Ikja e Zogut, Xhufi, ‘shuplakë’ Majkos: Je alterego i Berishës

0
686

Deklarata e deputetit socialist Pandeli Majko mbi mbretin Zog, ka ngjallur reagime jo vetëm nga emrat e politikës, por edhe nga emrat e historisë. Në një kohë që kryeministri Berisha i ka dalë dje në krah rivalit të tij politik, Pëllumb Xhufi, si historian e kritikon rëndë atë. Vetëm dy ditë më parë, deputeti socialist njëherazi ish-kryeministër, deklaroi në një intervistë, se ikja e Zogut në 1939-ën nuk ishte tradhti. Por kjo mbështetje që ai i ka dhënë mbretit, ka hasur pakënaqësi jo vetëm në qarqet politike, përkundrazi, mbi të gjitha në ato akademike. “Deklaratat e Majkos mbi Zogun unë i shoh simetrike me ato të Berishës: Të paditura, profane, arrogante, amorale. Vlera e vetme e tyre, është se na sqaron përse në Partinë Socialiste mbretëron një heshtje varri sa herë që Berisha anatemon emblemat e kombit e të historisë kombëtare të shqiptarëve, si Abdyl Frashëri, Fan Noli, Bajram Curri e Luigj Gurakuqi, për të nxjerrë nga gjirizet e turpit Esat Pashët e korrupsionit e të tradhtisë”, – thekson Xhufi, në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”. Sipas tij, Partia Socialiste qenka e shushatur në këtë 100-vjetor, ngaqë deri edhe liderë “historikë” të saj si z.Majko nuk paskan ndonjë referencë ideore, kulturore, historike e filozofike të ndryshme nga ajo e Berishës. “Duket, z. Majko ka marrë përsipër të përligjë aktin më të shëmtuar të Zogut, atë të arratisjes së tij, në prag të pushtimit fashist, që u parapri nga çarmatosja dhe demotivimi i ushtrisë dhe popullit shqiptar, si dhe nga plaçkitja prej tij e arkës së shtetit”, – vëren Xhufi. Sipas historianit, që disa herë ka kritikuar veprimet e Zogut-mbret, “z.Majko na shfaqet kështu, mbrojtës i kulturës së lasizmit dhe kolaboracionizmit që aq shumë i ka kushtuar këtij vendi. Rrjedhimisht i kundërvihet thelbit të kulturës së majtë në Shqipëri, që është ajo e luftës dhe e qëndresës, që mishërohet në veprën e lavdishme të rilindësve dhe të luftëtarëve të të gjitha kohërave, të cilët i dhanë Shqipërisë lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin kombëtar”.
Krahasimi
Për Xhufin, Majko është tashmë një “alterego” i Berishës në çështjet e historisë dhe thotë një të pavërtetë të madhe, kur pohon se të gjithë mbretërit e Europës, braktisën vendin e tyre para invazionit nazi-fashist. Këtë kundërshti, Xhufi e ilustron me fakte historike të qarta, duke bërë një krahasim të veprimit të Zogut me atë të mbretërve të tjerë të Evropës. “Z. Majko, mbretërit e Evropës, organizuan dhe drejtuan rezistencën e popujve të tjerë. Kështu ndodhi me mbretin Xhorxh të Anglisë, apo me mbretëreshën e Holandës, që qëndroi deri në fund dhe deshi të vdiste me popullin e saj, dhe do kishte vdekur ashtu, sikur në çastin e fundit të mos evakuohej, kundër dëshirës së saj nga komandot angleze. Mbreti Pjetër i Jugosllavisë, ishte vetëm 17 vjeç kur hodhi poshtë diktatin e Hitlerit dhe pranoi një sfidë të pamundur, që i kushtoi viktima të panumërta popullit të tij, por që i dha dinjitet e kredenciale të jashtëzakonshme Jugosllavisë së pas luftës, shpeshherë edhe për të zezën e ne shqiptarëve”, – shprehet historiani. Nga ana tjetër, Xhufi, shigjeton edhe një herë ikjen e mbretit në vitin 1939, duke thënë se ndryshe nga vendet e tjera, neve “fati na dhuroi një mbret burracak e të padenjë. U sollën shumë ndryshe nga Zogu ynë e juaj, mbretërit e kryeministrat e Evropës dhe të Ballkanit”. Historiani i kujton ish-kryeministrit Majko, se në çastin e mbramë kur gjermanët po hynin në Athinë, kryeministri grek Korizis, refuzoi të largohej, u mbyll në dhomën e vet dhe i dha fund jetës me një plumb në kokë. “MUND TE THEMI GJITHÇKA PER TE, por jo që ishte burracak. Akte të tilla nuk i prisnim kurrsesi nga mbreti ynë: Nuk e kishte brumin. Por të paktën të bënte atë çka premtoi vetë në prag të pushtimit: Të vishte opingat e të kuturisej i vetëm ca ditë nëpër malet e Shqipërisë. Kush e di, misionar”, – përfundon prononcimin e tij për “Gazeta Shqiptare”, Pëllumb Xhufi.

Berisha: Majko rrezikon të bëhet kurban i mbretërisë
Kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, vlerësoi dje deklaratat e deputetit socialist, Pandeli Majko, lidhur me figurën e Ahmet Zogut. “Unë shoh që z.Majko rrezikon të bëhet kurban i mbretërisë për fajin e vetëm, se bëri një deklaratë në përputhje të plotë me vendimet e marra në Parlamentin shqiptar për Mbretin. Është parlamenti shqiptar, ai që ka vendosur referendumin dhe ka qenë në unison i gjithë spektri politik. Ju garantoj se nuk do kishte ndonjë deputet, të majtë, të qendrës apo të djathtë, që do të votonte për t’i rikthyer të drejtën për të ardhur në pushtet, një trashëgimie tradhtare”, – deklaroi Berisha. Sipas tij, “kur ne votuam së bashku për referendumin dhe unë e dekretova atë, me një marrëveshje të të gjitha forcave politike, gjykoj se forcat politike bënë një hap shumë të madh përpara, në rivlerësimin e historisë së kombit të tyre. Po kështu rikthimi pas referendumit, i familjes, votimi i ligjit në parlament për t’i dhënë një status asaj”. Mandej, duke thumbuar lidershipin e Partisë Socialiste, Berisha shtoi se “ata tani përpiqen të gjejnë armiq, vetëm e vetëm se z.Majko pati kurajën t’i qëndrojë historisë, i çliruar nga ngarkesa enveriste e saj. Por këto janë punë të tyre, ne si Komision do të duhet të vazhdojmë të bëjmë çdo përgatitje”, – tha shefi i qeverisë.

 

Nga Fatmira Nikollo

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu