Identifikohen vrasësit e policit Enver Zymeri

0
792

PRISHTINE-EULEX-i ka vlerësuar se janë dy grupe të të dyshuarve për dy krimet e fundit në veri të Kosovës: vrasjen e policit Enver Zymeri më 26 korrik në fshatin Vragë të Komunës së Zubin-Potokut dhe djegien e portës kufitare në Jarinjë më 27 korrik.

Të dyja grupet përbëhen nga serbë lokalë të lidhur me krimin e organizuar dhe kontrabandën, shkruan “Koha Ditore”.

Grupi i parë, ai i të dyshuarve për vrasjen e policit Enver Zymeri janë: Duran Jovanovic, Milovan Vlarkovic, Radovan Radic dhe Slobodan Vuçinic. Pjesë e këtij grupi janë edhe disa të dyshuar të tjerë, por të lartpërmendurit kanë qenë dhe shënjestra e arrestimit të dështuar të aksionit të ndërmarrë nga EULEX-i të mërkurën.

Grupi tjetër, për të cilin ende nuk është bërë përpjekje arrestimi dhe që dyshohen për djegien e portës kufitare në Jarinjë janë: Miljojko Radisavljevic i njohur si “Babudovac”, Mirko Velimirovic i njohur si “Pajo”, Srdjan Vuçinic i njohur si “Labud” dhe Stefan Vuçinic.

I dyshuari kryesor për koordinimin e të dyja grupeve që bënë dy krimet, vrasjen e policit dhe djegien e portës kufitare, është Zvonko Veselinovic, biznesmen dhe zyrtar i UDB-së në veri. Ndonëse për të ekziston një plan operacional arrestimi dhe një fletarrestim që nga 18 gushti, ai nuk ka qenë shënjestër i operacionit të së mërkurës.

Udhëheqës i grupit që dogji portën kufitare dhe shtiu mbi KFOR-in dhe EULEX-in dyshohet të jetë Stefan Vuçinic. I dyshuari tjetër Milojko Radisavlevic është pronar i pompës së benzinës “Team Petrol” në Zupçë.

Qëllimi i EULEX-it është që të arrestojë fillimisht të dyshuarit e grupit të parë që vrau policin.

Përveç automjetit me të cilën dyshohet se kanë lëvizur vrasësit e policit Enver Zymeri, asgjë tjetër nuk është konfiskuar nga aksioni i “madh” i së mërkurës së KFOR dhe EULEX. Automjeti bëhet tejet e vlefshme si provë, kur kihet parasysh se në të janë gjetur edhe gëzhoja plumbash të kalibrit të njëjtë me plumbin që ka qëlluar policin Enver Zymeri në kokë.

Madje dhe numri i armëve të konfiskuara nga EULEX-i është vetëm dy. “Janë konfiskuar vetëm dy pushkë gjuetie”, i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti një burim ndërkombëtar.

Operacioni i madh i së mërkurës është koordinuar nga vetë shefi i misionit gjenerali francez Xavier Bout de Marnhac. Burime të gazetës kanë konfirmuar se EULEX-i ka pasur paraprakisht informata se dy të dyshuar të tjerë (njëri me emrin Bosnic dhe një tjetër) nuk kanë qenë në veri. Madje sipas disa burimeve ndërkombëtare EULEX-i nuk ka pasur informacione të sigurta se edhe katër të dyshuarit që u kërkuan të mërkurën janë në atë pjesë të vendit. Mirëpo sipas burimeve të gazetës ka qenë insistimi i shefit të misionit Xavier Bout de Marhnac që ka bërë që operacioni të kryhej me doemos dhe rrjedhimisht të dështonte arrestimi.

Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton, nuk ka konfirmuar e as mohuar vërtetësinë e emrave të të dyja grupeve në të dyja grupet.

“Si një parim i përgjithshëm dhe me qëllim që të mbrohen hetimet në krime shumë serioze, EULEX-i nuk do të konfirmojë e as mohojë emrat e individëve që janë pjesë e hetimit”, ka thënë zëdhënësi Hawton.

Sipas tij, për asnjërin nga të dyshuarit ende nuk ka fletarrestim ndërkombëtar dhe si rezultat EULEX-i nuk ka kërkuar nga Serbia që ata të ekstradohen në rast se gjenden atje.

“Ngritja e fletarrestimeve ndërkombëtare është një mundësi që mund të përdoret nga prokurori i rastit, por ende nuk ka një vendim nga ai për ta bërë një gjë të tillë”, ka thënë Hawton. Zëdhënësi i EULEX-it ka thënë se operacioni i së mërkurës ka qenë operacion i EULEX-it dhe i mbështetur nga KFOR-i, pa pjesëmarrjen e Policisë së Kosovës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu