Peticionin e shoqërisë civile, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha thotë se e morri shumë seriozisht. Ndonëse, nuk e ndjen të nevojshme të japë dorëheqje pas rastit Dehari.
Ajo ka thënë në KTV se është konsultuar me shumë ministra bilateral dhe u ka kërkuar mendimin e tyre.
Ajo ka thënë se nuk do që të shkaktojë një precedent se për çfarëdo që ndodh, ministrja do të japë dorëheqje.
“Këta drejtorë, këtë shërbim korrektues unë e kam gjetur. Po them që nuk dua të shkaktoj një precedent që çkado që ndodh nëpër burgje, një ministër i Drejtësisë do të jap dorëheqje, poashtu dua të theksoj se shërbimi korrektues është institucion i pavarur”, ka thënë ajo.
“Nëse ekzistojnë fakte që qenka dicka tjetër e jo vetëvrasje sipas konkluzave që kanë dal, pra për çdo gjë qe del, unë kam kërkuar qe të hetohet. Jam e interesuar që e vërteta të del derj në fund”, përfundoi Hoxha.
Hoxha tha se ishte LVV që e politizoi rastin dhe sipas saj, po kërkojnë raste të dyfishta.
“Ishte Lëvizja Vetëvendosje që prej fillimit e politizoi rastin. Në njërën anë thanë pse të publikohet xhirimet ndërsa në anën tjetër kur morën rezultatin e ekspertëve publikuan foto të të ndjerit. Po dojnë që të vendosin standarte të dyfishta”.
Sipas saj, një pjesë e shoqërisë civile është bërë edhe pjesë e agjendave politike.
“Po ndodh një politizim i çdo inciative qytetare”, ka thënë Hoxha.
Tutje Hoxha përmendi se brenda pesë muajve mandat, ministria që ajo udhëheq kanë arritur t’i ndryshojë tetë projektligje.