Hetime të tjera për trafikim organesh në Kosovë

0
617

Misioni EULEX, njofton se po heton edhe tetë persona tjerë të dyshuar për përfshirje në trafikim organesh në Kosovë. Hetimet janë vazhdimësi në rastin “Medicus”.

Vetëm një ditë pasi Gjykata Themelore e Prishtinës, shpalli fajtor pesë persona të përfshirë në trafikim dhe transplantim të paligjshëm organesh në Kosovë, misioni EULEX, njoftoi për hetime të personave të tjerë për rastin e njohur “Medicus”. Hetimet po zhvillohen në 14 shtete të ndryshme. “Një prokuror special i misionit EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar një urdhër për zhvillimin e hetimeve kundër tetë të dyshuarve. Tetë të dyshuarit janë duke u hetuar për veprat penale: krimi i organizuar, trafikim me qenie njerëzore, lëndimet e rënda fizike, keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe i autoritetit, mashtrim dhe ushtrim i ndikimit”, thuhet në një njoftim të misionit EULEX, por nuk jepen emerat e personave që po hetohen.

Ky hetim i ri është i bazuar në hetimet e kryera në rastin Medicus, si dhe në gjetjet e tjera gjatë fazës së gjykimit. Në njoftimin e misionit EULEX, thuhet se “të dyja rastet zbuluan dyshimet e bazuara se të dyshuarit e sipërpërmendur kanë bashkëvepruar ose kanë ndihmuar në mënyrë direkte apo indirekte pjesëtarët e grupit të krimit të organizuar në kryerjen e veprave të rënda siç është trafikimi me qenie njerëzore me qëllim të heqjes së organeve”.

Ligjet në Kosovë ndalojnë çdo veprimtari të transplantimit të organeve nëpër klinikat private. Gjykata Themelore e Prishtinës, e udhëhequr nga Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, të hënën (29.04.2013)shpalli fajtor, mjekun urolog Lutfi Dervishin dhe e dënoi atë me tetë vjet burgim dhe 10.000 euro gjobë. Të birin e tij, Arban Dervishin e dënoi me shtatë vjet e tre muaj burgim dhe 2.500 euro gjobë, ndërsa Sokol Hajdinin me 3 vjet burgim. Dy të akuzuar tjerë, Islam Bytyqi dhe Sylejman Dulla, u dënuan me kusht, me nga një vit burgim, ndërsa, Ilir Rrecaj, ish zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë u lirua nga të gjitha akuzat. I akuzuari i shtatë, Driton Jilta, ishte raportuar se e ka pranuar kohë më parë fajësinë për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore, por janë hedhur poshtë akuzat kundër tij, kanë thënë zyrtarë të EULEX-it. Që të gjithë ishin akuzuar për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve në Kosovë në vitin 2008.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu