Historiani grek zbulon të vërtetën historike

0
517

 

 

“Bota shqiptare” ka botuar së fundi librin “Bashkëpatriotë të padëshiruar”, të historianit helen, Jorgos Margaritis

 

ÇAMËRIA

Petrika GROSI

Vitrinës të librit shqip i është shtuar një tjetër vëllim me mjaft interes. Bëhet fjalë për historinë dhe ngjarje të rëndësishme, të cilat kanë shkatërruar minoritete të ndryshme në Greqi, e mes tyre flitet edhe për çamët e Çamërinë, madje sipas botuesit shqiptar, me tepër objektivitet. “Dalja në qarkullim e librit të historianit Jorgos Margaritis ‘Bashkëpatriotë të padëshiruar’, të dhëna mbi shkatërrimin e minoriteteve të Greqisë është ngjarje jo vetëm se plotëson një boshllëk në botimet për këtë problem, por edhe se vjen nga një historian i vendit fqinj”, shprehet botuesi Genti Gjonaj për gazetën “Korrieri”. Ai vijon më tej se “Për fat të keq, ndryshe nga botimet letrare, lexuesi shqipar është më pak i njohur me veprat e historianëve, grekë e veçmas me ato që trajtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve e popujve tanë apo fatin e minoritetit shqiptar çam në Greqi.” Ndryshe nga qëndrimet e Athinës zyrtare apo pseudo-shkencëtarëve të indoktrinuar, të cilët ngulmojnë që Greqia nuk pa pasur kurrë ndonjëherë probleme me komunitetet, historiani Jorgos Margaritis sjell fakte mbi të kundërtën, duke dëshmuar kështu ndërhyrjet dhe padrejtësitë që shteti grek ka kryer ndaj minoriteteve ndër vite dhe diskriminimin e vazhdueshëm të tyre.

I mbështetur në tekste të botuara dhe burime të shumta arkivore, historiani Margaritis trajton fatet e komunitetit hebre dhe minoritetit shqiptar çam në Greqi. Kjo trajtesë vjen në rrafshin historiko- kronologjik, që pas kryengritjes së vitit 1821, pavarësisë së shtetit grek dhe deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Besnik i parimit të të vërtetave që jep historia, larg ndikimit të politikës dhe nacionalizmit ekstrem, autori konkludon se shteti i pavarur grek që në fillimet e jetës së tij nuk u mësua të jetojë me komunitetet dhe minoritetet e tjera, pra me fe tjetër dhe me origjinë tjetër kombëtare. Sa i takon përmbajtjes të këtij libri, pjesa e parë me kapitujt “Antisemitizmi grek: një udhëtim, 1821, 1891, 1931”, “Shfarosja e hebrenjve të Greqisë: Ideologjia, tensionet shoqërore dhe koniuktura”, “Hebraizmi grek dhe Rezistenca Antifashiste”, “Kisha Ortodokse Greke dhe Holokausti”, Jorgos Margaritis paraqet fakte tronditëse që dëshmojnë mbi shkatërrimin gradual të komunitetit hebre në Greqi, i cili arriti kulmin gjatë luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në qytetin e Selanikut. Sipas historianit helen, në Selanik antisemitizmi grek mori formën e tij më luftarake dhe njëkohësisht më politike e teorike, duke ofruar në këtë mënyrë materialin e parë për zhvillimin e organizatave me karakteristika nacionaliste, por edhe naziste. Qyteti i Selanikut u bë epiqendra e dramës së hebrenjve në Greqi, e pasuar nga Janina, ishulli i Korfuzit, Volos etj. Hebrenjtë e Greqisë, padyshim u bënë pjesë e “zgjidhjes përfundimtare”, të cilën e frymëzuan, e organizuan dhe e realizuan nazistët në shkallë mbarë evropiane. Gjithsej, nga afro 70. 000 hebrenj grekë në vitin 1940, më shumë se 50. 000 prej tyre u shfarosën në kampet e vdekjes, pra shumë që e tejkalon 70%. Shifrat, shkruan autori parashtrojnë pyetje të caktuara vendimtare, përgjigjia e të cilave i referohet tërthorazi ose drejtëpërdrejt shoqërisë greke, klimës që mbizotëronte në të, si dhe koniukturat gjatë periudhës së pushtimit. Ndërsa në pjesën e dytë të librit, “Peripecitë e çamëve deri në dëbimin e tyre gjatë dhjetëvjeçarit të 40-ës”, Margaritis e njeh lexuesin me fatin tragjik të minoritetit tjetër historik në Greqi (çamët). Periudha së cilës i referohet autori janë vitet 1912-1944. Historiani ndjek në rrafshin historiko-kronologjik, politikën e qeverive të ndryshme greke ndaj minoritetit shqiptar të Çamërisë, dëbimet sistematike të këtij minoriteti, egërsinë e tmerrshme të nacionalistëve grekë në kurriz të çamëve deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Sipas historianit grek, shkatërrimi i minoritetit çam përbën një ngjarje unike në Greqinë e vitit 1940. Shkatërrimi i këtij minoriteti, dhuna e përdorur, dëbimi masiv i çamëve nuk mund të krahasohet me shkatërrimin e komuniteteve hebraike, vepër e nazistëve gjermanë në kuadrin e “zgjidhjes përfundimtare”, me gjithë veprimet dhe bashkëveprimet pasive të faktorëve grekë në këtë proces. Madje sipas tij, ndoshta ky akt i shëmtuar nuk mund të krahasohet as me fatet e sllavomaqedonasve gjatë së njëjtës periudhë, i cili u lidh me konfliktet e përgjithshme në hapësirën greke dhe veçanërisht me Luftën Civile. “Fati i çamëve, shkruan Margaritis, nuk ka asgjë të përbashkët as me peripecitë e asaj kohe të autonomistëve vllahë dhe as me ato të myslimanëve të Trakës.” Del qartë se kemi të bëjmë me spastrim etnik ose më saktë një shpërthim të dhunës, që synonte mbylljen e çështjeve të minoriteteve me metodën më radikale, zhdukjen e popullsive minoritare. Të rëqethin faktet tronditëse jo vetëm të muajve të parë të vitit 1913 (pas rënies së Janinës dhe kur Çamëria u pushtua nga ushtritë greke), të viteve 1923-1926, 1930-1940, por veçanërisht ato që Jorgos Margaritis, jep për qytetin e Paramithisë më 27 qershor 1944: “Me gjithë premtimet, më 27 qershor qyteti u kthye në thertore. Me qindra e qindra vetë, numri është i panjohur, por ndoshta afrohet rreth pesëqind personave, u vranë me mënyrat më çnjerëzore brenda dhe përreth qytetit. Keqtrajtimi i përgjithshëm i grave dhe rrëmbimi i pasurive, e plotësonin këtë kuadër.” Gjithashtu, historiani Margaritis flet në këtë vëllim edhe mbi spastrimet e bëra nga grekët mbi fshatrat myslimane në jug të Kalamait, me dëbimin e banorëve në veri të lumit dhe kryesisht në zonën e Sajadhës e të Filatit. Më tej trajtohet rikthimi i shumë çamëve në dhjetorin e vitit 1944 dhe akti final i tragjedisë së tyre; Pas marrëveshjes së Varkizës, grupet e Lidhjes Demokratike Kombëtare Greke, që ishin strehuar në Korfuz, si grupe të Gardës Kombëtare, u kthyen në Çamëri. Ata vazhduan veprën kriminale të lënë përgjysmë dhe masakruan qindra çamë të tjerë në Filat dhe në rrethinat e tij. “Kështu mbyllet sipari i tragjedisë çame, bashkëqytetarëve tanë të vjetër që u vranë barbarisht në emër të spastrimit kombëtar dhe fetar”, shprehet historiani grek. Për ata që nuk e njohin, historiani Jorgos Margaritis lindi në Athinë në vitin 1954. Ai jep historinë moderne në degën e shkencave politike në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut. Në veprat e tij, Margaritis, është marrë kryesisht me Luftën e Dytë Botërore në Greqi, Rezistencën Greke si dhe me një nga periudhat më tragjike të popullit grek, Luftën Civile.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu