Ibrahim Kelmendi: Jusuf Buxhovi foli në rolin e spiunit të UDB’së, shpifi edhe për LPK’në

0
882

Njeri prej themeluesve të Lëvizjes Popullore të Kosovës, Ibrahim Kelmendi i është përgjigjur Jusuf Buxhovit, i cili tha se LPK është mbështetur nga Shërbimi Intelegjent i Rusisë i njohur si KGB.

Kelmendi ka thënë se Jusuf Buxhovi ka folur tamam në rolin e spiunit të UDB’së dhe se po gënjen kur po e lidh LPK’në me KGB’në.

“Është shpifje ordinere, që i ngjanë shpifjes që pat bërë Dollanci në prill të vitit 1991, para gazetarëve të huaj, kur tha demonstrata në Kosovë i ka organizuar KGB-ja”, ka thënë Kelmendi, për Express.

Sipas Kelmendit, Jusuf Buxhovi në intervistën televizive tentonte t’i ikte pyetjes në lidhje me intervistimin që iu kishte bërë Hysen Gegës e Jusuf Gërvallës.

“Jusuf Buxhovi vetëm belbëzojë, mjegullojë. Përgjigjet dezinformuese u ngjanin fragmenteve të propagandës dhe dezinformimeve, rrjedhimisht të luftës speciale, që zhvillonin shërbimet jugo-sllave. Ai foli për organizata e grupe marksiste-leniniste, staliniste, terroriste, të shqiptarëve në Gjermani, i quajti klubet e shqiptarëve bordele, sepse donte t’u ikte përgjigjeve konkrete, lidhur me informimin e Hysen Gegës, se Jusufi e kishte marrë në pyetje në shoqërim të hetuesve në burgun e Prishtinës”, ka shtuar Kelmendi.

Kelmendi ka folur edhe për grupet, të cilat Buxhovi i quajti marksist leniniste dhe terroriste.

“Në insistimin e intervistuesit, ai saktësoi se paskëshin ekzistuar katër grupe e organizata. Dezinformimet e shpifjet e tij i mbështeste gjoja në raportet e BND-së (Shërbimit intelegjent të Gjermanisë). Ato raporte kanë qenë publike dhe ky kot i shpërdoronte. Për kohën që flitej, deri kur kanë ndodhur vrasjet ndaj Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, në Gjermani kanë ekzistuar vetëm Fronti i Kuq Popullor dhe Grupi Komunist “Zëri i Kosovës”. Bile Grupi Komunist e ka mbyll veprimtarënë, rrjedhimisht është shpërnda nga fundi i vitit 1980”, ka shtuar ai.

Sipas tij, programi i Frontit nuk ka qenë marksist-leniniste, meqë përmbante përcaktimin: Fronti është Organizatë nacional-çlirimtare, në të cilën marrin pjesë të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve ideopolitike dhe besimeve fetare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu