Ibrahim Kelmendi bën thirrje për revolte gjithe popullore në Kosovë

0
564

Ibrahim Kelmendi bën thirrje për revolte gjithe popullore në Kosovë

Ky është mendimi i njohësve të rrethanave politike. Veprimtari i çështjes kombëtare Ibrahim Kelmendi, tha për gazetën Infopress, se krimi i organizuar, vendor e ndërkombëtar, marionetat e shërbimeve të huaja armiqësore, e kanë kap fortë shtetin.

“Fatkeqësisht nuk jam optimist, sepse parametrat mungojnë për të qenë optimist. Njeriu aktual, i hutuar e i tjetërsuar, nuk do të jetë në gjendje as në vitin e ri 2017 të bëjë ndonjë kthesë cilësore. Krimi i organizuar, vendor e ndërkombëtar, marionetat e shërbimeve të huaja armiqësore, e kanë kap fortë shtetin, dhe bashkëqytetarët tashmë janë të dëshpëruar, prandaj edhe janë dorëzuar. Më nuk kanë frymë e fuqi për t’iu kundërvënë kësaj lukunie të shpërfytyruar, që nuk ndihet e mjaftuar me ngrënie të mishit, për të lënë kocin pa e gllabëruar”, tha Kelmendi.

Sipas tij, në vitin që do hymë nuk do të ketë ditë më të mira, për shkaqet e lartcekura. “Por, vazhdoj të shpresoj në mrekullitë, si në mars të vitit 1997 në Shqipëri dhe në mars të vitit 1998: kryengritja e kryengritësve! Në mars 97 ndodhi rebelimi qytetar kundër krimit të organizuar dhe marionetave të Serbisë e Greqisë, në krye me vëllezërit siamez Barisha dhe Nano, ndërsa në Kosovë shpërtheu kryengritja e armatosur çlirimtare kundër pushtimit serb”, u shpreh ai.

Tashmë, sipas Kelmendit, Kosovën mund ta këndell e ndërgjegjëson vetëm një rebelim qytetar. “Për ta çliruar Republikën e Kosovës nga banda e ish-Udbashëve komunistë dhe pjellës se tyre dhe nga marionetat e Serbisë, në krye me Isa Mustafën, si dhe nga marionetat e shërbimeve të huaj armiqësore dhe krimit të organizuar, të përfshirë në bandën PRONTO. Serbia po praktikon modelin e dëshmuar si i suksesshëm në Shqipëri dhe këtu i ka bërë bashkë vëllezërit siamez Isa Thaçi dhe Hashim Mustafa. Prandaj rrugë tjetër nuk kemi, pos rebelimit qytetar, nëse duam të kemi ardhmëri të mirë në shtetin e se drejtës!”, pohoi ai.

Kelmendi përmendi faktin se popujt e zhvilluar të botës janë kalitur nëpërmjet rebelimeve qytetare. “Zatën, popujt më të zhvilluar të botës kanë kaluar e janë kalitur përmes rebelimeve qytetare e luftërave civile. Kur t’ua shoh flakën vilave të isave, hashimave, ramushave, fatmirave…, do të më rikthehet optimizmi se Kosova do të bëhet! Për momentin nuk po konkretizojë emra, por rebelimi qytetar do ti nxjerrë udhëheqësit meritor”, përfundoi ai.

Kurse, Bilall Sherifi, sekretar i partisë Nisma për Kosovën është shprehur optimist për vitin që po vjen.

“Më keq se kaq nuk ka ku shkon. Prandaj jam opotimist se në vitin e ardhshëm gjërat do të shkojnë më mirë. Por jo me këtë qeveri. Kusht që gjërat të fillojnë të bëhet mirë është shkuarja e kësaj qeverie. Vetëm pasi mandati t’i kthehet sërish sovranit ka shprese se mund të rregullohen gjerat. Me kete qeveri asgjë më mirë nuk pritet”, tha Sherifi.

Kurse, Avni Zogiani, nga organizata “Çohu”, e quajti vitin 2017 vit të paparashikueshëm për shqiptarët, kjo për shkak të ardhjes së Donald Trump në krye të SHBA-së . “Mund të jete viti më i paparashikueshëm dhe më befasues për shqiptaret. Ky do të jete viti që në tërë botën do të flitet si ndryshon rendi botëror me Donald Trump. Sekretar shteti tashti është një shok me dekoratë i Putin dhe kjo mund të sjellë edhe një shef të ri të Deskut për Kosovën. Në rast se do të vazhdojnë negociatat, serbet definitivisht do të kenë përparësinë”, tha Zogiani.

Ai tha se në rast se nuk vazhdojnë negociatat ne Serbinë, serbet do të trimërohen për veprime të njëanshme në veri. “Në rast se nuk vazhdojnë negociatat kam frikë se serbet do të trimërohen për veprime të njëanshme në veri, ashtu siç edhe po paralajmërohet këtyre ditëve. Ky vit, definitivisht mund të ndryshoje shumë gjera në rend global dhe shqiptaret duket se as që janë duke u mare me këtë gjë”, theksoi Zogiani.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu