I dyshuar për “Rastin Medikus” edhe Shaip Muja

0
1116

Prishtinë, 8 shkurt 2011 – Mund të mos jetë e largët dita kur Shaip Muja të ulet shumë afër disa kolegëve të tij mjekë në krye me Lutfi Dervishin, në bankën e të akuzuarve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Këshilltari i kryeministrit në largim të Kosovës, Hashim Thaçi, mund të akuzohet nga prokurori i “Rastit Medicus”, Jonathan Ratel, për ndikim në dhënien e licencës për transplantim organesh kësaj klinike.

Burime të afërta me procesin kanë bërë me dije se ky prokuror pritet të nxjerrë vendim për zgjerim të hetimeve rreth këtij rasti dhe ngritjen e aktakuzës edhe për këshilltarin e Thaçit, Shaip Muja.

“Prokurori pritet të nxjerrë vendimin për zgjerim të hetimeve. Nëse gjen prova
të bazuara ai pritet të ngrejë edhe aktakuzë kundër z. Muja dhe pasi të konfirmohet ajo ta bashkojë këtë procedurë për të nisur gjykimi”, ka thënë burimi.

EULEX-i nuk e ka pohuar e as mohuar këtë hetim. Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi, ka thënë të hënën se nuk mund të komentojë se kush është duke u hetuar, si dhe ndaj kujt mund të ngrihet ndonjë aktakuzë, pasi, sipas tij, kjo do të dëmtonte procesin hetimor.

Aktakuza e ngritur ndaj Lutfi Dervishit, Driton Jëlltës, Ilir Rrecajt, Sokol Hajdinit, Sylejman Dullës, Islam Bytyçit dhe Arban Dervishit ende nuk është konfirmuar nga një gjyqtar i procedurës paraprake. Pasi i kishte dhënë vetes dy javë kohë, ky gjyqtar ka kërkuar edhe dy javë të tjera. Ndërkohë ai një pjesë të provave të ofruara nga prokurori nuk i ka pranuar me arsyetimin se janë mbledhur pa vendim të gjyqtarit të procedurës paraprake.

Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, ka thënë se gjyqtari i EULEX-it në seancën e konfirmimit për “rastin Medicus” ka vendosur që disa nga dëshmitë e paraqitura nga prokuroria të shpallen të “papranueshme”.

“Sipas gjykatësit, dëshmitë e mbledhura në klinikën ‘Medicus’ janë bërë pa autorizimin e gjykatësit të procedurës paraprake. Prokurorët e EULEX-it të këtij rasti do të apelojnë vendimin e gjyqtarit. Një panel prej tre gjyqtarëve do të vendosë mbi ankesën e prokurorisë. Pasi që paneli ta marrë vendimin e tij, gjyqtari do të marrë një vendim përfundimtar për ta për aktakuzën e ngritur”, ka thënë Krasniqi.

Shaip Muja, i cili ka qenë këshilltar i kryeministrit Thaçi, edhe në vitin 2008 kur kishte shpërthyer skandali i transplantimit ilegal të organeve në klinikën
“Medicus” ka mohuar të hënën të ketë lidhje me këtë klinikë dhe licencën e lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, vepër për të cilën është i akuzuar, ish-sekretari i kësaj ministrie, Ilir Rrecaj. Ai madje ka këshilluar që të mos botohet artikulli fare, pasi, sipas tij, kjo po bëhet qëllimisht.

“Ti nëse e ke interes me ba temë, me ia futë kot, mundesh me ba temë, por kjo nuk është temë mas pari, sepse nuk kam të bëj asgjë as me licencim e as me presion, edhe kështu që të kisha lut mos mem parafrazu”, ka thënë ai të hënën nëpërmjet telefonit.

“Nëse keni mbetë pa tema, keni tema sa të dush. Unë qe dy vite jam në Kosovë, kurrkush pyet nuk më ka kurrë njëherë dhe unë nuk i iki drejtësisë, kështu që të kisha lutë mos me ba temë”, ka thënë ai. Ai ka akuzuar gazetën se ia ka përdorur emrin edhe në raste të tjera, por, sipas tij, “nuk kishte dalë ashtu siç kishte raportuar gazeta”.

Muja ka thënë se ai është i përmendur edhe nga senatori zviceran, Dick Marty, për akuza të njëjta, mirëpo siç ka thënë ai nuk ka të bëjë asgjë me “Medicusin”.
“Kosova ka pasur interes dhe ka interes të bëjë transplantime, se mbi 120 raste presin. Po ti nuk merresh me atë temë, po merresh me diçka që krijojnë ide që vërtet politika është përzier në këto punë dhe për mu ajo temë nuk është”, ka këshilluar Muja.

Ish-ushtruesi i detyrës së sekretarit të MSH-së, Ilir Rrecaj, i cili në atë kohë ishte edhe kryetar i Bordit për licencim, akuzohet se në mes të 1 janarit 2008 dhe 4 nëntorit 2008 ka kryer vepër penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare ose autorizimit, duke shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, duke tejkaluar kufizimet e autorizimit të vet ose duke mos ekzekutuar detyrat e veta zyrtare. Duke qenë në cilësinë e sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë ai akuzohet se ka licencuar klinikën “Medicus”, në kundërshtim me ligjin, dhe duke i dhënë licencë mjekut turk, Yosuf Somnez.

Në aktakuzën e ngritur nga prokurori, thuhet se para se ta merrte pëlqimin nga MSH-ja, Lutfi Dervishi ka pasur takime me ministrin e Shëndetësisë, këshilltarin e kryeministrit dhe Ilir Rrecajn për këtë çështje. Aty nuk përmendet emri i Shaip Mujës, por sipas burimeve, fjala është për të. Ky takim kishte ndodhur në maj të vitit 2008.

Lutfi Dervishi e ka parashtruar një letër. Më 12 maj 2008 Ilir Rrecaj i kishte shkruar një letër Lutfi Dervishit dhe Arban Dervishit me titull “Konfirmim i aprovimit të licencës për urologji”. Letra mbante nënshkrimin e Rrecajt në cilësinë e kryetarit të Bordit të licencimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu