Hoxhaj: Modeli i dy Gjermanive, interesant për Kosovën

0
621

Kundërshtimet e Qeverisë së Kosovës ndaj modelit të dy Gjermanive për marrëdhëniet Kosovë – Serbi, për shkak të keqkuptimeve që do të krijoheshin kanë marrë fund. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për “Kohën Ditore”, ka dhënë shenja pajtimi me këtë model. Madje, ai ka konstatuar se hapja e zyrave ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe ajo e Serbisë në Prishtinë, është në funksion të këtij modeli.

Ministri i Jashtëm kosovar ka thënë se dialogu politik ka filluar me takimin e kaluar të dy kryeministrave. Sipas tij, në takimin e radhës bashkë me kryeministrin do të jenë edhe përfaqësues të opozitës. Ministri ka folur për të gjitha modelet e përmendura për veriun, duke përsëritur se nuk do të tejkalohet Ahtisaari. Hoxhaj ka thënë se nuk ka qëllim që të fitojë vota nga njohjet, kur është pyetur për përplasjet në distancë me zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli.

I pyetur se kush nga opozita do të jetë pjesë e delegacionit, Hoxhaj ka thënë se qasja jonë është që për një çështje të tillë që është interes shtetëror madhor, siç është përmbyllja njëherë e mirë e mosmarrëveshjeve me Serbinë, atëherë qasja jonë do të tejkalojë një parti, një grupim politik. Të gjitha formacionet relevante politike do të jenë të inkuadruara në proces. Në çfarë forme do të jetë është çështje që do të definohet, mirëpo Rezoluta e ofron bërthamën për këtë koordinim, por edhe për atë se çfarë duhet të bisedojmë me Serbinë. Takimi i radhës do të jetë në nivel kryeministrash, por ne mendojmë që duhet të ketë edhe përfaqësues të tjerë të partive politike.

Agjenda kohore se sa do të zgjasë procesi varet nga sjellja e të tre akterëve. Ne duam që procesi të jetë i shkurtër, të ketë marrëveshje korrekte dhe që të gjitha çështjet që janë përmendur, por edhe çështja e të pagjeturve dhe të tjera që nuk kanë mundur të zgjidhen që 13 vite të jenë pjesë e këtij dialogu. Përveç normalizimit në rrafshin politik, ne presim që kjo të krijojë mundësinë që pas një kohe të përfundojë konflikti njëherë e përgjithmonë mes dy vendeve. Është e vërtetë fatkeqësisht që konflikti mes Kosovës dhe Serbisë është ende i hapur. Ne nuk mund ta ndryshojmë gjeografinë as historinë, por është obligim yni që njëherë e përgjithmonë ta mbyllim këtë konflikt 100-vjeçar.

Për modelin gjermano –gjerman për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë u përgjigj se mënyra se si sot interpretohet ky model është kjo: krijimi i marrëdhënieve normale mes dy vendeve, duke e futur në kllapa atë që është e pazgjidhshme. Nëse Serbia nuk mund ta njohë pavarësinë duhet që këtë ta fusë në kllapa dhe të gjejë një model për t`iu qasur Kosovës sipas realitetit në terren. Përparësia e Kosovës, sipas këtij modeli, qëndron jo vetëm në rregullimin e një relacioni normal, por edhe në atë që e ka ofruar modelin për dy Gjermanitë. Të dyja kanë qenë anëtare të OKB-së. Një model i tillë është interesant për t’u menduar. Propozimi për të krijuar zyra ndërlidhëse është shumë në funksion të këtij modeli. Edhe koncepti i fqinjësisë së mirë është në koncept të kësaj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu