Hydajet Hyseni behet me Jakup Krasniqin, preferon largimin nga PDK-ja ?!

0
557

Deputeti i PDK-së, Hydajet Hyseni e mbështetë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në iniciativën për themelimin e subjektit të ri politik. Ai nuk ka përjashtuar mundësin që ti bashkohet subjektit të mikut dhe bashkëpartiakut të tij.

Individë të tjerë me rol qendrorë në PDK nuk janë deklaruar rreth idesë së Krasniqit.

Ndërkohë PDK-ja si subjekt nuk beson se hapi i Krasniqit mund ta dëmtojë, shkruan “Koha Ditore”.

“Më të parë e më të bërë. Mendoj që e drejta është në anën e tij. Sa u përket modaliteteve të shohim çka do të sjellë koha si zgjedhje më të mirë”, tha Hydajet Hyseni.

Ndërsa, sekretari i përgjithshëm, Basri Musmurati, ka thënë se nuk mund të dëmtohet PDK-ja nga veprimi i Krasniqit.

“Zakonisht ata që ndahen prej një partive të madhe është bukur vështirë të zhvillohen. Ne konsiderojmë që më tërheqjen e tij jemi dëmtuar pak, se ai është personalitet, ndërkaq për themelimin e ndonjë partie nuk besojë që do të ketë ndonjë ndikim në subjektin tonë”, tha Musmurati.

Brenda kuadrit të demokracinë, paralajmërimin e Krasniqit e ka parë bashkëpartiaku tjetër, Xhavit Haliti.

“Demokracia e brendshme e ka këtë. Zoti Krasniqi është një ndër figurat më emblematike të PDK-së, ne e kemi respektuar dhe do ta respektojmë gjithnjë”, tha Haliti.

Ndonëse ka provuar, gazeta nuk ia ka dalë që të kontaktojë me Fatmir Limaj, për të marrë një qëndrim edhe nga ai, i njihet po aq kritik ndaj Qeverisjes, sa Krasniqi.

Jakup Krasniqi: PDK ka qeverisur tepër keq

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili kohës ka bërë me dije se do të largohet nga PDK duke formuar një parti të re, ka vazhduar deklaratat e tija kundër partisë të cilës i takon aktualisht.

Krasniqi, nëpërmjet rrjetit social Facebook, i është përgjigjur, siç thotë ai, “disa miqve të tij të cilët po brengosën për fatin e tij në PDK”.

“Nëse njerëzve nuk ju dhimbset atdheu, kombi dhe pasuria e tij, dinjiteti i njerëzve dhe perspektiva e fëmijëve të tij, nuk kanë asnjë arsyeje të ndjejnë dhimbje për fatin tim, të cilin kurrën e kurrës nuk e kam vënë mbi fatin apo para fatit të kombit tim. Me njerëzit e mirë të Partisë Demokratike as kam e as kam pasur ndonjë problem, unë besoj në vullnetin e mirë të njerëzve të Kosovës, në njerëzit që i kanë qëndruar besnik asaj”, ka shkruar Krasniqi.

Ai më tej ka kritikuar edhe mënyrën e qeverisjes nga partia në pushtet, duke theksuar se PDK ka patur me mijëra raste për të qeverisur mirë, por që ka qeverisur “tepër keq”.

“Unë nuk pajtohem me mënyrën si drejtohet partia dhe qeveriset vendi në emër të saj. Këtë e kam bërë publike dhe nuk jam penduar e as pendohem. PDK i ka pasur 1001 mundësi të qeveriste më mirë gjatë këtyre mandateve, por me qellim e për interesa tepër të ngushta është qeverisur keq, madje tepër keq. A do hupi unë, pak ka rendësi, nëse fiton Kosova dhe populli i saj. Shumë breza atdhetaresh është dashur të humbin për të mbajtur gjallë idenë e atdhedashurisë”, ka shkruar i pari i Kuvendit të Kosovës.

Në fund, ai ka bërë me dije se ai, së bashku me shokët e tij, po përpiqen që ta mbajmë gjallë frymën e demokracisë e të shtetit ligjor.

“Për të bërë shtetin ligjor, Kosovës i duhen ndryshime rrënjësore. Pra dikush duhet t’ia nisë edhe me kushtin e humbjes. Pa humbje nuk ka fitore, kujtoni rrugën tonë deri të pavarësia”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Jakup Krasniqi, “kamikazi” që djeg PDK-në!

Ish-sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka paralajmëruar divorc nga partia që e bashkëthemeloi 14 vjet më parë. Duke marrë epitetin e Mohikanit të fundit, kryeparlamentari i Kosovës ka filluar t’i kontaktojë të gjithë të pakënaqurit dhe të anatemuarit e PDK-së, për t’i bashkuar në një strukturë të re politike. Duke qenë i vetëdijshëm se do ta ketë vështirë ndarjen dhe aq më vështirë themelimin e një partie të re, Krasniqi pranon të digjet si “kamikaz” duke e shkatërruar edhe veten edhe PDK-në, për të cilën thotë se “nuk i pranon reformat”.

I pari i Kuvendit prej se është themeluar PDK-ja e ka pasur pozitën e sekretarit të partisë, ndërsa, në zgjedhjet e fundit kjo pozitë i është dhënë Basri Musmuratit, ndërsa Krasniqi është lënë anëtar i kryesisë, pozitë kjo të cilën ai e ka refuzuar publikisht.

Ndërkaq, dy ditë më parë, gjatë një interviste televizive në KTV, ai ka paralajmëruar se është duke biseduar me anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, kryesisht persona të pakënaqur.

Burime të besueshme të gazetës brenda partisë së kryeministrit Hashim Thaçi kanë thënë se janë disa anëtarë, që dikur i kanë shërbyer me devotshmëri PDK-së, të cilët mund ta braktisin partinë për t’iu bashkuar Krasniqit. Në këtë grup janë edhe disa ish të burgosur politikë, që konsiderohen më parimorë në çështjet kombëtare. “Ai (Krasniqi) nuk ka folur rastësisht në këtë kohë. Ne e dimë kaherë që ai po pretendon të bëjë parti të re, por deri tash nuk e kemi ditur saktë se kush mund t’i bashkëngjitet. Tash po e dimë pak a shumë se kush do të na braktisë dhe do t’i bashkohet Krasniqit”, ka thënë burimi i gazetës, pa treguar emrat e anëtarëve të partisë të cilët do t’i bashkohen Krasniqit.

Nga ana tjetër, janë vetë anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët e pranojnë se nëse Krasniqi do të largohet nga PDK-ja, atëherë partinë më të madhe në vend nuk do ta presin “ditë të mira”.

Njëri nga ta, Nait Hasani, thotë se është herët të jepen opinione se si do të duket partia e Krasniqit, ndërsa shprehet i bindur se nëse Krasniqi largohet nga PDK-ja, atëherë kjo parti do të dobësohet dukshëm. “Natyrisht se ai nëse largohet e dobëson partinë, ia merr anëtarët nga strukturat udhëheqëse. Ka mundësi të ndodhë të marrë anëtarë edhe ta dobësojë partinë. Prandaj, unë nuk besoj se do të shkohet nga kjo variant, do të merret një vendim i Kryesisë për këtë çështje”, thotë ai, duke shpresuar se një vendim i Kryesisë së PDK-së do ta joshë Krasniqin që mos të largohet..

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu