-ja nëpërmjet Pakos së Ahtisaarit e ka fjalën përfundimtare. ICO-ja mund të kthejë ligje, t’i ndërrojë ministrat etj.”, thotë Max. “Për ta marrë edhe një shembull tjetër: është ambasadori amerikan Christopher Dell ai që tashmë e ka marrë nofkën ‘Zeusi i Kosovës’; ai gjatë zgjedhjes së Presidentit krijoi skandalin e SMS-ve, gjë e cila në Gjermani nuk do të tolerohej, sepse asnjë diplomat i huaj nuk do të lejohej që të ndërhynte në punët e brendshme të Gjermanisë”. Sipas tij, nëse një ambasador i huaj në Bundestag do të tentonte që të përzihej në zgjedhjen e presidentit të Shtetit, atëherë shumë shpejt ai diplomat në Gjermani do të shpallej person non grata.

Me të ilustruar mungesën e sovranitetit, Max del te problemi i dytë thelbësor sipas tij, me të cilin përballet shoqëria në Kosovë. “Sipas Bankës Botërore, 36 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë me më pak se dy euro në ditë dhe 16 për qind me më pak se një euro në ditë. Në anën tjetër, e kemi një grup të vogël njerëzish të cilët janë bërë milionerë brenda natës e që jetojnë për mrekulli. Kjo paraqet një mospërputhje të tmerrshme midis këtyre dy kategorive”, thotë ai. “I kam dëgjuar shumë njerëz në Kosovë duke thënë se si shumë politikanë gjatë natës bëhen biznesmenë: unë dua t’i besoj popullit, sepse kur është fjala për këso gjërash çdo popull ka shqisa të mprehta për t’i ndier ato”. Hebreu me pasaportë gjermane thotë se në Kosovë në rrafshin ekonomik është duke mbizotëruar neoliberalizmi i egër. “Kosova, në njërën anë, është shumë e pasur, çka këtë e vërtetojnë edhe studime të ndryshme, kurse, sipas njërit që e kam lexuar në Gjermani, kam parë që pasuria nëntokësore e Kosovës vlerësohet të jetë rreth një bilion dollarë. Ndërsa Qeveria e Kosovës ani pse në këto rrethana nëpërmjet procesit të privatizimit i josh investitorët e huaj duke iu thënë: “Këtu në Kosovë ofrojmë fuqi shumë të lirë punëtore, nuk keni nevojë që të paguani tatim ndaj shtetit të Kosovës” etj. Kosova ka perspektivë në zhvillimin ekonomik vetëm nëse e ndalon këtë doktrinë të neoliberalizmit të egër”, shprehet ai. “Ndërmarrjet strategjike publike, mirëpo edhe pasuria nëntokësore duhet të mbeten në pronësi publike, që nëpërmjet tyre të paguhen shërbimet sociale për qytetarët e Kosovës që kanë nevojë për to e jo që këto pasuri të bien në duart e korporatave private të huaja”.

“Budallallëku” i Kadri Veselit

Shtetasi gjerman ka treguar se ka qenë duke ndenjur në qetësi tash ditëve të fundit derisa nuk ka hasur në një intervistë të ish-shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, dhënë një portali gjerman. Apelin e Veselit për kompanitë gjermane që të vijnë në Kosovë dhe të investojnë sa vijnë kompani turke Max e ka quajtur apel budallallëku. “Apeli i zotit Veselit ka qenë apel budallallëku. Nuk ka rëndësi se a vjen investitori privat nga Turqia apo nga Gjermania. Investitori privat i huaj është i interesuar që në Kosovë të nxjerrë sa më shumë përfitime, sa më shpejt, pa paguar tatime dhe me fuqi punëtore sa më të lirë”, shprehet ai. “Lufta e korporatave private për përfitime maksimale nuk ka të bëjë asgjë me kombet”. Max ka treguar se ka parë që Veseli e ka lavdëruar kompaninë gjermane ANR, një kompani kjo që, sipas tij, në rajonin e Rahovecit është e interesuar që të nxjerrë kromin që gjendet aty. “Në vend se zoti Veseli të marrë parasysh nevojën e madhe të tregut për kromin, të kujtojë faktin se si Kosova e Shqipëria së bashku e kanë një të tretën e rezervave botërore të kromit dhe të përkrahë idenë që kromi këtu në vend të përpunohej e më pas të shitej e të ringjallej ekonomia, ai shpërfaq simpati për korporatat e huaja që do t’ua merrnin pasurinë”, thotë ai.

Kosova, nga këndi i Gjermanisë

Filozofi që falë prejardhjes hebraike shkollimin e tij e ka kryer në Izrael, ka treguar edhe për atë se si e sheh ai politikën e Berlinit në raport me Kosovën. Ka thënë se Gjermanisë i intereson vetëm një gjë në Kosovë: stabiliteti. “Politika zyrtare gjermane e ka vetëm një interes në Kosovë: që të mbizotërojë stabiliteti. Mirëpo stabiliteti që proklamohet nga Qeveria gjermane dhe të tjerat, për mua ka një kuptim negativ. Kur thuhet se gjendja duhet të mbetet stabile atëherë nënkuptohet që ajo të mos zhvillohet pozitivisht”, thotë Max. “Pas vizitës së zonjës Merkel në Beograd, kam vërejtur se ajo ka fituar simpati të madhe tek shqiptarët e Kosovës. Shumë gjëra që ajo i ka thënë kanë tingëlluar pozitivisht, por edhe zonja Merkel është e interesuar që në Kosovë të vazhdojë stabiliteti”. Sipas tij, kancelarja Merkel ka interes të madh për marrëdhënie të mira me Serbinë, meqë Serbia partner të dytë për shkëmbime tregtare e ka Gjermaninë. “Ndërsa në Kosovë për t’u përfshirë në procesin e privatizimit, interesim të madh kanë shfaqur edhe kompani të ndryshme gjermane. ‘Deutsche Telekom’ nëpërmjet selisë së saj në Kroaci është interesuar që ta privatizojë PTK-në dhe këtë për një çmim sa më të lirë, madje çmimi prej 350 milionë eurosh u është dukur shtrenjtë”, thotë ai.

Portali gjermanisht, me lajme nga Kosova

Pesëdhjetekatërvjeçari nga Munihu, pos filozofisë, i ka dhënë vetes një angazhim shtesë. Atë thotë se e ka bërë pikërisht për shqiptarët. Max së bashku me disa shqiptarë në vitin 2002 e kishin hapur portalin www.kosova-aktuell.de Aty ka lajme për Kosovën në gjuhën gjermane. “Patëm vlerësuar se shtypi gjerman informonte shoqërinë gjermane keq dhe jomjaftueshëm rreth ngjarjeve në Kosovë. Kosova zë vend në shtypin gjerman vetëm nëse ndizet ndonjë zjarr dhe kur vdesin njerëz. Pra vetëm kur përkeqësohet situata në masë të madhe raportohet dhe atë shkurt. Arsyeja tjetër pse e kemi bërë portalin lidhet me numrin e madh të shqiptarëve në Gjermani, Zvicër dhe Austri”, tregon Max. “Diaspora shqiptare nuk ka shumë akses në jetën politike, kulturore e shoqërore e të tjera sfera në vendet ku jeton dhe nëpërmjet portalit tonë kemi tentuar që ta aktivizojmë”. Ai thotë se, meqenëse shumë të rinj shqiptarë shpeshherë harrojnë prej nga janë, ai bashkë me kolegët e tij të portalit mundohen që nëpërmjet Kosova-aktuell… që editohet në gjuhën gjermane t’ua kujtojnë origjinën e tyre. “Pra Kosova-aktuell i ka dhënë vetës misionin që gjeneratën e tretë të mërgatës shqiptare të mos e lërë të shkëputet plotësisht prej vendit të origjinës”, tregon ai.

Mbështetja e aksionit të lëvizjes “Vetëvendosje”

Shtetasi gjerman me origjinë hebraike i ka dhënë të drejtë lëvizjes “Vetëvendosje” në aksionin e saj për mbylljen e kufirit me Serbinë. “Protestat e kësaj lëvizjeje janë plotësisht legjitime. Lëvizja ‘Vetëvendosje’ po e mbron sovranitetin e Kuvendit nga Qeveria autoritare dhe antidemokratike e Thaçit”, thotë Max. Sipas tij, vendimi i Kuvendit të Kosovës i 7 dhjetorit të vitit 2011 për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë nënkupton që Kosova të sillet në po atë mënyrë siç sillet Serbia ndaj saj.

“Pra, nëse Serbia nuk i njeh tabelat e automjeteve të Republikës së Kosovës, edhe Kosova me të drejtë nuk duhet t’i njohë tabelat e Republikës së Serbisë. Përderisa Serbia nuk njeh dokumentacionin e Republikës së Kosovës në çdo sferë të shtetit të Kosovës, as Kosova nuk duhet të njohë dokumentacionin e Republikës së Serbisë,e kështu me radhë”, shprehet ai. “Ky vendim i Kuvendit nuk po zbatohet nga Qeveria Thaçi dhe kjo do të thotë se Qeveria po i sipërvendoset dhe ky është akt antidemokratik i Qeverisë së Kosovës”. Sipas Maxit, qeveria Thaçi nuk mund të quhet më demokratike dhe mund të krahasohet me qeverinë Urban në Hungari. “I vetmi dallim në këtë krahasim është se Urban ka shumicën parlamentare dhe me këtë shumicë po i shfuqizon të gjitha të drejtat e opozitës, ndërsa Thaçi pa shumicën formale është duke vepruar kundër të drejtave demokratike të qytetarëve të Kosovës”, thotë ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu