I djegun me arka

0
790

Një arkë fiskale në Kosovë importohet me çmim 138 euro, kurse bizneseve vendore, nga kompanitë e licencuara, u shitet për 665 euro. Kjo fryrje e çmimeve sipas një publikimi të institutit Demokracia për Zhvillim është pasojë e monopolit në këtë treg. Gjendje e njëjtë thuhet se është gati në çdo sektor.

Një arkë fiskale bizneset kosovare e paguajnë mbi 600 euro. Por sipas të dhënave të Doganave të Kosovës i njëjti produkt importohet në Kosovë për vetëm 138 euro.

Ky dallim në çmim sipas raportit “Taksa e fshehur: Pse kosovarët paguajnë më shumë?” të institutit Demokracia për Zhvillim, vjen si pasojë e monopolit në tregun e arkave fiskale.

“Arka fiskale e llojit MP-55Ej së bashku me pajisjet përcjellëse është 665 euro në Kosovë. Duke iu referuar të dhënave zyrtare nga Doganat e Kosovës, ky produkt importohet nga Bullgaria me çmimin fiks prej 138 eurove”, thuhet në raport.

Krahasuar me vendet e rajonit bizneset kosovare e paguajnë më së shtrenjti këtë produkt. Për më tepër, sipas këtij raporti, vendet e rajonit kanë shumë kompani të cilët ofrojnë arka fiskale dhe nuk kanë dominues të tregut.

“Shqipëria ka dhjetëra kompani të licencuara që shesin këtë produkt. Në Maqedoni nuk ka nevojë fare një shitës të mbajë licencë për të shitur arka fiskale dhe ky produkt mund të gjendet në shumicën e dyqaneve me pajisje elektronike”, thuhet aty.

Këto gjetje kanë treguar se në ketë gjendje janë pothuajse të gjithë sektorët në Kosovë. Kompani të caktuara po i fryjnë çmimet sipas qejfit duke i dëmtuar kështu rëndë konsumatorët dhe bizneset.

Shembull për ketë përveç industrisë së arkave fiskale thuhet të jetë dhe ajo e çimentos. Aktualisht të licencuara për arka fiskale janë dy kompani – Dukagjini dhe Gekos. Sipas raportit, asnjëra nga këto kompani të përzgjedhura nuk kishin përvojë të mëhershme në shitjen apo në mirëmbajtjen e pajisjeve të tilla.

“Përveç fitimit nëpërmjet çmimit të shitjes, këta furnizues të arkave fiskale do t’i kërkonin bizneseve një pagesë vjetore të mirëmbajtjes”, thuhet në raport.

Për më tepër, këto dy kompani më vonë u gjobitën për praktikat e tyre jo të rregullta tregtare. Një hetim pasues në shtator të vitit 2010 nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës zbuloi që kompanitë në fjalë kanë monopolizuar tregun. Si rezultat, AKK-ja u ka dhënë nga një gjobë prej 11 mijë eurove secilës.

Ndërkaq, edhe pas dy viteve që nga marrja e licencave, kompanitë „Printec“ dhe „R&T“ nuk kanë mundur të hyjnë në treg.

“Përparësia e hyrjes në treg i pari dhe barrierat e hyrjes të krijuara nga „GEKOS“ dhe „Dukagjini“ mundësoi që ata të mbajnë pozitë dominuese në treg. Kjo ishte pasojë e mbrojtjes se tregut nga politikat e vendosura prej qeverisë”, tregon raporti.

Hiq më mirë nuk janë punët as në tregun e çimentos.

Fabrika e çimentos SharrCem është prodhuesi i vetëm i çimentos në vend. Në 2010 Agjencia Kosovare e Privatizimit, e cila udhëheq procesin e privatizimit, ka krijuar kompaninë NeëCo „SharrCem“ e cila është fituar nga Titan Group për

30.1 milionë euro. Në rajon, Titan Group ka një konkurrent shumë të fortë në

Fabrikën e Çimentos së Fushës së Krujës, e cila ka dy fabrika, një në Elbasan dhe tjetrën në Fushë Krujë. Importi i çimentos nga Shqipëria kishte një rritje dramatike në 2011 dhe gjetjet tona të hulumtimit tregojnë se ky trend ka vazhduar në 2012. Në 2009 FKCF kishte vetëm 3.2 për qind të pjesëmarrjes në tregun e çimentos së Kosovës, ndërsa në 2011 ajo arriti 21.1 për qind të pjesëmarrjes në treg.

“Rritja e pjesëmarrjes në treg nga FKCF ishte kryesisht për shkak të cilësisë së saj më të larë dhe çmimit të saj shumë të ulët prej 12 euro për ton krahasuar me çmimin e SharrCem të prej 65-71 euro për ton”, thuhet në raport.

Të gjeturat e këtij raporti tregojnë se marrëveshje për kontrollimin e çmimit duken të jenë të pranishme në industri të caktuara, ku lojtarët ekzistues në fakt pamundësojnë potencialin për konkurrencë. Pa një konkurrencë të lirë, garuesit marrin fitim të padrejtë duke i rritur çmimet që pastaj duhet t’i bartë konsumatori kosovar.

 

Nga Agon Sinanaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu