“Heronjte e Vigut” ne Vlore? Shkodra: E vendos Këshilli Bashkiak

0
675

Një ditë pas propozim it që bëri Liri Gjoliku për vendosjen e bustit të “Heronjve të Vigut” në “Sheshin e Flamurit”, vijnë reagimet e para. Ervin Gjini, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër, i pyetur nga Gazeta tha dje se kompetencën për të dhënë lejen e zhvendosjes nuk e ka drejtoria e tij. “Busti është nën administrimin e Bashkisë së Shkodrës. Lejen apo vendimin nuk e merr kryetari i Bashkisë, por Këshilli Bashkiak është ai që vendos”, – deklaroi Gjini. Sa i takon pjesës tjetër të polemikës së ish-gjyqtares Liri Gjoliku mbi heronjtë dhe dëshmorët, e kontaktuar nga “Gazeta” Nevila Nika, drejtoreshë e Arkivit Qendror të Shtetit tha: “Shqipëria ka pasur dëshmorë, por jo 28 mijë, siç shprehet Gjoliku”. Në prononcimin e saj, Nika tha se ky është një debat i gjerë e ku janë përfshirë shumë historianë, por po të shohësh varrezat e dëshmorëve, numri i tyre nuk është aq i madh. “Edhe debati për faktin nëse në Luftën e Dytë Botërore pati apo jo luftë civile, është i gjerë. Në varësi të dokumentacionit që historianët kanë në dorë, edhe kjo do të zbardhet”, – u shpreh Nika në mënyrë evazive. Po në mënyrë evazive ajo shtoi se në lidhje me emrat që i dërguan Viktor Emanuelit të III kurorën e Skënderbeut, lista është e gjatë. Kështu, Nika nuk komentoi katër emrat e përmendur nga Gjoliku si tradhtarë: Lec Çoba, Engjëll Serreqi, Gjon Markagjoni e Nush Topalli.
Busti
Nga ana tjetër, arkitekti Artan Shkreli mendon ndryshe, madje shprehet i revoltuar sa i takon gjendjes në të cilën janë lënë “Heronjtë e Vigut”. “Për çështje të tjera nuk jam ekspert, por sa i përket ‘Pesë Heronjve të Vigut’ jam shprehur edhe tjetër herë, kur Këshilli i bastarduar Bashkiak i Shkodrës vendosi spostimin, apo më saktë, shkarkimin e monumentit tek fusha e plehrave. Ky vendim më pati lënë shijen e njohur të një shëmtie që prej kohësh i kanoset Shkodrës, e cila gjithnjë e më tepër duket se po e humbet ndjeshmërinë qytetare që e ka karakterizuar. Nuk më habiti dhe aq vendimi i KBBSH-së, sesa qëndrimi i kompleksuar i familjareve të atyre heronjve, të cilët kishin rrëmbyer armët në një Shqipëri të pushtuar. E të mendosh se mes tyre kish edhe pinjoj familjesh të shquara të qytetit, si Mazejt apo Gjylbegët”, – shprehet ai. Më tej, Shkreli shton se “në kuadër të Planit Rregullues të qytetit, hartuar nga arkitekti i talentuar Gjon Radovani, plan i cili është hedhur poshtë në mënyrë absurde, parashikohej spostimi i tyre nga sheshi qendror në një shesh tjetër, pasi natyrisht ata nuk mund të mbanin peshën e një qyteti si Shkodra, por hedhja e tyre në plehra qe një gjest ‘magjypësh’ që rrodhi si rezultat i një mentaliteti magjypësh të veshur me pushtet”. Sipas Shkrelit, thirrja për t’i çuar në Vlorë ata heronj, natyrisht është provokuese, por një provokim që denoncon ndërgjegjen e mpirë të Shkodrës martire.Mbi polemikën e Liri Gjolikut është pyetur edhe Auron Tare, i cili në prononcimin e vet për Gazetën tha se “duke i hequr pjesën emocionale shkrimit të zonjës, mendoj se disa nga pikat e ngritura prej saj janë pika të rëndësishme, të cilat fatkeqësisht nuk janë diskutuar seriozisht nga shoqëria shqiptare”. Sipas Auron Tares, njohës i mirë i historisë, trashëgimisë dhe monumenteve, “është shumë i rëndësishëm përcaktimi i saktë i vendit të kolaboracionistëve në historinë e Shqipërisë. Çfarë kanë qenë dhe janë ata për historinë shqiptare? Heronj apo bashkëpunëtorë të fashizmit?”. Pasi shtron këto pyetje, ai vëren se “fatkeqësisht, Europa e lirë kësaj pyetjeje i ka dhënë përgjigje me kohë. Kush bashkëpunoi me fashizmin është dënuar nga historia dhe ky është një përfundim i parevokueshëm. Personat që i dhanë kurorën e Shqipërisë Viktor Emanuelit, janë bashkëpunëtorë të fashizmit, me gjithë nuancat dhe prapamendimet që ata mund të kenë pasur për këtë veprim”.Sa i takon bustit të “Heronjve të Vigut”, ai thotë se largimi i shtatores nga qendra e Shkodrës është një veprim i turpshëm e tregues i qartë se shoqëria shqiptare po kalon në një bjerrje vlerash morale. Sipas Tares, “e para, askush nuk mund të dënojë 5 të rinj, të cilët ëndërronin një Shqipëri ndryshe, e cila fatkeqësisht nuk u bë dot ashtu siç ata e dëshironin. Zhgënjimi i ëndrrës së tyre, për të cilën ata u vranë, ishte zhgënjimi i një populli të tërë dhe të dënosh pesë të rinj për këtë zhgënjim nuk është e moralshme”. Në fund, ai vëren se një shtatore e tillë është një vepër arti dhe një qyteti plot kulturë si Shkodra, nuk i lejohet që veprat e artit t’i hedhë në plehra.

 

Fatmira Nikolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu