Hetime për banesën 110 mijë euro

0
809

Drejtoria për Krime Ekonomike shumë shpejt pritet të nisë hetimet ndaj Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) rreth blerjes së banesës prej 110 mijë euro me mjetet e mantelbardhëve.

Kryetari i kësaj sindikate, Blerim Syla, pa ndjekur procedurat ligjore, para pak ditësh ka blerë banesën në qendrës të Prishtinës, e cila ishte pronë e një qytetari nga Gjakova, prej nga vjen edhe vetë Syla. Po ashtu, ky i fundit ka paralajmëruar se në ditët në vijim një banesë të tillë me para të mantelbardhëve do ta blejë edhe në bregdetin shqiptar.

Emin Beqiri, drejtor i Krimeve Ekonomike në nivel të Kosovës, ka thënë se pas artikullit që ishte publikuar të hënën në gazetën “Zëri”, zyra e analizave dhe statistikave e cila merret me shkrimet në media ka njoftuar ata për artikullin në fjalë.

Beqiri ka thënë se pasi të marrin informatat e mjaftueshme ka mundësi që prokurori paraprakisht të fillojë hetimet.

“Është kohë e shkurt për të pasur informatat e mjaftueshme. Por, ka mundësi që sapo të marrim informatat e mjaftueshme prokuroria të fillojë hetimet”, ka thënë Beqiri.

Në anën tjetër Syla përmes një reagimi është munduar që t’i arsyetojë veprimet e tij që tashmë janë bërë objekt hetimi.

Preteni: Çështje e brendshme e Federatës

Derisa Njësia për Krime Ekonomike ka paralajmëruar fillimin e hetimeve, në anën tjetër Agjencia Kundër Korrupsionit blerjen e banesës në fjalë e ka cilësuar si çështje të brendshme të Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, pavarësisht se mjetet janë grumbulluar nga përqindjet e parave që u ndalen mantelbardhëve.

Kreu i Agjencisë Anti-Korrupsion (AKK), Hasan Preteni, shumë shkurt ka thënë se blerja e banesës në këtë mënyrë nga kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla, është çështje e organizimit të tyre. “E lexova artikullin, është çështje e organizmit të tyre”, ka thënë Preteni, duke aluduar për FSSHK-në.

Në anën tjetër njohësi i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se në parim, paratë janë të atyre që paguajnë. Sipas Rexhepit, në këtë rast paratë kanë qenë të punëtorëve të shëndetësisë, anëtarëve të sindikatës. “Prandaj, ata duhet të vendosin se si të bëhet shpenzimi i tyre”, ka shpjeguar Rexhepi.

Ai ka shtuar se nëse përmes mekanizmave të Federatës është marrë vendimi për blerjen e banesës, e cila do të shfrytëzohet për nevojat e sindikatës, atëherë këtu nuk ka asgjë të keqe. Por, Rexhepi ka tërhequr vërejtjen se nëse nuk janë respektuar procedurat e vendimmarrjes, atëherë kjo çështje është problem, dhe paraqet keqpërdorim të besimit të marrë nga anëtarësia.

“Varësisht zgjidhjet duke u bazuar në statut, nëse nuk janë respektuar procedurat, kontrata duhet të lidhet dhe paratë të kthehen në vendin prej nga edhe kanë dalë”, ka thënë ai. Drejtori i institutit “STRASS” gjithashtu ka shtuar se në përgjithësi te sindikatat mungon transparenca kur janë bëhet fjalë për financat.

Ai ka shtuar se gjithçka duhet të jetë publike, së paku për anëtarët e sindikatës, të ketë raporte të rregullta financiare, si edhe të bëhet auditimi nga një kompani e licencuar për mënyrën e shpenzimit të parave.

FSSHK-ja vetëm BSPK-së, 45 mijë euro borxh

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi, ka thënë se Federata Sindikale e Shëndetësisë e Kosovës (FSSHK) të cilën e udhëheq Blerim Syla, vetëm gjatë vitit 2011 i ka borxh BSPK-së rreth 26 mijë euro. Arifi po ashtu ka thënë se edhe gjatë vitit 2012 FSSHK-ja i ka borxh rreth 19 mijë euro BSPK-së. Ai ka shtuar se i kanë kërkuar këto para nga Syla, por ai nuk ka shprehur gatishmërinë që të shlyejnë dhe të kthejnë ato para.

Sipas Arifit, kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla, me lëvizjet e tij duke hyrë dhe duke dalë nga BSPK-ja kishte pasur për qëllim që këto para t’i shfrytëzonte në këtë mënyrë.

“Kurrë nuk kanë paguar 10 %, por gjithmonë kanë paguar 4 ose 5 %, dhe këto veprime të Sylës, po tregojnë qëllimet të cilat ai i ka pasur”, ka thënë Arifi.

Përndryshe të hënën gazeta “Zëri” ka raportuar se kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), Blerim Syla, para pak ditësh për nevoja të Sindikatës që ai drejton, ka blerë në qendër të Prishtinës një banesë prej 110 mijë euro. Pa e pyetur askënd, dhe pa iu nënshtruar asnjë procedure ligjore, Syla ka bërë pazar apartamentin, i cili do të paguhet nga mjetet e mantelbardhëve.

Banesa e blerë nga Syla ka një hapësirë prej 110 metra katrorë dhe gjendet në katin e 5-të në lagjen e “Kacallarëve” në Prishtinë.

Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), i cili tani është në mandatin e katërt si kryetar i kësaj federate, ka thënë se blerja e apartamentit

ka qenë premtim, të cilin e kishte bërë kaherë dhe që tani e ka realizuar.

Syla thotë se ideja e kësaj ka qenë që përmes blerjes së apartamentit Sindikata të pavarësohet nga institucionet. Ai shpjegon se me një vendim të këshillit drejtues, i cili është organi më i lartë në mes të dy kongreseve dhe pas atij vendimi është formuar komisioni dhe është shpallur në mënyrë legjitime edhe tenderi për blerjen e banesës.

“Ne kemi përcjellë edhe çmimin e tregut dhe cila ka qenë oferta më e përshtatshme kemi vendosur. Natyrisht kanë qenë edhe disa parametra të zyrës qendrore që të jetë sa më afër institucioneve shtetërore dhe kemi marrë çmimin më kompitabil të mundshëm dhe të përshtatshëm”, ka thënë ai.

Nga: Liridon Llapashtica


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu