I riorganizuam pozicionet në Loxhë (16)

0
876
Ish-ushtari i UÇK-së, Besnik Shala, ka treguar se më 6 korrik të vitit 1998 kanë luftuar deri pas orës 13:00, kurse pas orës 18:00 kanë filluar ndërtimin e istikameve të reja, në bazë të pozitës strategjike që e kishte studiuar Skënder Çeku.

Ai ka thënë se Skënder Çeku asnjëherë nuk i ka bërë kanalet e tërheqjes, por vetëm istikamet, në mënyrë shumë të veçantë. “Skenda gjithmonë ka thënë se ‘ne nuk tërhiqemi për pa u vrarë të gjithë’”, ka thënë Shala. Ai ka treguar se nga data 7 korrik kanë filluar riorganizimin e pozicioneve në krejt Loxhën.
“Epoka e re”
Besnik Shala, i njohur gjatë luftës me emrin “Gazi”, në vitin 1997 së bashku me Hysen Dreshajn, Lundrim Camajn, Afrim Bajraktarin, Gëzim Sejdiajn dhe disa shokë të tjerë bëhet pjesë e formacioneve të para të UÇK-së. Më vonë Shala, së bashku me Binak Dinajn, merr udhë për në Shqipëri, ku njihet me Skënder Çekun, me të cilin nuk ndahet deri më 17 gusht të vitit 1998. Shala gjatë qëndrimit në Shqipëri, saktësisht në Tropojë, së bashku me shumë ushtarë të tjerë të UÇK-së, nën komandën e Skënder Çekut, merret me grumbullimin dhe shpërndarjen e armatimit. Në Shqipëri ai dhe shumë ushtarë të tjerë të UÇK-së i kryejnë edhe stërvitjet ushtarake. Pasi disa nga shokët me të cilët ishte kthyer në Kosovë e kanë përshkruar këtë udhëtim, Shala, duke mos dashur të përsëriten gjërat, ka kujtuar vetëm një rast që ka të bëjë me personalitetin e Skënder Çekut. “Gjatë rrugëtimit për në Kosovë, një shok i Skendës, Brahim Dreshaj, e kishte një jelekë antipilumb, të cilin ia afroi. Pasi ne ishim 22 ushtarë, Skenda na shikoi të gjithëve dhe tha: ‘Çka më duhet jeta mua kur të më vriten këta shokë’”, ka thënë Shala.
Beteja e 6 korrikut në Loxhë
Pas kthimit në Kosovë më 5 korrik të vitit 1998, ushtarët e prirë nga Skënder Çeku ndalen për të pushuar në Raushiq të Pejës. Por, një ditë më herët, në Loxhë, në përleshje me forcat serbe, plagoset ushtari i UÇK-së, Tahir Shala, i cili më vonë ndërron jetë. “Më 6 korrik, rreth orës 06:00, me t’i dëgjuar krismat e armëve, Skënder Çeku, Binak Dinaj, Adnan Spahiu, Shpend Dreshaj dhe unë jemi nisur për në Loxhë. Skenda na ka thënë: ‘Nëse doni, hajdeni’. Pasi hyrja në luftë nënkuptonte edhe rreziqe. Kurse unë i kam thënë se ne për luftë jemi bërë gati. Kështu që, jemi nisur me një veturë në drejtim të Loxhës. Kur kemi shkuar në mes të Raushiqit dhe Loxhës, ku janë Buqolltë e Vegjël, me urdhër të Skendës, Binaku me Shpendin janë ndalur aty, ndërsa ne të tre e kemi vazhduar rrugën”, ka thënë Shala. Por, me t’u afruar afër Lagjes së Morinëve në Loxhë, ushtarët e UÇK-së shtinë me armë zjarri në drejtim të tyre, duke menduar se janë ushtarë të forcave serbe. “Nazmi Morina dhe Musa Morina kanë gjuajtur në drejtim tonin, duke menduar se jemi ushtarë serbë por, për fat të mirë, nuk ka ndodhur ndonjë e keqe. Pasi jemi shtrirë përtokë, Skenda ka bërtitur: ‘Mos gjuani se jemi UÇK’. Nazmiu, duke qenë shok i ngushtë i Skendës, e ka njohur në zë dhe nuk ka gjuajtur më në ne. Pasi janë përqafuar, Skenda e ka pyetur se ku janë forcat serbe. E ka marrë golinovin e Nazmiut dhe ka filluar të gjuajë në drejtim të pozicioneve serbe. Aty ka filluar beteja e vërtetë”, ka deklaruar Shala, duke shtuar se Binak Dinaj, pasi i ka dëgjuar krismat e armëve, duke menduar se kanë rënë në prit, është nisur në drejtim të Loxhës, por gjatë rrugës është ndeshur me forcat serbe, ku pas një përleshje, e ka humbur dorën e majtë.
Shala ka bërë me dije se më 6 korrik të vitit 1998 kanë luftuar deri pas orës 13:00, kurse pas orës 18:00 kanë filluar ndërtimin e istikameve të reja, në bazë të pozitës strategjike që e kishte studiuar Skënder Çeku. Ai ka treguar se Skënder Çeku asnjëherë nuk i ka bërë kanalet e tërheqjes, por vetëm istikamet në mënyrë shumë të veçantë. “Skenda gjithmonë ka thënë se ‘ne nuk tërhiqemi për pa u vrarë të gjithë’”, ka thënë Shala. Ai ka treguar se nga data 7 korrik kanë filluar riorganizimin e pozicioneve në krejt Loxhën. Po ashtu, Shala ka deklaruar se njësiti “Luanët e Dukagjinit” ka marrë pjesë në luftime edhe në fshatra të tjera si dhe i ka vizituar fshatrat Grabovc, Lluzhan, Zllapek, Raushiq etj. “Skenda u ka folur për strategjinë e luftës dhe u ka dhënë moral”, është shprehur ai. Pasi gjendja në Loxhë ishte më e qetë, Skënder Çeku më 10 korrik, bashkë me ushtarët e tij, shkon në Qyshk të Pejës për t’i organizuar njësitet e UÇK-së edhe në rajonin e Podgurit. “Ideja e Skendës ka qenë të kalojnë në rajonin e Podgurit, pasi një numër i madh i ushtarëve dhe paramilitarëve serbë hynin në Kosovë përmes Grykës së Zhplepit (nga Mali i Zi në Kosovë). Ideja ka qenë t’ua zëmë priten aty. Kështu që, më 10 korrik, në mbrëmje, kemi shkuar në Qyshk por, fatkeqësisht, më 11 korrik, në mëngjes, forcat serbe e kanë sulmuar Loxhën. A ka qenë i rastësishëm apo jo ky sulm nuk e di. Në atë betejë në mbrojtje të pozicioneve kanë rënë dëshmorë Rexhë Morina dhe Selman Morina. Me ta dëgjuar lajmin, në mbrëmje jemi kthyer në Loxhë së bashku me 12 ushtarë të rinj nga fshati Qyshk”, ka thënë Shala.
Beteja e 15 gushtit 1998
Të inatosur me humbjet që kishin pësuar gjatë dy betejave të korrikut në Loxhë, forcat serbe më 15 gusht, rreth orës 06:00 të mëngjesit, nisnin një sulm të fuqishëm ndaj ushtarëve të UÇK-së. “Pasi na kanë njoftuar rojtarët, kemi dalë shpejt në pozicione. Skenda ka filluar të gjuajë në drejtim të një aeroplani, të cilin e ka goditur. Pas tij kemi gjuajtur edhe unë, Sami Çeku dhe Nazmi Morina. Më vonë kemi kuptuar se ai aeroplan ishte dëmtuar. Pastaj Skenda ka filluar t’u japë urdhra ushtarëve për t’i zënë pozicionet e tjera. Istikamet kanë qenë të fortifikuara shumë mirë. Vetëm një istikam ka qenë i pambuluar. Në atë istikam kam qenë unë, Skenda dhe Gani Elezaj. Ata kanë tentuar të më largojnë nga vija e luftimeve, pasi një ditë më herët isha i lënduar në këmbë, të cilën e kisha futur në gips në spitalin e Krushecit. Por, nuk kam pranuar. Atëherë Skenda më ka dhënë urdhër t’i vizitoj ushtarët e tjerë për t’u dhënë moral. Gjatë rrugës e kam nxjerr thikën dhe e kam prerë gipsin deri në gju, e i kam vizituar të gjitha pikat. Ushtarët i kam parë se kishin moral të lartë”, ka thënë Shala. Ai ka treguar se pika e tyre te Morintë ka qenë më e granatuara. “Ndoshta për faktin se serbët e kanë ditur se kur të bie kjo pikë do të depërtojnë më shpejt në Loxhë”, ka thënë ai. Në vazhdim Shala ka treguar se rreth orës 11:00 ka shpërthyer një granatë në drejtim të istikamit ku ndodheshin Skënder Çeku e Gani Elezaj. Çeku kishte me vete një mortajë 150-she, një kallashnikov të Poliqanit me tytë të gjatë, kurse Gani Elezaj e ka pasur një mitraloz me disk me fishekë 5mm. Kur e kemi dëgjuar shpërthimin jemi nisur në drejtim të tyre. Pas pak, gjatë rrugës, jemi takuar me ta. Pasi i kemi tërhequr, i kemi parë se janë shumë të plagosur. Ndihmën e parë ia kam dhënë aty Ganiut, i cili shihej se ishte më i plagosur. Para se të largohen me një veturë nga Adnan Spahiu, Skenda më është drejtuar me këto fjalë: ‘Mbahuni! Mos u trego djemve që jam plagosur. Do të kthehem shpejt’”, ka deklaruar Shala.
Zemaj kishte bërë marrëveshje me serbët për dorëzimin e armëve

Ai ka treguar se edhe pas plagosjes së Skënder Çekut dhe Gani Elezajt ushtarët e tjerë e kanë vazhduar luftën në distancë shumë të afërt deri rreth orës 19:30. “Gjatë luftimeve istikamet tona janë shkatërruar tërësisht jo nga granatimet, por nga goditjet e drejtpërdrejta të tankeve. Pas depërtimit me tanke jemi detyruar të largohemi rreth orës 19:30”, ka thënë Shala.
Pas Loxhës, ai ka deklaruar se kanë shkuar në Krushec, ku i kanë parë të plagosur Skënder Çekun dhe Gani Elezajn. “Ata kanë qenë të fortë moralisht, edhe pse ishin të plagosur. Atë natë jemi nisur me të plagosurit për në Breshanc të Therandës (ish-Suharekës), ku ka qenë spitali ushtarak. Në Sferkë të Gashit, me urdhër të Skënderit, janë kthyer shokët e tjerë, kurse unë e Adnani kemi shkuar në Breshanc në përcjellje të tyre. Por, në mungesë të anesteziologut, Skënderi është dashur të presë deri më 17 gusht për t’iu nënshtruar operacionit. Më kujtohet se në një moment Skenda ka thënë: ‘Edhe tri jetë po t’i kisha, të njëjtën punë do ta bëja’. Më 17 gusht, në mëngjes, Skenda i është nënshtruar operacionit mirëpo, fatkeqësisht, nuk ka mundur të zgjohet nga opiumi. Në të njëjtën ditë është varrosur në Semetishtë të Therandës me nderime të larta ushtarake të udhëhequra nga Fatmir Limaj, i njohur si komandant ‘Çeliku’”, ka deklaruar ai. Pas varrimit të Skënder Çekut, Shala ka treguar se bashkë me Adnan Spahiun disa ushtarë i kanë përcjellë deri në Sferkë të Gashit. “Nga Sferka e Gashit kemi shkuar në Krushec, ku kuptuam se grupi ynë është tërhequr në fshatrat e Lugut të Drinit, pasi Tahir Zemaj kishte bërë marrëveshje me serbët për dorëzimin e armëve. Ne jemi kthyer në shtab të Lugut të Drinit, ku kemi rënë në kontakt me shokët me të cilët i kemi organizuar formacionet e para ushtarake, kurse më vonë e kemi formuar Brigadën 133 ‘Adrian Krasniqi’, komandant i së cilës ka qenë Azem Veseli, ndërsa unë komandant i Batalionit të Parë. Kështu që, amanetin e komandant Skënder Çekut e kemi çuar në vend”, ka thënë Besnik Shala.
NË NUMRIN E ARDHSHËM FLASIN TË TJERË PROTAGONISTË TË LUFTËS NË LOXHË.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu