I dyshuar në Kroaci, i privilegjuar në Kosovë!

0
440

Në kohën kur Mimoza Kusari – Lila ishte ministre në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ajo autorizoi kompaninë “Saybolt pan Adriatika” të veprojë në fushën e inspektimit të lëndëve të karburanteve në Kosovë, edhe pse nuk i plotësonte kushtet.

14 shkurti i vitit 2012 është data kur “Saybolt pan Adriatika” filloi veprimtarinë e saj në Kosovë në fushën e inspektimit të lëndëve dhe karburanteve.

Kjo kompani atëkohë për konkurrent kishte “KPU inspektin”, kompani kjo që vepronte në Kosovë që nga marsi i vitit 2007.

Pasi kaluan katër muaj nga veprimtaria në tregun kosovar si trup inspektuese “Saybolt pan Adriatika”, nuk kishte arritur të merrte as një të vetmin klient.

Pasi që biznesmeni kroat erdhi me referencë nga Ambasada e Amerikës dhe nuk po mundte ta gjente veten, për t’ia siguruar tregun u kujdes ish – ministrja Kusari – Lila, e cila nuk ia vazhdoi më tutje autorizimin kompanisë konkurrente “KPU inspekt”.

Ky vendim i marrë nga Kusari – Lila, më 4 maj të vitit 2012 e bëri “Saybolt pan Adriatikan” kompani monopol në treg, ku veproi për 19 muaj rresht pa përfillur procedurat dhe si e vetme pa konkurrencë në tregun kosovar.

Kusari – Lila e cila tani më është zgjedhur kryetare e komunës së Gjakovës, vendimin që kishte marrë në atë kohë e vlerëson si të drejtë dhe të pashmangshëm.

“KPU inspekti insistonte që mostrat të dërgoheshin në Maqedoni, kurse ne preferonim që ato mostra të shkonin në laboratorët brenda territorit të Kosovës”, shpjegon Kusari – Lila, duke shtuar se këtë kërkesë të MTI-së e respektonte kompania kroate.

Duke parë këtë mosbindje ndaj institucioneve nga “KPU inspekt”, nuk iu vazhdua autorizimi kësaj të fundit.

Por, Kusari – Lila gjithashtu shpalosi edhe detaje të tjera rreth “Saybolt pan Adritika”, duke treguar se erdhi në tregun kosovar me referencë nga Ambasada e Amerikës.

Shkeljet e MTI-së në autorizimin e “Saybold pan Adriatika”

Ministrja Kusari – Lila si duket kishte vendosur të mbyllte sytë para shkeljeve që po bënte me autorizimin e kompanisë kroate që ishte referencë nga Ambasada e Amerikës.

“Saybolt pan Adriatika” kishte marrë autorizimin në MTI para se të akreditohej.

“Saybolt pan Adriatika” u akreditua tek me 22 tetor 2012, plot 8 muaj pasi u autorizua.

Kjo kompani po ashtu ushtron aktivitete për të cilat nuk është akredituar fare. “Saybolt pan Adriatika” nuk e ka të akredituar procedurën e njohjes dhe pranimin e dokumenteve të huaja, kurse e ushtron këtë aktivitet edhe sot e kësaj dite.

Kjo procedurë e inspektimit është e përcaktuar në udhëzimin administrativ 07/2012 për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës.

Po ashtu “Saybolt pan Adriatika”, nuk e ka të akredituar edhe një procedurë të cilën e ushtron qe një kohë të gjatë. Kjo procedurë është monitorimi i cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës. Për të gjitha këto shkelje ishte në dijeni MTI-ja.

Por kësaj ministrie sikur nuk i mjaftoi shkelja flagrante që bëri kur e autorizoi pa akreditim “Saybolt pan Adriatikan”.

Kjo ministri nuk u ndal por vazhdoi që në rastin “Saybolt” të bëjë edhe shkelje tjera duke ia vazhduar autorizimin pa e mbuluar fushën e akreditimit që ka qenë kusht me kërkesat e udhëzimit administrativ 16/2011 dhe 07/2012.

Me 16/2011 janë të përcaktuara kushtet për ta mbuluar fushën e akreditimit, trupi për vlerësim konformiteti i cili autorizon. Kurse më 07/2012 janë të përcaktuara procedurat e inspektimit të cilat duhet t’i zbatojë trupi inspektues i autorizuar.

“Saybolt pan Adriatika” në konflikt interesi

Kompania kroate “Saybolt pan Adriatika”, në pikën kufitare të Hanit të Elezit inspektimin e kryen në konflikt interesi.

Për arsye se pronari i “Saybolt pan Adriatika”, trupi inspektues i huaj i regjistruar në Kosovë është bashkëpronar me 51 për qind të aksioneve në “Saybolt pan Adriatika Skopje”.

Ky trup inspektues i lëshon certifikatat e cilësisë për karburantet e naftës të cilat i dedikohen tregut të Kosovës. Këto karburante përcillen me certifikatat e “Saybolt pan Adriatika Skopje”, ku kjo certifikatë pastaj vlerësohet nga i njëjti pronar. Përveç konfliktit të interesit edhe këtë procedurë të njohjes dhe pranimit të dokumenteve nuk e ka të akredituar.

“Saybolt pan Adriatika” nuk paguan tatim në Kosovë

Kompania kroate “Saybolt pan Adriatika” edhe pse është e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, nuk i paguan asnjë cent tatim shtetit. Kjo ndodh pasi që kjo kompani është regjistruar si trup inspektues i huaj por me seli në Prishtinë.

Mlladen Zlamalik i cili është bashkëpronar me Mario Tomkiæ ka në pronësi edhe “Saybolt pan Adriatika Kosova”.

Ky lloj regjistrimi e lejon atë që biznesin ta ushtrojë në Kosovë pa paguar asnjë cent tatim ndaj shtetit. Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës këtë situatë e vlerëson si plaçkitje nga ana e “Saybolt pan Adriatika” ndaj naftëtarëve.

Fadil Berjani, i cili rishtazi është zgjedhur në krye të Shoqatës, thotë se për këtë plaçkë që po e kryen “Saybolt” dhe kush qëndron mbrapa saj le të deklarohet Qeveria e Kosovës.

Drejtoresha e “KPU inspect”, më eliminuan MTI-ja

Drejtoresha e “KPU inspekt”, Lirie Karaxha, tha se kompania e saj u eliminua nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë vetëm që t’i jepej tregu kompanisë kroate.

“KPU inspekti” ishte e regjistruar si trup inspektues qysh në vitin 2007, kurse ishte akredituar me 23 tetor 2008.

Autorizimin nga MTI-ja e ka poseduar vetëm për 6 muaj. Prej 4 nëntor deri me 3 maj 2012. Karaxha thotë se nuk iu vazhdua autorizimi edhe pse i plotësonte të gjitha kushtet e mundshme.

“Në kohën kur u autorizua “KPU inspect”, “Saybolt pan Adriatika” nuk kishte plotësuar kushtet për autorizim, por pastaj posaçërisht nga MTI-ja u bë shpallje publike për ta autorizuar më 14 shkurt 2012 “Saybolt pan Adriatikan”, tha Karaxha. “Gjatë funksionimit si trupa inspektues “Saybolt Pan Adriatika” nuk kishte fare klientë, të gjithë tregtuesit e lëndëve të karburanteve kërkonin shërbimin tek ne si “KPU inspekt”.

Për të më eliminuar mua Ministria me datën 4 maj 2012 nuk ma vazhdoi autorizimin. Për të vetmen arsye, të funksionojë i vetëm “Saybolt pan Adriatika”, thotë drejtoresha e “KPU inspekt” zonja Karaxha.

Zlamalik dëshmitar në aferën 10 milionëshe për ryshfet

Në shtator të 2012 Mladen Zamalik pronar i “Saybold pan Adriatika” ishte marrë në pyetje si dëshmitar në procesin gjyqësor kundër ish- kryeministrit Ivo Sanader, në aferën e Hypo-së dhe Ina-Mol-it.

Në këtë dëshmi të Zlamalik prokuroria “nxori” nga dëshmitari se kompania e tij private ka kontratë aktuale me “INA”, e cila është në përfundim e sipër. Sipas gjykatës, Sanader kishte pranuar 10 milionë euro ryshfet, për të dorëzuar kontrollin e kompanisë kroate të naftës në duart e MOL-it hungarez.

 

Nga: Liridon Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu