Idrizi: Ky vend do të jetë Meka dhe Jerusalemi i shqiptarëve

0
656

Sarandë, 1 korrik – Një memorial për të përkujtuar viktimat e gjenocidit grek ndaj popullsisë çame. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Java Çame kulmoi në afërsi të tokës së mbetur në pjesën tjetër të kufirit shtetëror.

Një pelegrinazh që kaloi shifrën e tre mijë pjesëmarrësve nisi mëngjesin e djeshëm nga qyteti i Sarandës, për të përfunduar në mbrëmje në afërsi të Qafë-Botës, shkruan “Panorama”.

Kreu i Partisë për Demokraci e Unitet, Shpëtim Idrizi, deputeti Dashamir Tahiri, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kanë udhëhequr pelegrinët, të cilët pas 68 vitesh rikthehen në rrugën që të afërmit e tyre morën për t’u shpëtuar torturave të ushtarëve të Napolon Zerbës.

“Historia nuk fshihet, gjenocidi nuk falet”. “I love Çamëria”. Këto deklarata kanë shoqëruar të gjithë Javën Çame, e cila shënoi dhe vendosjen e gurit për të ndërtuar memorialin në nder të atyre që u masakruan dhe u përndoqën pse kishin lindur në Çamëri. Pothuajse 50 autobusë dhe po kaq e më shumë makina të vogla u nisën rreth orës 16:00 të së shtunës në drejtim të fshatit Kllogjer, disa kilometra para mbërritjes në kufi. Në orën 17:30 ndalesa e parë u bë në fshatin Kllogjer. “Trëndafilat e Çamërisë” ishte poezia që përcolli me ndjenjë për të pranishmit artisti Mirush Kabashi, vargje këto që kthyen edhe njëherë në retrospektivë vuajtjet e atyre mijëra çamëve që u bënë pjesë e gjenocidit grek për t’i ndjekur nga tokat e tyre. Vargjet e goditura përlotën jo vetëm ata të moshuar që edhe këtë vit kishin ardhur për t’u bërë pjesë e këtij pelegrinazhi të përvitshëm, por edhe të rinj, çamë ose jo. Kryetari i PDIU,

Shpëtim Idrizi dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, mbollën një ulli në krah të gurit të vendosur 5 vite më parë me mbishkrimin “Varrezat e Çamëve: Këtu prehen një pjesë e eshtrave të popullatës martire shqiptare të Çamërisë, vdekur nga torturat, plagët, lodhja dhe uria shkaktuar nga përzë nia me dhunë nga trojet e tyre etnike prej gjenocidit grek të viteve 1913-1945″. Idrizi dhe Kurti prenë shiritin e nisjes së punimeve për ngritjen e varrezës monumentale në Kllogjer si përkujtesë e atyre çamëve që gjenocidi grek u mori me tortura nga më monstruozet jetën pa pyetur nëse ishin pleq apo fëmijë.

“Këtu vendosëm gurin e mos-harresës dhe ky vend do të jetë tashmë Meka dhe Jerusalemi i shqiptarëve të Çamërisë, që do të vijnë këtu jo vetëm në qershor, por gjatë gjithë vitit për të nderuar kujtimin e atyre që humbën jetën të përndjekur nga tokat e tyre nga Napoleon Zerba, që do të ketë mallkimin tonë, mallkimin e gjithë çamëve, edhe përtej varrit”, u shpreh Idrizi. Pas Kllogjerit marshimi vazhdoi drejt Qafë-Botës. Në orën 20:00 të gjithë pjesëmarrësit, me një flamur të kuq të madh mbi krye, ku ishte shkruar ÇAMERIA, u mblodhën përballë një podiumi gjigand në sfond të të cilit shpërfaqeshin dëshmi të gjenocidit çam. “Jemi këtu në përfundim të Javës së përkujtesës me moton: Unë e dua Çamërinë. Gjatë kësaj jave ne kuptuam se Çamërinë nuk e duan vetëm çamët, nuk e duan vetëm të vjetrit e mbijetuar, që i shpëtuan gjenocidit të tmerrshëm grek, ne kuptuam se Çamërinë e duan të gjithë shqiptarët. Pak më parë organizuam përurimin e varrezës për 2960 veta, fëmijë, gra dhe pleq, viktima të gjenocidit, megjithëse në tokën tonë. Ne bëmë një akt të detyruar nderimi për njerëzit e gjakut tonë, që gjendeshin në atë varrezë masive.

Ne e mundëm murin e harresës, të neglizhencës për këtë tragjedi të madhe me dy akte, të paraardhësve tanë”, u shpreh Idrizi. “PDIU është forcë politike kombëtariste dhe, për pasojë, ne jemi forcë politike europiane. Në drejtësinë europiane ne do të provojmë se gjenocidi që u krye mbi popullsinë çame duhet riparuar me akte drejtësie. Ne do të tregojmë se ashtu siç iu garantua e drejta e kthimit të gjithë shtetasve grekë, të majtë e të djathtë, që lanë vendin pas Luftës civile greke, ashtu duhet t’i garantohet kjo e drejtë kthimi dhe popullsisë çame. Ne do t’u krijojmë mundësi atyre që duan të kthehen në trojet e tyre”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu