I gjuhen edhe Jakupit

0
749

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kryeparlamentari Jakup Krasniqi është i dyshuari tjetër i hetuesisë së EULEX-it për krime luftë në rajonin e Drenicës.

Krasniqi të premten është marrë në pyetje për rreth 2 orë nga hetuesit e EULEX-it në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte gjatë vitit 1999.

Jozyrtarisht është bërë e ditur se Krasniqi mund të përfshihet në aktakuzën që tashmë është ngritur për Sylejman Selimin, Ismet Haxhën, Nexhat Çubrelin dhe Shefki Hysenin.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje është prononcuar avokati i tij, Mexhid Syla, i cili e ka shoqëruar Krasniqin në EULEX. Ai ka thënë se Krasniqi është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, që ka të bëjë me rastin e “Grupit të Drenicës” dhe se statusi ligjor i kryetarit të Kuvendit nuk dihet ende.

“Jakup Krasniqi është i dyshuar për momentin. Ende nuk ka ndonjë vendim të gjykatës por vetëm është thirrur që të japë disa sqarime. Akuzat kanë ardhur nga dëshmitarë të mbrojtur me shifra A dhe B të cilët janë shumë të paqartë”, ka thënë avokati Syla.

Ndërsa zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi nuk e ka komentuar këtë ngjarje.

“Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka koment në lidhje me këtë ngjarje”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it.
Ndaj kësaj ngjarjeje kanë reaguar edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Behar Selimi ka thënë se duhet të merret parasysh mesazhi që mund t’i jepet botës me këso dyshimesh dhe spektaklesh nga ana e EULEX-it.

“EULEX-i të ketë një kujdes të shtuar sepse personi është kryetar i Parlamentit dhe përfaqëson një organ të lartë. Ndoshta nuk është drejtim i duhur se si në mënyrën gjatë orarit të punës ai ftohet në intervesita. Mënyra se si është bërë ky trajtim sot, e keni parasysh se çfarë lajmi do t’i paraqitet botës”, ka thënë Selimi.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Sadri Ferati ka deklaruar se duhet të marrin fund këto situata të pakëndshme të figurave publike.

“Mendoj se nuk është e këndshme dhe Kosova duhet shumë shpejt të rregullojë këtë çështje me EULEX-i dhe figurat publike të mos i nënshtrohen këtyre situatave. Mendoj që as nuk i bën mirë shtetit e as personaliteti”, ka theksuar ai.

Ehe deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi ka bërë thirrje që të ndalet dëmtimi i imazhit të personaliteteve që kanë kontribuar për Kosovën.

“Ky është edhe një rast se në Kosovë dikush është i intersuar të dëmtojnë imazhin e personialiteve që kanë dhënë kontribut për këtë vend dhe është absurde që kryetari i Parlamentit të merret në këtë mënyrë në pyetje”, ka thënë Ahmeti. Jakup Krasniqi ka qenë zëdhënës i UÇK-së dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

 

Nga: Albert Ahmeti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu