Hetuesit sllovenë kërkojnë provizionet e dhëna në Kosovë

0
1071

Lubjanë, 31 mars – Në fokus të hetimit të Zyrës Kombëtare për Hetime janë pagesat disamilionëshe të provizioneve me rastin e hyrjes së Telekomit të Sllovenisë në tregun kosovar dhe mbipagesat me rastin e blerjeve të firmave në Slloveni (Najdi.si) dhe në Maqedoni (On.net). Hetuesit kanë vizituar njëkohësisht edhe selinë e Factor Banka dhe shtëpitë e personave të përfshirë.

Në procedurën parapenale, sipas të dhënave të policisë, janë nëntë persona të dyshuar. Shtatë prej tyre janë privuar nga liria më 28 mars, të cilët janë lëshuar pas kryerjes së bastisjeve të shtëpive. Se për kë bëhet fjalë zyrtarisht ende nuk dihet. Por sipas informatave të gazetës “Dnevnik”, janë katër ish-anëtarë  të Bordit drejtues të Telekom Slovenija:  Bojan Dremel, Dushan Mitiq, Zhelko Puliiq dhe Filip Ogris Martiç, si dhe tre ish-anëtarë të Factor Banka: Ciril Dragonja dhe Boris Pesjak, ish-pronarja e ndërmarrjes Najdi.si Zvone Jagodiç dhe Aleksander Sasho, si dhe biznesmeni kontrovers nga Kosova, Ekrem Lluka, shkruan gazeta sllovene “Dnevnik”, transmeton Koha Ditore.

Sipas konstatimeve të Zyrës Kombëtare për Hetime, vlerësohet se dëmi i shkaktuar është të paktën 25 milionë euro. Bëhet fjalë për disa dhjetëra milionë euro marrje (blerje), që janë kryer sipas parimit të njëjtë. Telekomi ka blerë 75 për qind të aksioneve, kurse pronarëve të deriatëhershëm iu ka lejuar të drejta jashtëzakonisht të mëdha. Me rastin e rritjes së ndërmarrjeve të blera, vlera e aksioneve të pronarëve të vjetër nuk është zvogëluar, por Telekomi u ka huazuar mjete për rritje të kapitalit. Me klauzola në kontrata paraprakisht u është mundësuar fitim i madh, kurse gjatë blerjes së mëvonshme të aksioneve të tyre dhe me rastin e përllogaritjeve janë marrë parasysh profitet e ardhshme tepër optimiste të atyre aksionarëve.

Factor Banka, çelës për njeriun me ndikim nga Kosova

Siç ka kuptuar “Dnevnik”, policia e Koprit në mëngjes të hershëm ka trokitur në dyert e një banese në kuartin e ruajtur Rezidenca Park Lucija, ku gjendet ndërmarrja “Ekma”. Bashkëpronar dhe drejtor i kësaj ndërmarrjeje është Ekrem Lluka, i cili pos tjerash ka edhe shtetësi sllovene. Sipas fjalëve të burimeve të gazetës, biznesmeni kosovar i është përgjigjur ftesës së policisë dhe ka bashkëpunuar në hetime. Këtë banesë ai para disa vitesh e ka blerë nga ndërmarrja për shitblerjen e patundshmërive Gašparm e Gashpar Mishiçit, sekretarit të ri shtetëror në kabinetin e kryeministres aktuale të Sllovenisë Bratushek. Kjo ndërmarrje ka qenë investitor në Rezidencën Park Lucija.

Ekrem Lluka ka qenë ai që, me rastin e investimit të Telekomit në lartësi prej 200 milionë eurove në Kosovë, “nën tavolinë” ka marrë provizionin e lartë prej 10 milionë eurove. Siç dihet, konkurrent i Telekomit në betejë për frekuencat në këmbim është tërhequr nga loja. Se në fakt prapa Factor Bankës, e cila u bë pronare e aksioneve në IPKO, qëndronte Ekrem Lluka dyshohej që me rastin e lidhjes së kontratës, kurse para pak kohësh këtë e ka konfirmuar edhe komisioni kundërkorrupsion.

Katër ditë pas nënshkrimit të kontratës bleu shtëpinë në bregdet

Kontratën për blerjen e shtëpisë elitare në bregdet, të cilën e kanë vizituar hetuesit sllovenë, është pronë e biznesmenit kosovar, i cili, sipas të dhënave të qasshme, atë e ka blerë më 22 qershor 2007, pra vetëm katër ditë pasi Telekom dhe Factor Banka nënshkruan kontratën me IPKO-n. Sipas të dhënave të ndërmarrjes “Ekma”, për këtë shtëpi janë paguar dukshëm mbi 400 000 euro.

Me punët e Telekomit në Kosovë kanë përfituar edhe shumë biznesmenë të tjerë. Bordi drejtues i Dremelit i ka mundësuar fitime të mëdha kompanisë “Albright Group”, që udhëhiqet nga ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, si dhe dy drejtorëve të IPKO-s, Akan Ismailit dhe Bujar Musës. Të përmendim me këtë rast që nga fillimi i majit Akan Ismaili është emëruar ambasador i Kosovës në SHBA.

(Tekst i botuar në gazetën sllovene “Dnevnik”)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu